GJËRAT QË S’ËSHTË DASHUR TË BËHEN

Kam shkruar disa herë për çarshinë, për planet e këqija që kanë pasur dhe që kanë edhe tash vëllazëritë dhe klanet e ndryshme për të. Veçmas për bitpazarin që e prish bukurinë arkitekturale të çarshisë. Dikur mendoja se ndoshta fjala ime, vërejtjet e mia se po preket çarshia, se po dëmtohet, do ta bënin dikën, së paku dikënd, ta vërë gishtin në mendje për këtë çështje. Kam shkruar se disa klane nuk janë indiferente, se kanë plane dhe se punojnë për interesin e tyre që është i kundërt me interesin tonë të përgjithshëm. Dhe ç’’u bë pse shkrova? A mos iu dridh qerpiku dikujt? Po, si jo. Atje te qoftë!

Disa njerëz të mirë më kanë thënë, kështu e kanë arsyetuar këtë problem: ej, gabim e ke që kërkon të zhvendoset bitpazari. Gjynah është se shumë nevojtarë e nxjerrin koren e bukës aty… U kam thënë se edhe po qe se zhvendoset bitpazari, patjetër shitësit do të shkojnë ta nxjerrin koren e bukës atje ku do të vendoset. Kjo hallexhinjtë e nxjerrin koren e bukës… është kërkesë që unë të hesht e ta mbështes gjumin kolektiv dh energjinë prishëse të klaneve. Megjithatë as njëherë s’kam heshtur, diçka më brengoste, diçka më gërryente, nuk më linte të qetë. Dilja, shkoja në ndonjë vend prej nga duket çarshija si në shplakë. Më binin në sy rrugicat e çarshisë të cilat e kanë një harmoni. Por, më binte në sy edhe Teatri Shqiptar cili është i mbyllur, thuajse ka mbetur në një gropë, në një moçal, pa udhë të hairit për hyrje e dalje që kërkojnë kohët bashkëkohore për një teatër modern, pra është diçka që e largon publikun nga shfaqjet e bukura që i bëjnë nder gjuhës dhe kulturës shqiptare. Bie në sy edhe bitpazari, i përhitur, me tezga ala Pakistan dhe disa ndërtesa të ngulitura aty pa shije arkitekturale ku ka plot dyqane ashtu si ka dashur vllaznia ose klani i caktuar i qytetit. Keq. Përkthyer në gjuhën normale kjo do të thotë se bitpazari është një trup i huaj i cili ia merr frymën Çarshisë, i mbyll të gjitha hyrjet në çarshi, i zhvlerrëson të gjitha rrugicat e bukura, ashtu siç e mbyll edhe hyrjen e Teatrit shqiptar dhe e përjashton edhe Allaxha xhaminë si përmendore historike dhe përfundimisht i zë vendin sheshit që është dashur të jetë aty bashkë me një park dhe t’u shërbejë turistëve  dhe të gjithë atyre që duan të mbetet e paprekur e kaluara.

Por dëshira e tyre nuk do të realizohet, sepse klanet janë kujdesur që nga koha e Jugosllavisë ta bëjnë këtë sherr, sepse Bit pazari nëse nuk e lejon kulturën të lulëzojë, ndonjë klani u ka mundësuar dhe u mundëson që t’i lulëzojnë paratë. Prandaj tash kanë filluar ta betonojnë bitpazarin, duke ndërtuar disa dyqane ngjashëm me shtëpizat e këqija pa shije dhe ta betojnë edhe ëndrrën që aty të bëhet parku dhe sheshi

Kësaj i thonë – e pat!

Përsëri shkoj në atë vend nga duket duket pamënia e bukur e çarshisë. Duken ato minare e xhami që i kanë shpëtuar kazmës. Ndalem e shikoj. Nuk përqendrohem si ndonjë  njeri që e mat madhështinë e fesë kështu, por më duket se çdo minare e xhami arkitetët e moçëm e kanë ndërtuar në bazë të pozitës së yjeve. Nuk është e rastit hapësira midis xhamisë te Sahati, xhamisë së Isa beut dhe Allaxha xhamisë. Fat është që këto nuk janë rrënuar, mirëpo nuk është fat që midis kësaj hapësire që pushteti i dikurshëm  komunist e ka bërë një ndërtesë të vrazhdë ku e kanë vendusr poliklinikën dhe një ndërtesë tjetër të panevojshme për banim. Sa mos ta lënë hapësirën e parkun midis këtyre tri xhamive që janë përballë çarshisë që ta sheshojnë bukurinë.

Ka mbaruar kjo punë!

Po do të ngulfatet edhe bitpazari. Edhe pak atje nuk do të shkojnë as gratë pensioniste me fytyrat e tyre plot pikëllim që të bëlejnë domate sepse pensioni nuk do t’ua mundësojë blerjen. Publiku i teatrit do të jetë gjithnjë e më i pakët sepse është edhe më vështirë tash nga bitpazari të hyhet në teatër, kurse turistët e pakët  do të kenë vetëm një hymje: nga kiç Shkupi 2014. Jo rastësisht.

Pamëninë që e duam, pamëninë që e kanë lënë mjeshtrit e moçëm vendorë nga koha e perandorisë osmane, s’do ta kemi. Ajo është tjetërsuar, e tash ngrihet një pamëni që ta zë frymën.

Dëm.

Një gjë e di. Për këtë qëndrim jo të mirë ndaj bukurisë arkitektonike do të shkruajnë njerëzit brez pas brezi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button