Për 10 vjet, autoritetet “gënjyen” për 500 milionë denarë për investime në konviktet studentore

Nuk ekziston arkiv që mund t’i gjejë të gjitha premtimet për ndërtimin dhe modernizimin e konvikteve studentore, por këto fraza, të përcjella me shuma milionëshe, dekadën e fundit shumë lehtë dilnin nga gojët e politikanëve në adresë të studentëve. Por shifrat tregojnë se nga viti në vit, premtimet e qeverisë përfundojnë në dështime katastrofale, transmeton Radio MOF.

Pothuajse gjatë çdo “arnimi” të buxhetit, paratë publike të dedikuara për përmirësimin e gjendjes së konvikteve studentore maqedonase projektohen keq. Radio MOF kontrolloi zërat e dedikuara për ndërtimin dhe rindërtimin e konvikteve studentore nga Buxheti dhe Llogaritë Përfundimtare të Buxhetit për 10 vitet e fundit. Të dhënat tregojnë se diferenca midis parave të planifikuara dhe ato të shpenzuara për këtë qëllim janë pothuajse 500 milionë denarë në minus.

Për një dekadë, buxhetet e planifikuara fillimisht për ndërtimin dhe rindërtimin e konvikteve studentore tejkalojnë shumën prej një miliard denarë, ndërsa realizimi i përgjithshëm i këtij programi zhvillimor, i cili bie nën Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), sipas të dhënave nga llogaritë përfundimtare është pak mbi 500 milionë denarë .

Duke pasur parasysh se buxheti propozohet nga pushteti ekzekutiv ndërsa e miraton Kuvendi, do të thotë që këto dy institucione “kanë gabuar” mesatarisht 50 milionë denarë çdo vit për investime në konviktet studentore.

Nëse e përkthejmë këtë në një gjuhë pak më të lirë, autoritetet për një dekadë “gënjyen” për 8 milion euro në investime në konviktet studentore.

Dështimet ndryshojnë gjatë viteve. Në shifra të përgjithshëmbuxhetet më të mëdha ishin ato të viteve 2017 dhe 2018, kur u projektuan mbi 400 milionë denarë më tepër nga investimet e realizuara në konviktet studentore. Ndërsa me përqindje dështimet më të mëdha janë në buxhetet e viteve 2011 dhe 2009, kur vetëm 5 dhe 9 për qind e fondeve të parashikuara janë përdorur për këtë qëllim.

Vetëm në dy, nga dhjetë vitet e fundit, është regjistruar një tejkalim i buxhetit për renovimin e konvikteve studentore në Maqedoninë e Veriut.Përkatësisht, në vitin 2012, kur u shpenzuan 7 milionë denarë më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht dhe në vitin 2015, kur ishin shpenzuar dyfishi i parave të parapara fillimisht.

Konviktet studentore premtoheshin si me shaka

Këto disproporcione ndërmjet planifikimeve dhe ajo që realizohej mund të shpjegohen më lehtë nëpërmjet premtimeve të rreme të politikanëve nga të cilët studentët maqedonas në realitet panë shumë pak.

Qeveria e kaluar premtimet konkrete për ndërtimin e konvikteve të reja studentore i shpalli në fund të vitit 2015. Kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski, njoftoi ndërtimin e tri konvikteve të reja studentore, dy në Shkup, në vend të barakave në konviktin “Nevena Georgieva – Dunja” (Medicinar), si dhe pranë Qendrës sportive Boris Trajkovski dhe një konvikt studentor në Tetovë.

Këto premtime asnjëherë nuk u realizuan ndërsa buxheti për investime në konviktet studentore për vitin 2016 është realizuar në mënyrë solide, dështimi është drastik në 2017 dhe 2018 kur buxhetet fillestare u gabuan plotësisht.

Duhet të theksohet se buxheti për vitin 2017, në të cilin munguan 250 milionë euro, u propozua dhe u miratua nga shumica e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ndërsa buxheti i vitit 2018, ku është “gabuar” me 170 milionë euro , është produkt i shumicës parlamentare të udhëhequr nga LSDM-ja. Kjo vetëm tregon se të dyja garniturat qeverisëse jepnin premtime të mëdha dhe padyshim jorealiste për konviktet studentore.

