Vasha dhe letra në xhepin e leckosur (Skicë për tregim)

Pasi liroi kopsën e mbërtheckës mbi kërthizë, lëshoi pantallonat e shkurtra mbi zall. Pantallonat i kishte shkurtuar nëna e tij me gërshërë, nga ato të gjatat që nuk i vishte më. Për një çast provoi me gishtin e madh të këmbës temperaturën e ujit, pastaj hodhi sytë rreth e përqark që të vërtetohej nëse e shikonin moshatarët e tjerë nga distanca, për t’u zhytur vrullshëm në ujin e freskët të lumit, që kishte burimet nga shpatet e Sharrit. Bëri një not poshtë e lart, në një vijë jo më shumë se dhjetë metra, aq sa mund të notohej lirshëm në një thellësi deri në fyt të një trupi adoleshenti, që arrihej me një pendë gurësh të ngritur me shumë mund nga djelmoshat e  lagjes. Herë-herë zhytej me kokë në ujin e kthjelltë dhe notonte me sytë çelë, për të shijuar kënaqësinë e një peshku.

Verës, në vapën më të madhe, përcëlluese, uji në këtë lumë, që dinte të jetë edhe i rrëmbyeshëm, shterej dhe shndërrohej në një përroskë, duke lënë një oazë zalli në mes të shtratit, për të nxjerrë në sipërfaqe shkëmbinj të trajtave dhe madhësive të ndryshme, që i kishte sjellë nga bjeshkët gjatë vjeshtës. Nga të nxehtit, Adoleshenti i lagjes, i cili sapo ishte regjistruar në një Shkollë të Mesme të qytetit, harroi pantallonat mbi zall dhe me brekë të larjes doli në rrugë, që të kontrollonte syprinën e gurëve që i kishte renditur pranë murit mbrojtës të lumit. Shikonte me mprehtësi syri nëse kishte tamam një metër kub, sepse blerësi që do të vinte, të mos gjente ndonjë pretekst për mëdyshje.

Në ato vite të pas Luftës së madhe, të prapambetjes dhe skamjes, shtëpitë në qytetin rrëzë Malit ndërtoheshin pjesë-pjesë me gurë, sidomos prej në themel deri në lartësi njeriu, pastaj renditeshin tullat që dilnin nga kallëpet me baltë e kashtë dhe tereshin në diell. Në ato rrethana, gurët e lumit ende ishin në trend të përdorimit. Djelmoshat e lagjes, që sapo kishin filluar të hedhin shtat dhe të formojnë muskuj krahësh e shpatullash, nxirrnin gurë nga lumi për të fituar ndonjë lek për nevojat e tyre apo të familjes.

Djaloshi i lagjes, i harlisur pas gurëve që i kishte nxjerrë një nga një e me mund të madh nga shtrati i lumit, duke ndenjur në ujë të ftohtë orë të tëra e pastaj duke hedhur në rrugë mbi murin mbrojtës të lumit prej dy metrash lartësi, për t’i renditur me finesë në finale të punës, për një çast shikoi nga këmbët e veta dhe vërejti se kishte mbetur si një torzo prej alabastri -vetëm me brekë. Hodhi sytë përtej, nga shtrati i lumit, shikoi me shpejtësi lart-poshtë, për të gjetur vendin se ku i kishte lënë pantallonat. Për habinë e tij, u ndal shikimi te Vasha, një vajzë e njomë e lagjes, e moshës së njëjtë, 15 vjeç, të cilën e njihte mirë. Ajo ishte bërë gërmuq mbi pantallonat e tij, duke kërkuar me telashe diç me duar nëpër xhepa, për të mos vërejtur fare se i kishte zbuluar gjunjët.

