Profesori Iljazi: Nuk është çështja se si jam rrahur, por të zgjidhet problemi i ilegalitetit

Profesori universitar, Iljaz Iljazi i cili për momentin qëndron në banesën e tij në Ohër, ku edhe është kryetari i Këshillit Banesor, pas reagimit të tij për të shprehur pakënaqësinë për kyçjen ilegale në rrjetin e ujësjellësit, është sulmuar nga këshilltari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Ohër, Nefi Useini – i cili ka sulmuar edhe persona të tjerë. Kjo është hera e parë që Iljazi e ka takuar Useinin.

Për rastin dje kanë reaguar partitë politike, Aleanca për Shqiptarët (ASH), Lidhja Sociale Demokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe VMRO-DPMNE-ja të cilat profesori Iljazi i vlerësoi si korrekte, ndërkaq për atë të zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane (radhë e Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI), Bujar Osmani deklaroi se është “jashtë kompetencave të tija”.

“Mediat maqedonase kanë raportuar për ngjarjen, por ndonjëherë prononcimet dinë të modifikohen nga ana e gazetarëve. Dje ka reaguar “Eco Guerilla”, është qëndrim si duhet të jetë, ka reaguar edhe ASH-ja edhe ajo ka qenë korrekte dhe me kujdes. Edhe të partive tjera kanë qenë korrekte. Vetëm për deklaratën e zëvendëskryeministri, Bujar Osmani ku tha se, ‘ne do të kontrollojmë aspektin ligjor’, mendoj ai nuk ka kompetencë ta bëj një gjë të tillë. Organet e kanë marrë në punë këtë. Jam marrë në pyetje. Organet e Punëve të Brendshme dolën me qëndrimin e vet se, unë kam qenë i sulmuari”, tha për Portalb.mk, profesori Iljazi – i sulmuari.

Iljaz Iljazi
Iljaz Iljazi

Profesori Iljazi nuk dëshiron të sqarojë rastin se si ka ndodhur sulmi, por sipas tij, më e rëndësishme është të vihet në fokus çështja e lënies me një anë të dukurisë së pandëshkueshmërisë dhe ilegalitetit që ndodh në atë pjesë të Ohrit.

“Nuk dua të sqaroj më shumë për situatën se si ka qenë. Organet e Punëve të Brendshme e kam bërë këtë punë. Unë mendoj se këtu është problemi i lënies pas dore të kësaj ane ku ndodhi kjo, edhe prej pushtetit, se në çfarë gjendje e kanë lënë. Këta janë problemet reale, e jo ajo se si më ka rrah e pse më ka rrah. Me rëndësi është se unë nuk e njoh personin, as nuk e kam parë ndonjëherë. Unë edhe tash ta shoh personin, nuk do e njoh të ju them të drejtën. Mund të them se ai më njeh mua si person, nuk e di se çfarë ka dëgjuar për mua, por e di se ka ardhur direkt dhe më ka sulmuar. Unë kërkova të më prezantohet, më tregoi se, ‘unë jam këshilltari Nebiu, dhe tash do të shohësh…’ se tash është dhe banale të bisedohen këto gjëra”, tha më tej Iljazi.

Iljazi më tej u deklarua se, “Jam një person që jam i lidhur ngushtë me ligjin dhe moralin, dhe u sulmova nga një njeri që mendon se është i fortë me veprime të një partie, por edhe partia e tij doli se nuk e përkrah një sjellje të tillë”.

“Eco Guerilla”: Ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare do të informohen për rrënimin e shtetit të së drejtës dhe të pandëshkueshmërisë

Krahas partive politike, sulmin ndaj profesorit Iljazi e ka dënuar edhe Lëvizja “Eco Guerilla”. Ata vlerësuan se kultura e mosndëshkimit të veprave penale nga funksionarë politik është patolerueshme, dhe kërkuan nga Prokuroria Themelore Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të ndëshkohet sulmuesi – Nefi Useini, transmeton Portalb.mk.

“Duke vlerësuar lartë kontributin që ka dhënë z. Iljaz Iljazi si këshilltar i jonë i jashtëm dhe si ekspert për problemet e ndotjes së ambientit, shprehim shqetësimet serioze se shteti i së drejtës në vendin tonë është shumë larg pritshmërive të qytetarëve. Kultura e mosndëshkimit për vepra penale nga funksionarët politik është e patolerueshme. Kërkojmë nga Prokuroria e përgjithshme dhe Ministria e punëve të brendshme urgjentisht të reagojnë dhe të ndëshkojnë autorët pa marrë parasysh mbështetjen politike që mund ta kenë. Këtë reagim do ta dërgojmë edhe në ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare për ti përkujtuar se një nga kushtet kryesore për çeljen e negociatave me BE-në janë reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe funksionimi i shtetit ligjor”, thuhet në reagimin e “Eco Guerillës”.

Në lidhje me rastin, nga MPB-ja kanë njoftuar se më 29.07.2019 rreth orës 10, në rrugën “Sateska” në Ohër, është prishur rendi dhe paqja publike nga sulmi fizik, i kryer nga N.U. (44) dhe një person tjetër, mbi personin I.I. (60) nga Ohri. N.U.u thirr në stacion policie dhe u zhvillua bisedë zyrtare. Do të ngritët akuzë e përshtatshme kundër tij dhe sulmuesit të dytë. Partitë BDI dhe LSDM thanë se çdo akt ilegal duhet të dënohet, e kurse kryeministri Zoran Zaev tha ditë më parë tha se Komuna e Ohrit ka sjellë vendim për largimin e Useinit dhe pritet që procedura të fillojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button