Nga MASH, këto dështime të mëdha buxhetore në dy vitet e fundit i arsyetojnë me situatën politike dhe me ndryshimet që kanë ndodhur në vend.

“Në dy vitet e fundit ka pasur lëshime në realizimin e planifikuar, së pari në 2017 për shkak të situatës politike dhe ndryshimit në strukturën qeveritare. Emërimi defakto dhe ekipimi i kuadrit udhëheqës në secilën ministri, duke përfshirë MASH-in, ndikuan në vonesën në realizimin e aktiviteteve të caktuara të parashikuara. Ndërsa në vitin 2018, përqindja e shfrytëzimit të buxhetit të projektuar është më e lartë se në vitin paraprak “, thonë nga Ministria për Radio MOF.

Në të njëjtën kohë, dështimi në investimet e planifikuara mund të shihet përmes rindërtimit të ngadaltë të konviktit më të madh studentor “Goce Dellçev” në Shkup, ku u derdh pjesa më e madhe e buxhetit të MASH-it të destinuar për investime në konviktet studentore. Rindërtimi, pas disa vite premtime, filloi në vitin 2014 dhe sipas njoftimeve fillestare, autoritetet duhet ta përfundonin deri në fund të vitit 2016 ose në fillim të vitit 2017. Realiteti është se pothuajse tre vjet pas kësaj date, blloqet “V” dhe “G” janë ende të mbyllura për studentët.

Por Qeverisë së kaluar, po ashtu edhe Qeveria aktuale ka premtuar një plan ambicioz për investime në akomodimin e studentëve. Në programin e Qeverisë është premtuar qytet studentor në Shkup me salla sportive, dhoma leximi, biblioteka, restorante, kinema dhe palestra. Përveç kësaj, është premtuar një ndërtesë e re studentore në Autokomandë nëpërmjet partneritetit publiko-privat, kampuse universitare në Manastir, Shtip dhe Tetovë, si dhe rritjen e kapaciteteve të konvikteve ekzistuese.

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Petar Atanasov, në fushatën për zgjedhjet parlamentare në 2016, si përfaqësues i LSDM-së, premtoi se qeveria e re do të ndërtojë një konvikt studentor të ri dhe modern në Shtip me një kapacitet prej 300 shtretër deri në fund të vitit 2017.

Në një nga deklaratat e kohëve të fundit në temën për konviktet studentore, Kryeministri Zoran Zaev,duke iu përgjigjur një pyetje deputetësh u lavdërua se ka përfunduar rindërtimin e katër ndërtesave të konviktit “Goce Dellçev” dhe se gjatë verës pritet të përfundojë pjesa më madhe e rindërtimit të dy ndërtesave të Konviktit “Stiv Naumov”, sallës së ngrënies në “Kuzman”, dhe se janë paraparë fonde dhe për projekte të tjera.

“Janë vendosur 30 milionë denarë për dokumente projektuese për qytetin studentor dhe për qytetet universitare në Shkup dhe qytete të tjera. Me atë që Konvikti studentor në Tetovë tashmë ka filluar me ndërtim. Me dokumentacionin e projektit për qytet studentor në Shkup dhe në qytetet universitare të vendit, besoj se në fund të këtij viti, fillimi i vitit të ardhshëm do të jemi në gjendje t’i fillojmë procedurat konkrete për zbatimin e tyre “, tha Zaev në seancën e mbajtur më 30 maj të këtij viti.

Nga 20 prokurime publike 5 janë për flotën e automjeteve të MASH-it

Në planet vjetore të prokurimit që kërkuam nga MASH, kemi vërejtur se shumica e prokurimeve për konviktet studentore kanë vonesa serioze sa i përket termineve të planifikuara.

Në faqen e Byrosë për Prokurime Publike nga Plani i Prokurimit Publik të Ministrisë së Arsimit, janë hapur vetëm 3 nga 11 procedurat në lidhje me konviktet studentore. Dhe që të tre filluan me vonesa nga koha e paraparë.

