Aktorët kalojnë natën në Teatër duke protestuar

Aktorët kanë kaluar edhe një natë tjetër në mjediset e Teatrit Kombëtar duke protestuar në këtë mënyrë për mos-shembjen e godinës. Godina e Teatrit Kombëtar vijon të ruhet 24 orë nga aktorë dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Këtë të premte situata para teatrit është e qetë. Aktorët thonë se protesta do të vazhdojë me ritme intensive, transmeton Klan.

“Ne do të vazhdojmë, kjo është evidente. Ne nuk mund të tërhiqemi më pas. Nëse ka ndonjë gjë që duhet të ndryshojë, është qëndrimi i atyre njerëzve që duan të vjedhin truallin publik dhe të shkatërrojnë trashëgiminë kulturore”, tha regjisori Edmond Budina.

“Kjo situatë do të vazhdojë deri sa kjo çështje të përfundojë, deri sa t’i jepet një zgjidhje në të mirën tonë, pra që kjo ndërtesë të mos shembet”, tha aktorja Adriana Tolka.

Për ta mbajtur të gjallë protestën dhe veprimtarinë e Teatrit Kombëtar, aktorët po mendojnë të vendosin në skenë shfaqe të reja.

“Po mendohet jo vetëm për një shfaqe, por disa të tilla, ndoshta edhe një shfaqe e re duke marrë shkas në çfarë kalvari kemi kaluar këto 1 vit e gjysmë.”

Protesta për teatrin u shoqërua të mërkurën me tensione të forta mes Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe forcave të policisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button