Janë “pastruar” disa kompjuterë në PSP, të tjerët tani-për-tani “shpëtuan”

Prokuroria speciale publike pranoi që disa kompjuterë tashmë ishin fshirë në atë institucion dhe se procesi ishte ndalur “për të shmangur dyshimet për çfarëdo motivi tjetër”. Kjo është përmbajtja e përgjigjes me shkrim që “360 gradë” e ka pranuar sot pasi, në bazë të disa informacioneve plotësuese për zhvillimet në PSP gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, këtë mëngjes i dërguam disa pyetje në këtë prokurori. PSP-ja të shtunën mohoi se ishte dhënë urdhër për fshirje të kompjuterëve si reaksion ndaj një teksti në “360 gradë” me titull “Katica Janeva ka urdhëruar “fshirjen krim-ligjore” të kompjuterëve në PSP”, transmeton 360 stepeni.

Çka pyetëm ne, çfarë u përgjigj PSP-ja

Në vijim janë pyetjet që sot në mëngjes ia drejtuam shërbimit për shtyp të PSP-së:

  • A janë formatuar kompjuterët e stafit në PSP, sa dhe në cilën mënyrë është realizuar formatimi?
  • Cilat janë arsyet për të bërë këtë dhe a janë ruajtur të dhëna dhe dokumentacione të caktuara?
  • A është revokuar vendimi për formatimin e të gjithë kompjuterëve?
  • Kush merr vendime të këtij lloj aktiviteti dhe a ka mundësi që një gjë e tillë ndërmerret pa e ditur Katica Janeva?
  • A është e vërtetë që punonjësit janë njoftuar përmes një mesazhi nga departamenti i TI-së për faktin se kompjuterët do të formatoheshin?

Në vend të përgjigjeve individuale të pyetjeve, morëm një përgjigje të përmbledhur që përcjellim të plotë:

“Me qëllim të rritjes së sigurisë informatike për të gjitha të dhënat elektronike në dispozicion të kësaj PP, duke marrë parasysh që procesi i dëgjimit të bisedave nga përgjimi i paligjshëm i komunikimeve është duke përfunduar, se janë ndërmarrë aktivitete me të cilat janë marrë të gjitha të dhënat e rëndësishme për punën e kësaj PP dhe nevojën e arsyeshme për arkivim, u bë bekua (mbështetje) dhe sigurimi i tyre. Në të njëjtën kohë, disa kompjuterë u formatuan nga shërbimi i ekspertëve në mënyrë që për qëllime sigurie të mënjanohen biseda që eventualisht ka mund ruhen në kompjuterët e tyre. Ky proces u ndërpre për të mënjanuar çdo lloj dyshimi për çfarëdo motive tjera për veprim. Ju sigurojmë se këto ishin aktivitete të një natyre sigurie që ishin planifikuar paraprakisht dhe për të cilat stafi i PSP-së ka qenë i informuar. Duam ta sqarojmë se edhe në të kaluarën ka pasur raste kur janë ndërmarrë masa të tilla për arsye organizative” janë përgjigjur nga PSP-ja.

Janë formatuar më tepër kompjuterë të bashkëpunëtorëve profesionalë

Informacionet tona thonë se me formatim, në valën e parë, janë përfshirë më tepër kompjuterë të, siç thuhet edhe në përgjigjen e sotme të PSP-së, bashkëpunëtorëve profesionalë në prokurori, ndërsa në radhë kanë qenë makinat në të cilat kanë punuar hetuesit dhe prokurorët. Fshirja është realizuar javën e kaluar, mbase të premten (26 korrik), ndërsa pas alarmit nga disa punonjës të shqetësuar të cilin e raportoi “360 gradë” gjatë fundjavës (27 dhe 28 korrik), operacioni dje (29 korrik) u pezullua. Ndalja, sikurse edhe fillimi i “pastrimit”, nuk ka mund të bëhet pa e ditur Katica Janeva.

