Shpend Ahmeti nuk përjashtoi mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen

E ndodhur para një situate ku kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje, Kosova ka nevojë urgjente që të shkojë në zgjedhje. Kështu pohon kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti. Për të, më e dëshirueshmja do të ishte një koalicion parazgjedhor i bllokut të majtë, njofton KlanKosova.

Kritika adreson për Partinë Demokratike të Kosovës, teksa thotë se vijat e kuqe i kanë vendosur vetëm për këtë subjekt politik, nuk përjashton mundësinë e një koalicioni edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, që dikur ishin pjesë e saj.

I pari i PSD-së, i sheh zgjedhjet si të vetmen alternativë për të dalë nga situata në të cilën ndodhet Kosova. Meqenëse nuk beson në një formulë tjetër qeverisëse, Ahmeti thotë se PSD është duke u përgatitur për zgjedhje. Ai nuk preferon të flas shumë për koalicionet parazgjedhore, porse megjithatë nuk e përjashton një mundësi të tillë.
Sipas tij, derisa të caktohet data e zgjedhjeve duhet të mendojnë që të garojnë të vetëm. Ahmeti nuk e përjashton mundësinë për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sa i përket një koalicioni me AAK-në, të cilën e ndihmuan kur i dhanë votat për buxhetin, Ahmeti thotë se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë diskutim. Teksa tregon se preferon një koalicion të së majtës.

E megjithëkëtë, Ahmeti i sheh të vogla gjasat që një koalicion i tillë të ndodhë, ndërsa nuk jep as emrin e kandidatit që do të dëshironte të kishte ky koalicion i së majtës. Ai përsërit se PSD ka vendosur vija të kuqe vetëm për PDK-në.

Duke komentuar vonesën e presidentit Hashim Thaçi, për t’i ftuar në konsultime subjektet politike në vend, Ahmeti thekson se nuk sheh ndonjë arsye për të vonuar takimin me subjektet politike.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi dje ka takuar përfaqësuesit e KDTP-së dhe ata të VAKAT nga grupi parlamentar 6+, Ministrin Mahir Yagcilar dhe deputetët Duda Balje dhe Bahrim Sabani. Ndërsa, sot është takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku kanë biseduar për afatet kushtetuese në rast se mbahen zgjedhjet. Pas takimit, Daka ka deklaruar se nuk kanë biseduar për ndonjë datë të caktuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button