Në qershor, filloi procedura për blerjen e mobilieve për konviktet studentore, të cilat sipas Planit të Ministrisë, duhej të fillonin në muajin mars. Procedura e tenderit për shërbimet e internetit për shkollat, studentët dhe konviktet filloi në prill dhe duhej të fillonte në shkurt. Relativisht në kohë, filloi procedura për tenderin për sanimin e shtigjeve në kompleksin e Konviktit Studentor “Goce Dellçev” në Shkup. Është e hapur në qershor në vend se në maj.

Por për pjesën tjetër të Planit për Prokurim Publik nuk ka të dhëna nga Byroja për Prokurim Publik. Këtu përfshihet tenderi për sanimin e sallës së ngrënies në “Goce Dellçev” me një vlerë të parashikuar prej 27 milion denarë, e cila pritej të fillonte në prill, si dhe procedurat për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe revidimin për riparimin e ndërtesave të “Stiv Naumov” dhe ndërtimin e një konvikti të riqë duhej të fillonte në mars dhe prill.

Është interesante që sanimi i sallës së ngrënies në “Goce Dellçev” dhe dokumentacioni për sanimin e ndërtesave të “Stiv Naumov” paraqiten edhe në Planin për Prokurim Publik të MASH-it për 2018, prandaj këto procedura shtyhen për më shumë se një vit e gjysmë.

“Udhëheqja aktuale bën përpjekje maksimale për të maksimizuar shfrytëzimin e fondeve në dispozicion në drejtim të përmirësimit të kushteve në konviktet studentore. Informojmë se aktualisht prokurimi publik është në fazën përfundimtare për rregullimin e ndërtesës në konviktin studentor “Goce Dellçev”, ndërsa prokurimi për rindërtimin e sallës së ngrënies do të shpallet në periudhën e ardhshme. Në këtë konvikt, kohët e fundit përfunduan aktivitetet për rindërtimin e plotë të blloqeve “V” dhe “G”, dhe në rrjedhë është prokurimi publik për pajimin e tyre, dmth. blerjen e mobilieve. Sa i përket procedurës për rindërtimin e objekteve në kuadër të konviktit studentor “Stiv Naumov”, së pari është e domosdoshme të përfundohet procedura gjyqësore (pritet vendimi i Gjykatës së Apelit), përkatësisht të zgjidhet kontesti shumëvjeçar që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka me kontraktuesin e aktiviteteve të ndërtimit në këto objekte në të kaluarën. Në Tetovë kanë filluar aktivitetet për ndërtimin e një konvikti për nevojat e universitetit shtetëror të Tetovës”, na u përgjigjën nga MASH në pyetjen tonë mbi arsyet e vonesës së prokurimeve publike të planifikuara.

Ministria shton se me ndryshimin e fundit të Ligjit për standardin e studentëve, konviktet studentore shtetërore morën fonde shtesë këtë vit jashtë atyre të planifikuara për funksionim të pa penguar.

Dhe ndërsa shumica e tenderëve janë vonuar, vëmendje e rregullt i kushtohet flotës së MASH-it. Nga gjithsej 20 kontrata të bëra nga Ministria që nga fillimi i këtij viti, të publikuara në faqen e internetit të Byrosë për Prokurime Publike, madje 5 janë për blerjen e karburanteve, gomave dhe shërbimeve të vulkanizimit, inspektimit teknik, larjes dhe mirëmbajtjes së makinave të institucionit.

***

Sipas të dhënave më të fundit nga Enti Shtetëror për Statistikë, në 2018/2019, 4,329 studentë janë vendosur në konvikte nga 6% në krahasim me vitin akademik 2017/2018, kur 4,613 studentë qëndruan në kapacitetet shtetërore për akomodimin.

Nëse kërkohet arsyeja pse këtë vit në 13 konviktet studentore në të gjithë vendin kishte 300 studentë më pak se vitin e kaluar, ndoshta premtimet e rreme janë një fillim i mirë për këtë hulumtim.

Daniel Evrosimoski

*Kjo tekst është pjesë e projektit: ”Konvikte studentore pa korrupsion” “Projekti është i financuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe grantuesit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i shpreh pikëpamjet dhe qëndrimet e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button