Gjysma e komunave nuk publikojnë rregullisht informacione për prokurimet publike (infografik)

Vetëm një në pesë komuna, ose më saktë më pak se 20%, në ueb-faqet e tyre i publikojnë rregullisht shpalljet për prokurime publike, ka treguar analiza, që këto ditë, e ka realizuar Agjencia e lajmeve “Meta.mk” në ueb-faqet e 80 komunave dhe të Qytetit të Shkupit. Pothuajse gjysma e komunave ose 48% nuk ​​kanë publikuar asnjë të dhënë për prokurimet publike qofshin ato ekzistuese ose të vjetruara, njofton Meta.mk.

Kontrata të vjetra ose kategoritë bosh për prokurimet publike kanë 15 komuna, ndërsa  21 komuna s’kanë as shpallje aktuale as link deri te shpalljet e tyre në Sistemin elektronik për prokurime publike (SEPP).

Qyteti i Shkupit dhe 26 komuna të tjera i publikojnë vetëm prokurimet e mëdha publike ose kanë shpallur linkat me faqen e shpalljeve të SEPP-së. Një komunë fare s’ka ueb-faqe, ndërsa dy të tjerat kanë një prani jashtëzakonisht jofunksionale në internet.

Vetëm 16 komuna i publikojnë shpalljet e prokurimeve publike në ueb-faqet e tyre, tregoi analiza që e bëri Meta për ueb-faqet e 80 komunave dhe Qytetit të Shkupit.

Niveli i ulët i transparencës së qeverive lokale është konfirmuar edhe në Indeksin e transparencës aktive të Qendrës për komunikime civile. Sipas këtij indeksi, komunat publikojnë vetëm një të katërtën e informatave, që kanë të bëjnë me financat, që duhet të publikojnë.

Qeveria javën e kaluar u rekomandoi komunave dhe Qytetit të Shkupit që të publikojnë informatat themelore mbi prokurimet publike në ueb-faqet e tyre, si procedurë për transparencë në përputhje me Planin kombëtar aksionar për partneritet të hapur të  qeverisë.

“Edhe komunat edhe ministritë janë më të dobëtat në publikimin aktiv të informacioneve  në fushën e transparencës buxhetore dhe fiskale, ku nga të mundshmet 100%, komunat i përmbushin vetëm 26% (vitin e kaluar 25%), ndërsa ministritë 57% (vitin e kaluar 26%) të obligimeve për publikim aktiv të informacioneve”, përfundon analiza e Qendrës për komunikime civile.

Megjithëse është më e lartë se vitin e kaluar, transparenca aktive e ministrive dhe komunave mbetet në nivel të ulët edhe në vitin 2019, thekson QKC-ja, duke theksuar se përqindja e përmbushjes së detyrimeve për publikimin aktiv të informacioneve me karakter publik është 56 për qind te të gjitha 97 institucionet e përfshira në hulumtim.

” Transparenca aktive e ministrive, vitin e tretë me radhë, po shënon rritje ndërsa pas rënies, për dy vite me radhë, më në fund vërehet rritje edhe te transparenca aktive e komunave. Megjithatë, ka ngelë hendeku i madh midis nivelit të transparencës aktive të ministrive dhe komunave”, thuhet në sondazh, me të cilin është përcaktuar transparencë mesatare aktive prej 77.6 për qind në ministri dhe 51.7 në komuna.

Për të dytin vit radhazi, vetëm 8 nga 20 institucionet në krye të renditjes janë komuna, ndryshe nga viti 2017, kur në atë kategori ka pasur 16 komuna. Në anën tjetër, në 39 vendet e fundit në listën Qendrës për komunikime civile, renditen vetëm komuna.

Vlera e përgjithshme e prokurimeve publike të komunave në Maqedoni vitin e kaluar ka qenë 80 milionë euro, ndërsa kanë qenë të realizuara 2.773 prokurime publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button