A MUND TË AFRIKANIZOHET SHQIPTARIA?

Në librin Hëna e Shqipërisë, të botuar në vitin 1914, Ben Blushi parashikon të ardhmen e trishtë të trojeve shqiptare në njëqind vitet e ardhshme, përgjatë të cilëve, për shkak të trysnisë së politikave globalizuese, mundësia për shkërmoqjen e gjuhëve, kulturave dhe identiteteve të etnive të vogla si puna jonë do të jetë e madhe.

Duke krahasuar të dhënat demografike të së shkuarës e të së sotmes të disa shteteve dhe etnive të Europës, Blushi pohon se shqiptarët, nga viti 1500 gjer më sot, kanë pasur ritmin më të ulët të shtimit të popullsisë, ndoshta në gjithë kontinentin tonë. Sipas autorit, për 500 vjet shqiptarët nga 1.5 milion janë shtuar në 5.5 milion (pra 5 herë), ndërkohë që britanikët janë shtuar 12 herë, holandezët 20 herë, gjermanët, hungarezët e spanjollët 9 herë, belgët, skandinavët, zviceranët dhe rumunët 10 herë, turqit 13 herë… Natyrisht, për shkak të rrethanave shoqërore e politike, pushtimeve, gjenocideve, ekzodeve të dhunshme dhe epidemive, minave të nëndheshme levantine që thellojnë hullitë e dallimeve fetare, krahinore e dialektore, veçmas për shkak të keq-qeverisjes dhe varfërimit të vazhdueshëm të vendit nga të huajt dhe vetë shqiptarët, edhe fqinjët tanë serbët e grekët janë shtuar më shumë se ne.

Në pamundësi për t’u ndalur në detin e të dhënave interesante të autorit mbi ngjarjet që gjatë dekadave në vijim do ta ndryshojnë botën, po sjell para lexuesve të PortAlbit vetëm parashikimet që lidhen me të ardhmen tonë, të cilat, kur e lexova librin në vitin 2014, m’u dukën më të pabesueshme e më të pamundshme se sot më 2019.

Kështu, sipas Ben Blushit:

  • Për shkak të pabarazisë, në pesëdhjetë vitet e ardhshme ndoshta do të boshatisen të tërësi fshatrat shqiptare, veçmas ato kodrinoro-malore, sepse njerëzit do të duan të jetojnë nëpër qytetet më të mëdha.
  • Ulja e natalitetit, plakja e popullatës dhe ekzodi masiv i të rinjëve, do t’i detyrojë biznesmenët vendorë të kërkojnë fuqi punëtore në vendet afro-aziatike.
  • Ardhja e emigrantëve (kinëzëve, afrikanëve…) do të krijojë enklava me popullatë të verdhë e të zezë. Kjo gradualisht do ta ndryshojë srukturën racore të trojeve tona.
  • Fëmijët afro-aziatikë që do të lindin në Shqipëri do të konsiderohen shqiptarë. Ata, bie fjala, do të luajnë në kombëtaren shqiptare, njësoj si futdbollistët shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës.
  • Ndërkohë do të rritet presioni i qeverive të huaja për të hapur tregun vendor ndaj investimeve të tyre. Ata fillimisht mund ta vënë si kusht punësimin e bashkëvendësve të tyre në firmat që do t’i themelojnë, kurse më pas do ta konvertojë këtë kusht në projekt më ambicioz…
  • Me kalimin e viteve emigrantët, ngjashëm siç ndodh me diasporën tonë gjetiu nëpër botë, do të punësohen edhe në administratë dhe do të gëzojnë të drejtat e vendorëve. Ata do ta gëzojnë të drejtën e votës dhe të përfaqësimit. Sigurisht që do të kenë dhe lagjet, ndoshta dhe qytezat e tyre pranë qyteteve të mëdha.
  • Të drejtat e të huajve do të lindin partitë nacionaliste ksenofobe. Ato do të synojnë kufizimin e të drejtave të emigrantëve, të cilët nëpërmjet enklavizimit do të përpiqen të ruajnë tiparet e tyre identitare – gjuhën, kulturën, zakonet…
  • Nëse ndodh që numri i emigrantëve të bëhet më i madh se i vendorëve, gjuha shqipe do të dobësohet dhe do ta humbë vlerën e saj. Autori i referohet një studimi të UNESCO-s, sipas së cilës shqipja, bashkë me disa gjuhë tjera ballkanase, vërtet llogaritet ndër gjuhët e rrezikuara seriozisht.
  • Efektet e globalizimit ndjehen qysh sot në komunikimin e shqiptarëve në gjuhën angleze, gjermane… Për shkak të punëdhënësve këto gjuhë do të jenë gjuhë pune si për vendorët si për ardhacakët.
  • Në fazat e mëvonshme, kur të huajt do ta gjunjëzojnë gjuhën dhe kulturën tonë, shqipja më nuk do të jetë gjuhë e parë shkolle. Sipas Blushit, edhe nëse shqiptarët do të vazhdojnë ta flasin shqipen nëpër shtëpitë e tyre, do të jenë të paaftë të lexojvë libra shqip, ndaj kryeveprat e autorëve të tyre do të detyrohen t’i lexojnë të përkthyera në anglisht…

Kështu duken në vija të trasha parashikimet e frikshme të Ben Blushit, të cilat për shqiptarët e mbetur jashtë kufijvë të shtetit Amë do të jenë shumë më të dhembshme.

E përsëris: parashikimet e frikshme të Blushit nuk më shqetësuan kur e lexova për herë të parë librin e tij, në vitin 2014. Atëbotë mundësia e realizimit të tyre m’u duk shumë më e largët se një shekull. Por sot, kur vendbanimet shqiptare po boshatisen kaq furishëm nga pjesa më vitale e etnisë dhe kur askush nuk ndërmerr asgjë serioze për ta ndalur këtë gjëmë, druaj se me ne mund të ndodhë gjithçka edhe para se të kalojë gjysma e këtij shekulli.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button