Djaloshit adoleshent iu errën sytë, jo pse e pa në atë gjendje e aq më pak se ç’kërkonte Vasha nëpër xhepa, por vetëm e vetëm se xhepat e pantallonave të tij të vjetra, jashtë përdorimit, që ishin shkurtuar për muajt e verës, ishin tepër të leckosur. Ajo assesi nuk duhej të kuptonte se ky mban në trup lecka që s’duken si të tilla. Ishte ajo një vajzë që ia kishte lëvizur flatrat e zemrës, për herë të parë në jetë.

Do ditë para kësaj ngjarjeje, nëna e djaloshit kishte blerë një pëlhurë katroresh dekorative prej pambuku dhe me aftësitë modeste që kishte, i kishte qepur djalit një këmishë të re. Po atë ditë që e kishte veshur dhe i dukej vetja se praronte në praninë e moshatarëve, për një moment, beftë, si prej një sfondi të mjegullt, doli Vasha. Përnjëherë zu të vrapojë drejt tij, me yrysh. Djelmoshat u stepën nga habia se ç’po ndodhte, por vetëm njëri prej tyre dinte shkakun.

Pikërisht ai u nda nga moshatarët dhe i dha ikjes. Edhe vetë s’dinte se pse i ndodhi kjo?  Rrugica nëpër të cilën vraponin Vasha dhe Djaloshi, të kapur në kurthin e flatrave të parzmës, ishte e ngushtë. Ndiqnin njeri-tjetrin pa ndonjë justifikim të qartë. Thuajse Djaloshi ia kishte mbërthyer zemrën e saj dhe e kishte strukur në kraharor, ndërsa Vasha donte ta kthejë aty ku e kishte që nga lindja, sepse ndiente një gufatje në pjesën e epërme të gurmazit.

Në vrap e sipër, ajo vrau dorën në një nga gurët e murit që kishte lëshuar bark përreth rrugës dhe u gjakos keq. Kjo bëri që të vrapojë edhe më me pezëm. Në një moment, kur djaloshi me qëllim ngadalësoi vrapin, Vasha e arriti dhe me gjithë fuqinë që kishte i ra me shuplakën e dorës në shpinë të tij. Ai, për habi, ndjeu një njomësi në shpinë, i erdhi sikur ajo e lëmoi, madje deshi që edhe njëherë ta mëshonte me një shuplakë edhe më të fuqishme, por, për çudi, Vasha u shtang. Ajo kishte parë që në këmishën e re të Djaloshit kishte lënë gjurmë gjaku nga dora e saj. Kur edhe ai vërejti gjakun në këmishën e re, iu stepën këmbët, iku ngjyra e fytyrës dhe  bashkoi  hundë e buzë. Vasha u prek nga gjesti i saj i papëlqyer dhe iku me hapa të shpejtë nëpër rrugicat e lagjes. Ajo u mbyll disa ditë në dhomë. Asnjë shenjë, asnjë përgjigje! Shqetësimi i kishte mbërthyer të dy të rinjtë.

Një ditë me diell prej saçi, kur s’priste fare, kur i kishte humbur të gjitha shpresat që ta shohë edhe njëherë Vashën, një minorene i futi fshehurazi në xhep të Djaloshit një copë letre. Ai vrullshëm e nxori letrën e zhubravitur nga xhepi dhe përpiu me lexim. Zemra i rrihte fortë. Priste një kërkim falje, një ofertë, një takim sy më sy…Por jo, asgjë nga këto pritje! Ajo në letër tregonte një arrogancë të panatyrshme për karakterin e saj, që dëshmonte se diç ishte thyer për së keqi në raport me të ose me familjen. Atij iu skuqën sytë nga një e papritur të këtillë: “Si mund të mos kërkojë ndjesë, nëse edhe asaj ende i rreh zemra për zemër?! Ashtu si e nxori, futi letrën në xhep me një pakujdesi…

Pasi iu këput ky film, që kaloi për disa sekonda në rradaken e tij, u bë edhe më i sigurt se pikërisht atë letër, atje poshtë, në shtratin e lumit, e kërkonte Vasha në xhepat e grisura të pantallonave të shkurtra të tij mbi zall. Ajo rrufeshëm hoqi duart nga xhepat e shkoqur të pantallonave të shkurtra dhe iku nëpër një “hapësirë” që ishte bërë pikë kalimi nga mungesa e një shufre në rrethojën e hekurt të një shkolle të mesme të qytetit.

