PUBLICIZIMI I GOLLOMESHISË

“A naked body has no sense without a context
[Trupi i zhveshur s’ka kuptim pa një kontekst].”
(Michael L. Quinn)

Gollomeshi! Çka? Menjëherë t’ia shpjegojmë kuptimin kësaj fjalë me përdorim të rrallë: Cullakëri, lakuriqësi ose nëse doni në “gjuhën e shenjtë” të kohës: nakedness. Instrument që e përdorim për të analizuar kohën e zisë morale, të lakuriqësisë, gjysëmnudizmit e përtej që servohet si kulturë e kohës, si “mëlmesë fizike” e erotizmit që është pjesë e kulturës popullore, kulturës masovike ose industrisë së estetikës trupore. Gollomeshia e aktualizuar këtyre ditëve nga koncerti në një qytet kosovar ku “këngëtarja” e shumëpërfolur performoi në mënyrën më bizare para syve të fëmijëve, duke treguar “hot-kulturën” provinciale, linjat e veta trupore dhe tatuazhet, duke thyer të gjitha tabutë dhe vijat e kodit moral shqiptar e më gjerë. S’është as e para as e fundit. Tanimë jemi në kohën e lustrimit medial të ekstravagancës dhe esktremizimit seksual, kur një dimension i feminizmit identifikohet me lirinë për t’u shfaqur pa pardon në skenën publike e cila është e të gjithëve, e qytetarëve dhe kërkon kufizime, përkundër liberales “leni le të kalojnë, leni le të bëjnë”.

Vitet e 1960 kur rebelizmi nisi të bëhet mënyrë jetese solli dekada të emancipimit që interpretohet si çlirim, këputje e prangave të tradicionalizmit, konservatorizmit, feqendërsisë (religiocentrism), kur mes tjerash njeriu nisi të flasë edhe përmes gjuhës së lakuriqësisë trupore, kur zhveshja u paketua si kulturë e çlirimit, që solli shumë pasoja: nga ekstazat erotike deri te demoralizimet e çoroditjet. Sipas një mendimtari lançimi i lakuriqësisë si kulturë, do të thotë që sumbullën e parë të këmishës e keni mbyllur gabimisht, dhe kështu më pas nuk keni të drejtë të ankoheni për gabimësinë e sumbullave të tjera. Luigi Pirandello në vitin 1922 pati botuar veprën Vestire gli ignudi (Të veshësh lakuriqët), ndërsa sot industria e muzikës dhe modës e i zhvesh të zhveshurit, duke dërrmuar ndjesinë morale, ndërgjegjen, duke seksizuar gjithçka, duke tregtuar trupin, në veçanti atë femëror.

S’do mend se zhveshja është pjesë e jetës, por ka kuptim në kontekst të caktuar, në rrethana të veçanta. Sikur të mos ishte ashtu veshja nuk do të ishte dominante në shumicën dërrmuese të kulturave dhe qytetërimeve botërore, me përjashtime në momente të caktuara si Egjipti (Akhen-Aton dhe Nefertiti janë rrezitur të zhveshur) dhe Greqia antike (trupi i zhveshur dhe muskuloz i atletëve), arabët paraislamikë (tavafi rreth Qabes të zhveshur)… Se zhveshja është partikulare dhe ishullore e thonë hulumtimet antropologjike që vërtetojnë pakësinë e skajshme të fiseve native nudiste të zonave ku ende jetohet primitivizmi, naturizmi, ku historia nuk ka lëvizur. Zona të zhveshjes si normë gjejmë ishujt ekzotikë, në safaritë e Afrikës, ose gjatë eksplorimit të xhunglave të Amerikës Jugore (fiset Yanomami, Tupari në Amazon). Marrë në përgjithësi, ligjet puritane të qytetërimit modern për mirësjelljen kulturat e zonave tropikale të paveshura i kanë cilësuar si ofensive dhe inferiore.

Sot zhveshja është metodë për të tërhequr vëmendjen (gaining attention). E para që e ka promovuar zhveshjen në skenë dhe në jetën e përditshme ka qenë Isadora Duncan (1877-1927),  valltare ruso-frëngo-amerikane, që nisi një modë të re në vallëzim, ia hapi rrugën modernizmit të shekullit XX në veshmbathje, duke e bërë korsetin të dalë mode. Ky hap më pas u ndoq nga skenat muzikore pariziene me zhveshje, deri te Hollywoodi dhe MTV që me të madhe nisën të tregtojnë trupin, deri te antenat satelitore dhe interneti që e kanë komercializuar tërësisht seksualitetin përmes modës si soft art dhe pornografisë si dimension radikal i seksualitetit. Trupi i zhveshur në pjesën dërrmuese konsiderohet gjë e panatyrshme edhe në epiqendrat e modernizmi, si SHBA-të. Aileen Goodson në artikullin e saj të titulluar Nudity in ancient to modern cultures thotë: “Zhveshja në televizionet amerikane është e rrallë. Gjatë kohës së ditës kur fëmijët, zhveshja nuk është e lejuar. Fëmijët janë të mbrojtur nga efektet “dëmtuese” të trupit natural, normal dhe të pëfajshëm njerëzor.”

Ndër shqiptarë, si pjesëtarët të dy traditave të mëdha fetare, islame dhe kristiane, veshja ka qenë gjithherë kod, një kërkesë dhe trysni sociale që ka mbizotëruar ndër shekuj, kurse zhveshja një tabu, që kohëve të fundit përmes TV-ve komerciale po serviret si përbërës të mas-kulturës së popullarizuar përmes skandaleve si ky i fundit, që rrisin pikët e performuesve të këtillë dhe që sjellin “progres degradues”, shthurje, degjenerim. Kujtojmë që është thuajse i padobishëm referimi historisë tonë, ku mbulimi është standard (p.sh. plakat, madje edhe në Shqipërinë e shfetarizuar). NË shekullin XXI kthim prapa s’ka. “Emancipimi” në veshje është evident, është dukuri, fenomen shoqëror. S’bën pare as linçimi e as ai në rrjetet sociale, sa ndikon vetëdijësimi për kufijtë e lirisë, vlerat etike që janë armatura e godinës së kombit dhe njerëzimit. Njeriut, qoftë mashkull a femër duhet t’i tregohet se trupi i zhveshur s’ka kuptim jashtë kontekstit, se nudizmi duhet të kontekstualizohet, të shpërfaqet atje ku e ka vendin, jo të gjeneralizohet sepse është i trishtë, i gërditshëm. Sikur të ishte i natyrshëm s’do kishte nevojë për tualetë, s’do të reagonte apo s’do turpërohej askush kur i shfaqen pjesë që ekspozojnë pjesë të caktuara të trupit. Shumë institucione aplikojnë kode të veshjes, madje edhe uniformë. Imagjinoni vetëm shëmtinë e zyrave apo të rrugës me njerëz cullakë. Tërësisht e pashije duket vetëm si llaf goje jo më tepër. Përligjja e veshjes nga bonsensi human është një provë për natyrshmërinë e saj. Dhë në fund, imagjinoni të jeni prind i një fëmijë të kthyer në shtëpi që ka “observuar” pubisin koncertual n’Drenicë! Si do ndjeheshit? Ç’pyetje do t’i shtronit? Do stepeshit, ndoshta do hapnit temë tjetër?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button