PROJEKTIMI I JETËS

Media jo vetëm që ndikon në jetën tonë, por e ka ndryshuar atë rrënjësisht. Media është bërë shqisa jonë e re. Botën duam ta shohim vetëm nëpërmjet saj, por një botë ashtu siç na paraqitet dhe jo ashtu sikurse është në të vërtetë. Mediat ndikojnë edhe në mënyrën e jetesës së publikut. Ato e rikonstruktojnë realitetin, veçanërisht atë politik. Na krijojnë heronj e idhuj nga hiçi.

Për shkak të medieve dhe zhvillimeve teknologjike jeta jonë rrjedh ndërmjet reales dhe virtuales. Jeta jonë udhëhiqet nga “gjahtarët e shpirtrave”, siç i quan një mendimtar.

Jetojmë ashtu siç duan të tjerët dhe jo ashtu siç duam vetë. Besojmë se ajo që na imponohet si mënyrë jetese është më e denjë se sa ajo që e ndjejmë se duhet ta bëjmë me vetëdijen dhe vullnetin tonë. E ndryshojmë kështu mënyrën tonë të jetesës që t’i përshtatemi këtij projektimi. Bëhemi pjesë e një bote që na kanë sajuar të tjerët. Kjo përshtatje, pastaj, me kalimin e kohës, bëhet jeta jonë.

Për këtë temë flet edhe një tregim i shkurtër i Enes Haliloviqit, një shkrimtar dhe publicist i njohur nga Novi Pazari. Tregimin e shkurtër “Ariu” po e sjell në shqip.

“Ndodhi në një kohë të turbullt, kur u shfaqën celularët. Isha gazetar, me honorar. Për të fituar diçka, kudo kërkoja diçka interesante. Dhe më thotë një profesor i letërsisë, një shakaxhi, se është një Tasko Muriqi, nga Rozhaja, i cili duke ikur nga ariu ishte ngjitur në dru. Sakaq i qe kujtuar që t’i lajmëronte djemtë nëpërmjet celularit. Ata vrapuan dhe e vranë ariun me pushkë. Këtë lajm e shpërndava në agjencinë gazetareske ku punoja. Dhe e botuan të gjitha gazetat. Ky ishte shembulli i parë se si celulari i shërbeu, të themi, një njeriu të thjeshtë. Flisja me krenari se si mund të formësohej opinioni publik vetëm nëpërmjet një ndodhie në mal. Dhe vjen ai shakaxhiu, profesori i letërsisë, e më thotë: Je mashtruar, sepse të gjitha unë i kam sajuar! Tasko Muriqi as nuk ka ikur nga ariu, as nuk ka celular. Mirë. Çfarë të bëj? Jam mashtruar. Aspak e çuditshme. Nuk ka ndodhur diçka që edhe ka mundur të ndodhte. Pas një kohe shkoj me punë në Rozhajë dhe e kërkoj Tasko Muriqin, sepse kisha drojë se mos më padiste. Dhe pyes nëse ekzistonte ky njeri. Ekziston, më thonë. E gjej, në treg, e pasi është ditë tregu shoh njerëzit si janë mbledhur rreth tij. Ai u rrëfen se si atë e kishte ndjekur ariu, se si iu kujtua t’i lajmëronte djemtë, që kishin vrapuar me pushkët në krah dhe e kishin shpëtuar. Ai rrëfen, rrëfen dhe kënaqet, kurse populli e dëgjon. Unë i afrohem Tasko Muriqit. I prezantohem. I them se dua të bisedojmë diçka sy më sy… Ai bëhet serioz. Largohemi pak nga kureshtarët… Zotëri, më thotë Tasko Muriqi, ma thotë me zë të ulët, zotëri i nderuar, unë e rrëfej gjithë atë që është shkruar nëpër gazeta. Kam blerë edhe telefon. Të gjithë më besojnë. Mos u shqetësoni.”

Dhe kështu ne i besojmë një rrëfimi të sajuar. Muriqi jeton ashtu siç është shkruar për të në gazetë. Ai asgjë nuk ka bërë në jetën e tij. Vetëm i është përshtatur kësaj mënyre të re të jetesës, ashtu siç ja kanë projektuar mediat. Dhe mediat për çdo ditë na krijojnë nga një Muriq të ri. E bëjnë protagonist të kohës sonë, e bëjnë hero, e bëjnë idhull, pavarësisht se ai vetëm mund të ketë ikur nga ariu.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button