Djaloshit shkonin e vinin mendimet, shtoheshin dilemat: “Përse kishte ardhur pas letrës, mos kishte ra pishman për të bëmat e saj. Ndoshta kishin rrahur fortë flatrat e zemrës? Jo, jo! S’mund të jetë kjo!”.

Atij i flakëroi një ide në kokë. Në çast, vrapoi në shtëpi, të cilën e kishte dhjetëra hapa më andej dhe me të shpejtë hipi mbi minder, për të nxjerrë nga rafti i epërm romanin me titull: “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, që asokohe ishte në trend të leximit. Prej aty nxori letrën e zhubravitur, ku e kishte vendosur që të hekurosej mes faqesh, palosi mirë e mirë me duar dhe e futi në xhepin e do pantallonave të tjera që s’ishin leckosur.

Me të shpejtë u ngjit në murin mbrojtës dhe kërceu në shtratin e lumit. Shkoi në vendin ku ishin atë ditë pantallonat e tij të shkurtra me xhepa të grisur, zhveshi dhe palosi me kujdes mbi disa gurë të pastër. Shikoi me bishtin e syrit anembanë, vrapoi deri te muri dhe u ngjit sërish përpjetë për të dalë në rrugë.

Gjatë gjithë ditës, djaloshi shtirej sikur po kujdesej për gurët që i kishte nxjerr nga shtrati i lumit – për shitje, por në vijimësi përqendrohej me cepin e syve nga vendi prej ku priste të dalë Vasha, nëse sërish do të shkonte t’i kontrollojë pantallonat. Sytë i nguliti te shufrat e hekurta të rrethojës së shkollës, prej nga priste të vijë engjëllushja, siç e thërriste shpesh, por më kot, nuk paraqitej dot. Kaluan disa ditë, pantallonat e shkurtra të verës rrinin si “karrem për gjah”, por Vasha e zemrës s’u paraqit më as te lumi e as te lagjja. Se ç’ndodhi me të, mbeti enigmë ndër shumë vite…!

Autor: Ismail Arsllani

Nga shkrimet paraprake të Arsllanit:

Ngritja e parë zyrtare e flamurit shqiptar në Tetovë më 1941
Betimi i tetovarëve në organizatën ilegale “Besa” më 1936
Anëtarët e “Besës” përcillnin situatën në Tetovë nga kafeneja “Kosova”, 1941
Si u themelua dhe veproi në Tetovë organizata ilegale “Besa” (1936)
Sheh Mustafë Tetova, strategu i Lidhjes së Prizrenit
Mehmetriza Gega, prijësi sypatrembur i demonstratave të Tetovës (1968)
Një “festë” e mallkuar moniste e tetovarëve
Një histori e heshtur për tetovarët në Amerikë
Xha Abdullah Jusufi me shokë përgatiti ngritjen e flamurit kombëtar në Tetovë
Shkrimet e para për Tetovën më 1878 në gazetat britanike
Për Kasaphanën dhe lisin e Tafës në Tetovën e vjetër 
Shpat Sharri dhe njerëzit me çanta të zeza
Nga katrahura e vendlindjes në ballë të demonstratave shqiptaro-amerikane
Seid Musai, mësuesi  në organizatën ilegale –  NDSH
Debutimi i tetovarëve më 1941 me instruksionet e Tiranës
Gomari i fshatarit dhe eurointegrimet

Kurthi komunist për likuidimin e atdhetarit tetovar hafëz Sulejman ef. Shehapi
Transparencë e mjegulluar në skenën politike
Një historik pak i njohur për Hidrocentralin e Tetovës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button