U dorëzua në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për interpretim të dorëheqjes së Haradinajt

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dorëzuar të hënën në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për interpretim të dorëheqjes së tij nga pozita e kryeministrit.

Ai ka thënë t’i ketë kërkuar kësaj gjykate edhe “definimin e kompetencave dhe funksionimit të qeverisë” pas veprimit të tij.

“Qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes sime, dhe me këtë, të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen”, ka thënë ai në një postim në rrjetin social, Facebook, transmeton REL.

Haradinaj ka thënë se do ta respektojë secilin vendim të gjykatës, por edhe i ka bërë thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Parlamentit të Kosovës dhe partive politike “që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare”.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik, pasi është ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button