Komuna e Gostivarit dhe MASH me akuza për njëri-tjetrin

Tash e disa vjet, Komuna e Gostivarit e udhëhequr nga Arben Taravari dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e udhëhequr nga Arbër Ademi, po vazhdojnë debatin rreth procedurave për marrjen kompetencave në arsim, transmeton Portalb.mk.

Sipas Ligjit për Arsim, kompetenca për shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve në shkolla i takojnë Komunës në të cilën gravitojnë ato shkolla. Por, Komunës së Gostivarit tashmë një kohë i merren kompetencat nga Ministria e Arsimit, me arsyetimin se po shkel procedurat gjatë ndërrimit të drejtorëve.

Si rezultat i këtij ping-pongu institucional, gjashtë herë janë ndërruar drejtorët e shkollave gjatë këtij gjysmëmandati qeverisës. Për këtë situatë të krijuar, ka reaguar edhe kryetari Taravari.

“Unë kam përballë meje një ministër që ka marrë titullin e docentit në mënyrë joligjore, kam përballë një kryeministër i cili bën pazare për çdo gjë. Unë u propozova të dyve që të mos i merren ingerencat komunës së Gostivarit por t’i jepen BDI-së. Ata të cilët i shkarkoi ai vetë tani përsëri i emëroi si drejtor”, deklaroi Taravari.

Përfaqësuesi tjetër nga Komuna e Gostivarit, Shkëlqim Veseli tha se MASH i mori përgjegjësitë e kryetarit të komunës pa marrë vendim nga komisioni i shkallës së dytë si organ kompetent.

Në lidhje me këtë problem, përmes një komunikate ka reaguar edhe MASH, duke fajësuar Komunën e Gostivarit se ‘po gënjejnë vetëm për shkak të qëllimeve të tyre politike”.

“Konkretisht, sikurse është i informuar tashmë opinioni, pas inspektimit të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, janë vërejtur një numër i parregullsive dhe mosrespektimi i ligjeve nga ana e kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe nga pushteti lokal në procedurat për shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve të shkollave. Bëhet fjalë për procedurë të parregullt të cilën kryetari e ka përsëritur dy herë e, që në të vërtetë është baza për marrjen e kompetencave në fushën e arsimit me detyrimin që të rikthejë situatën në gjendjen e përparshme”, arsyetohet MASH në komunikatë.

MASH sqaron se vendimi i tyre për t’i marrë kompetencat për arsim komunës, vijnë pas rekomandimit nga institucionet mbikëqyrëse.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e detyruar të respektojë vendimet e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurën Administrative dhe Procedurën e Marrëdhënieve të Punës në shkallë të dytë dhe të veprojë në përputhje me të njëjtat, që do të thotë se vendimet e marra në fakt janë veprim sipas vendimeve të Komisionit të Shkallës së Dytë”, shkruan MASH.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e udhëhequr nga kuadri i BDI-së, ka një mesazh për kryetarin e Gostivarit, që vjen nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

“Edhe një herë, i bëjmë thirrje Komunës së Gostivarit, kryetari të kësaj komune dhe udhëheqësisë së saj që të mos fajësojnë kuturu dhe të mos gënjejnë vetëm për shkak të qëllimeve të tyre politike dhe të mos e përfshijnë politikën në procesin edukativo arsimor, sepse në këtë situatë dëmet u shkaktohen vetëm nxënësve dhe procesit edukativo arsimor”, përfundon komunikatën MASH.

Kujtojmë se në periudhën e kaluar dy herë kryetarit të komunës së Gostivarit i është marrë kompetenca në pjesën e emërimit dhe të shkarkimit të drejtorëve.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button