Siç ka njoftuar tashmë “360 gradë”, me këtë fshirje fare nuk janë prekur dokumentet e ruajtura në ato kompjuterë, me çka edhe kishte të bëjë mohimi i PSP-së të shtunën. Por  në mënyrë të pakthyeshme janë fshirë informacionet për “trafikun” për atë se – kush, kur dhe çfarë ka punuar në ato makina. E njëjta gjë do të ndodhte edhe me kompjuterët e tjerë nëse operacioni do të kishte vazhduar.

Formatim i sigurt?

Ekspertët e informacionit të cilët i konsultuam në lidhje me “formulimet” (fjalët) e përdorura në përgjigjen e sotme të PSP-së thonë se nën formulimin: “është bërë formatimi i disa kompjuterëve … me qëllim të mënjanimit për çështje sigurie të bisedave që eventualisht janë ruajtur”, mbase duhet të nënkuptojë se “pastrimi” është bërë me të ashtuquajturat “Vajping”(”wiping”) (zhdukje). Është teknikë që pamundëson rikthimin e të dhënave për punën e mëparshme në një makinë, për dallim nga “formatimi” i thjeshtë, që mundëson ato informacione të rikthehen edhe pas fshirjes.

Konteksti (et)

“360 gradë” arriti edhe deri te mesazhi i departamentit të TI-së në PSP, që dërguar punonjësve në 8 korrik 2019, në të cilin thuhet:

“Kolegët FILLONI me rregullimin e të dhënave që i posedoni në kompjuterët tuaj dhe usb-të tuaja. Organizoni të dhënat sipas punës në lëndë të caktuara. Fshini plotësisht gjithçka që NUK ka të bëjë me punën në PSP. Nëse keni të dhëna private, ruani ato në usb private. Kur të përfundojë procesi, do të ftoheni të bëhet formatimi i çdo kompjuteri dhe usb-je. Procesi do të zhvillohet në faza”, thuhet në mesazhin deri te i cili arriti “360 gradë”.

Ky mesazhi është dërguar një javë para se PTHP-ja, për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, të hapë hetim për çështjen “Reket”, në të cilën është e implikuar edhe shefja e PSP-së Katica Janeva. Sidoqoftë, megjithëse s’ka hetim zyrtar, është periudha në të cilën për rastin raportohej me të madhe në media, dhe Janeva mbase e ka ditur se Vilma Ruskovska kishte nisur procedurë para hetimore. Sipas burimeve të “360 gradë”, pothuajse asgjë nuk ka ndodhur në këtë plan derisa Janeva ishte në pushim mjekësor, ndërsa gjërat sërish fillojnë të lëvizin pas kthimit të saj në PSP të martën e kaluar (23 korrik).

Nëse më 8 korrik, për një pjesë të konsiderueshme të stafit, përfshirë edhe departamentin e TI-së në PSP, në kërkesën për të “fshirë” kompjuterët mund të mos ketë pasur aspekt problematik, pas hapjes së hetimit për lëndën “Reket” konteksti ka ndryshuar plotësisht. Së këndejmi, edhe për hetimin aktual të Vilma Ruskovskës, por edhe për raste dhe situata të tjera në të ardhmen mund të jenë të dobishme njohuritë- se çka konkretisht ka ndodhur posaçërisht në kompjuterin e një prokurori, hetues ose bashkëpunëtor profesional në PSP. Kush, kur, bisedat e cilit i ka dëgjuar ai, ose kush, kur, çfarë materiale ka shikuar ose ka shkarkuar nga një kompjuter i caktuar, që duke i krahasuar me gjetjet tjera mund të jenë dëshmi të drejtpërdrejta ose të tërthorta në rastin “Reket” ose në rast(e) të ngjashëm(me).

Prandaj shqetësimet dhe alarmi që disa nga punonjësit vendosën ta aktivizojnë përmes “360 gradë”. Sot PSP-ja edhe zyrtarisht konfirmoi se dyshimi ishte (është) legjitim.

LEXO: “360 Shkallë”: Katica Janeva ka urdhëruar “fshirje forenzike”, demantuan nga PSP-ja
LEXO: Opozita dhe pushteti gjatë javës mund të takohen për Ligjin për prokurori, Zaevi refuzoi të komentojë “fshirjen forenzike” në PSP

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button