Milionat që Kosova shpenzon për zgjedhje të parakohshme

Që nga viti 2010, asnjë qeveri e Kosovës nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katërvjeçar, çka si pasojë ka imponuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Përveç efekteve politike, shkuarja e shpeshtë në zgjedhje, sipas organizatave joqeveritare, po i kushton edhe buxhetit të Kosovës me harxhimin e paplanifikuar të miliona eurove.

Këtë vit, në Kosovë u organizuan zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore, pas dorëheqjeve të katër kryetarëve të atyre komunave. Për organizimin dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati konfirmuar se ishin shpenzuar më shumë se 471 mijë euro.

Aktualisht, Kosova nuk është në proces zgjedhor, por është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Bazuar në qëndrimet e shprehura, partitë politike janë deklaruar se i preferojnë zgjedhjet e parakohshme dhe po presin nga presidenti i Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme kushtetuese e ligjore.

Sipas llogaritjeve të para, këto zgjedhje, krahasuar me shumën e shpenzuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, mund t’i kushtojnë Kosovës nga 4 deri në 5 milionë euro.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoresh e Lëvizjes FOL, tha për Radion Evropa e Lirë se kostoja e cila mund të përdoret për mbajtjen e zgjedhjeve është rreth 5 milionë euro, çka sipas saj, nuk është aspak e vogël.

“Ndonëse ende nuk po dihet saktë nëse do të ketë zgjedhje apo jo, mund të them se tri qeveritë e kaluara nuk kanë arritur ta përfundojnë mandatin e tyre deri në fund, duke bërë që vendi gjatë këtyre gati 10 vjetëve të fundit të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

“Sipas të dhënave të KQZ-së për zgjedhjet e kaluara janë shpenzuar diku rreth 5 milionë euro, e që mendojmë që nuk është shifër e vogël, e aq më pak kur nuk parashikohen në buxhetin e këtij viti. Se sa do të shpenzohen për këto zgjedhje nëse do të mbahen mbetet të shihet”, tha Demolli-Nimani.

Në anën tjetër, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se viti 2019 nuk është vit zgjedhor dhe se në Ligjin për buxhet të këtij viti nuk ka mjete të planifikuara për mbajtje të zgjedhjeve.

“KQZ-ja mund të fillojë të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme vetëm pasi ato të shpallen nga presidenti, dhe se në këtë drejtim ende nuk është bërë ndonjë planifikim. Viti 2019 nuk është një vit zgjedhor, çka do të thotë se në Ligjin e buxhetit për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje”, tha Elezi.

“Nëse do të ketë zgjedhje, sepse ne po flasim vetëm në rast se do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, duke u mbështetur edhe në praktikat e situatave pak a shumë të ngjashme, KQZ-ja bën kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare për mbajtjen e zgjedhjeve. Për shembull, kështu kemi vepruar së fundmi me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave, të cilat u mbajtën më 19 maj të këtij viti”, shprehet Elezi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button