Pushteti dhe opozita i kanë afruar qëndrimet për disa çështje për fatin e Prokurorisë Speciale

Zv/ministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski, pas takimit në Qeveri mes përfaqësuesve të Qeverisë dhe opozitës rreth ligjit të ri për Prokurori Publike, me të cilin duhet që të rregullohet edhe statusi i PSP-së, ka deklaruar se me opozitën janë hapur temat për financim të Prokurorisë, por edhe përgjegjësia e prokurorëve, njofton Portalb.mk.

“Këtu kemi afrim të qëndrimeve, në pjesën e rritjes së buxhetit që do ta kishte Prokuroria. Pra ta rrisim buxhetin e Prokurorisë, të jetë organ më i pavarur. Kemi biseduar edhe për gjetjen e modusit për përgjegjësi më të madhe te të punësuarit dhe te vetë prokurorët. Në këtë moment kemi afrim të qëndrimeve, mendoj se këtu mund të gjejmë zgjidhje të përbashkët për Ligjin”, tha Ristovski.

Ai shtoi se mbledhjet dhe bisedimet për Ligjin për Prokurori Publike, i cili është në procedurë kuvendore, ndërkaq për të cilin faktori ndërkombëtar ka dhënë vlerësim pozitiv për tekstin, do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave dhe se ndryshimet që do të bëhen, do të shkojnë si amendamente në Kuvend.

Përndryshe, edhe pse u paralajmërua se do të ndodh në fund të muajit korrik 2019, seanca plenare për Ligjin për Prokurori Publike me të cilin parashihet Prokuroria Speciale Publike të kalojë në Prokurori Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë, është caktuar për më 27 gusht, pas pushimit vjetor të deputetëve. Ligji parasheh që hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të ndodhin më së voni deri më 15 shtator 2019, pasi 7 ditë para të jetë shpallur në Gazetën Zyrtare. Do të miratohet me procedurë të shkurtuar, ndërkaq janë të nevojshme 2/3 e votave të deputetëve, të cilat ende nuk janë siguruar.

Opozita maqedonase VMRO-DPMNE ka propozuar variant tjetër të Ligjit, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ka paralajmëruar propozimin edhe të dy ndryshimeve, e kurse partitë tjera problemin e kanë me shefen e PTHP-së për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë dhe ajo të mos jetë Villma Ruskovska, siç propozoi kryeministri Zoran Zaev. Për këtë, në Maqedoninë e Veriut gjatë javës së kaluar kanë realizuar takime eurokomesari për fqinjësi dhe zgjerim, Johanes Han dhe ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-ve për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker të cilët në mesazhin kryesor të tyre, kishin miratimin e Ligjit për Prokurori Publike apo përcaktimin e ardhmërisë së PSP-së.

Propozim-ligji parasheh:

  • PSP-ja të kalojë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit,
  • Do të marrë emrin Prokuroria për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë,
  • Do të ketë kompetenca në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut,
  • Do të ketë garanci që në mënyrë të mëvetësishme të përgjigjet dhe vendos për lëndët e PSP-së,
  • Do të udhëhiqet nga Villma Ruskovska,
  • Prokurorët aktual të PSP-së do të vazhdojnë të punojnë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë,
  • Mandati i tyre është deri më 15 shtator, por do të kenë mundësi për rizgjedhje,
  • Përbërjen e Prokurorisë së re do ta zgjedhë Këshilli i Prokurorëve,
  • Të gjithë rastet e PSP-së ajo do t’i vazhdojë dhe procesuojë para gjykatave kompetente,
  • Nga PSP-ja, në PTHP do të kalojë edhe Arkivi, mjetet dhe aparatura,
  • Lartësia e mjeteve për funksionim të PTHP-së për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë të caktohet me propozim-buxhet dhe plan financiar të shefit të kësaj Prokurorie, të cilat dorëzohen te prokurori publik dhe te Ministria e Financave për aprovim. Qeveria dhe Kuvendi nuk mund ta ndryshojnë planin financiar dhe buxhetin e kësaj prokurorie.
  • Parashihet mbrojtje e personalitetit të prokurorëve të kësaj prokurorie dhe nuk mund të kryejnë funksion prokurorial në ndonjë institucion tjetër.
  • Shefi i kësaj prokurorie do të mund të shkarkohet me 2/3 e votave të Këshillit të Prokurorëve.
  • Ajo nuk mund të ndjekë krim pa aprovim nga prokurori publik dhe
  • Ajo nuk ka të drejtë që ta urdhërojë ndonjë institucion tjetër të kryejë ndjekje të krimit për të cilin është përgjegjëse vetë ajo.

“Bombat” që janë në gjykata do të procesuohen, të tjera do të shkatërrohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button