Haradinaj bëhet pishman?!

Në seancën e sotme të Qeverisë së Kosovës, e para pas dorëheqjes së kryeministrit, u zhvillua polemikë rreth asaj nëse Qeveria me kryeministrin në dorëheqje ligjërisht ka të drejtë të marrë vendime, ndërsa kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, tha se e vetmja mënyrë për ta sqaruar këtë është të adresuarit tek Gjykata Kushtetuese për mendim, raporton Anadolu Agency.

Zv/kryeministri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, në fillim të seancës tha se nuk mund të punohet sipas rendit të përgatitur të ditës, meqë Qeveria nuk ka autorizim ligjor të marrë vendime.

“Ky takim pas situatës së re politike dhe ligjore është më specifik. E di që para vetes keni një listë të gjatë të pikave të rendit të ditës. Mendoj se ka më shumë tema se sa që kemi autorizim ligjor. Mendoj se duhet të kemi një opinion ligjor, në mënyrë që të mos shkelim ligjin dhe Kushtetutën. Temat e interesit urgjent nuk duhet të jenë vakum institucional, por për temat që janë prioritete qeveritare nuk mund të vazhdojnë si deri tani”, tha Hoxhaj.

Pas prononcimit të ministrit të PDK-së, edhe Nisma Socialdemokrate e mbështeti qëndrimin se duhet të sqarohet baza ligjore për marrjen e vendimeve të Qeverisë. Kryeministri në dorëheqje, Haradinaj, tha se e vetmja gjë që i ka mbetur është të kërkojë mendim nga Gjykata Kushtetuese.

“Unë mendoj se si kryeministër i Qeverisë doemos t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk jam për atë, nuk dëshiroj që të krijohet vakum, por nëse kjo është kërkesë e partnerit të koalcionit, PDK-së dhe NISMËS, nuk shoh mënyrë tjetër që të vazhdojmë dhe jam i detyruar që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, tha Haradinaj.

Megjithëse ministrat e PDK-së u prononcuan se nuk janë për mundësinë e adresimit tek Gjykata Kushtetuese, seanca u mbyll pa marrë parasysh pikat e përgatitura të rendit të ditës dhe me përfundimin e kryeministrit në dorëheqje që nga Gjykata Kushtetuese t’i kërkohet përgjigje urgjente për këtë çështje, në mënyrë që të mos humbet kohë .

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje njoftoi se pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, javën e ardhshme do të fillojë konsultimet me partitë politike, në përputhje me kompetencat e tij të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për të kapërcyer situatën e krijuar me dorëheqjen e kryeministrit.

Duke dhënë dorëheqjen të premten, për shkak të ftesës për intervistim si i dyshuar nga Gjykata Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, Haradinaj i kërkoi presidentit të Kosovës të përcaktonte datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Të gjitha partitë kryesore parlamentare në Kosovë tashmë janë deklaruar të mbajnë zgjedhje të parakohshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button