Ligji i gjuhëve në RMV: Agjencia hapi konkurs për punësim, Qeveria miratoi Ligjin për Inspektoratin

Ligji për përdorimin e gjuhëve pas gjashtë muajve nga hyrja në fuqi, është duke i përmbushur detyrimet me të cilat parashihet themelimi dhe funksionalizimi i institucioneve kompetente për zbatim dhe mbikëqyrje të shfrytëzimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV). Agjencia ka hapur konkurs për punësim të 13-të personave, e kurse Qeveria e ka miratuar Ligjin për formimin e Inspektoratit, transmeton Portalb.mk.

Në konkursin e Agjencisë kërkohet një këshilltar për përkthim dhe lektorim – me rrogë prej 37.968 denarë, këshilltar për marrëdhënie me Qeverinë – me rrogë prej 37.968 denarë, udhëheqës i zyrës së drejtorit – me rrogë prej 36,930 denarë, udhëheqës të planifikimit të brendshëm – me rrogë prej 36,930 denarë dhe zyrtarë për ndjekje të zbatimit të gjuhës që e flasin më së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe).

U miratua propozim – ligji për themelimin e Inspektoratit

Në seancën e 147-të të Qeverisë është verifikuar propozim-Ligji për themelimin e Inspektoratit Shtetëror për Përdorimin e Gjuhëve.

“Është verifikuar propozim-Ligji për Inspektoratin Shtetëror për Përdorimin e Gjuhëve me të cilin garantohet barazia, njësojshmëria dhe paanshmëria gjatë kontrollit inspektues si dhe zbatim të vazhdueshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

I pyetur për atë se sa të punësuar do të ketë Inspektorati, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani deklaroi se fillimisht duhet të emërohet drejtori, të përpilohet plani për sistematizim, dhe më pas të definohet numri i të punësuarve.

Bujar Osmani për autostradën Shkup - Bllacë
Bujar Osmani

“Duhet të emërohet drejtori dhe më pas ta përpilojë planin për sistematizim. Numri i të punësuarve do të definohet në bazë të planit për sistematizim”, tha Osmani.

Osmani e shtroi mundësinë që Ligji për përdorimin e gjuhëve t’i nënshtrohet ndryshimeve në pjesën e gjobave, për shkak të harmonizimit të të njëjtit me ndryshimet e Ligjit për shqiptim të sanksioneve.

“Sanksione do të parashihen sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kjo duhet të shikohet se nëse vihet deri te vendimi që Ligji për përdorimin e gjuhëve të harmonizohet me Ligjin për shqiptim të sanksioneve, atëherë ndoshta do të duhet të shikohet edhe Ligji i gjuhëve”, tha Osmani.

Përndryshe, më 24 korrik 2019 Kuvendi me procedurë të shkurtër miratoi ndryshimet e Rregullores me të cilat harmonizohet me dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Sipas tij, ndryshimet kontribuojnë për rregullim të përgjithshëm të zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe në ndryshimin e emrit të shtetit. Me ndryshimet parashihet edhe ndryshimi i vulës së Kuvendit ku do të jetë emri i ri i shtetit dhe do të jetë në dy gjuhë.

Në RMV urgjentisht duhet të formohet Komision për licencim në gjuhën shqipe

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) është e domosdoshme të formohet Komision për licencim të lektorëve të gjuhës shqipe, para përzgjedhjes së kuadrit të plotë të Agjencisë për zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjegjësisht të gjuhës shqipe. Për të pasur lektorë, duhet të ekzistojë Komisioni për licencim të tyre.

Sa për ilustrim, ekziston Komision për licencim të lektorëve të gjuhës maqedonase i cili në bazë të Ligjit për gjuhën maqedonase, formohet nga Ministria e Kulturës, dhe në përbërje ka kryetarin dhe katër anëtarë, “persona profesional të kësaj fushe, me mandat prej katër vjetësh, me mundësi rizgjedhjeje”. Obligim i Komisionit është të realizojë testim për licencim të lektorëve në gjuhën maqedonase. Në Ligjin për përdorimin e gjuhëve në nenin 18, paragrafi 3, thuhet se në Agjencinë për zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, krahas përkthyesve të autorizuar gjyqësorë do të punësohen edhe linguistë dhe filologë të diplomuar të gjuhës shqipe, si dhe lektorë të licencuar.

Formimi i Komisionit është diskutuar në grupin ndër-resor të Qeverisë së RMV-së, por ende nuk është vendosur se si do të formohet i njëjti. Ka dy variante: Të ketë ndryshim të Ligjit për përdorim të gjuhëve dhe në të parashihet edhe formimi i Komisionit; kryetarit, anëtarëve, mandati dhe kompetencat dhe përgjegjësitë, ose Komisioni të formohet në kuadër të ndonjë Universiteti apo Ministrie.

Ndryshe, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në RMV duhet që gjuha shqipe të zbatohet në tabelat e të gjitha institucionet e pushtetit qendror, ndërkaq në nivel lokal do të emërtohen institucionet dhe rrugët vetëm në ato komuna ku shqiptarët janë mbi 20 për qind. Kjo fazë solli raste të bastardimit të ri të gjuhës shqipe. Ligji solli edhe formimin e Agjencisë e cila do të jetë përgjegjëse për zbatim të gjuhës shqipe dhe Inspektoratin përgjegjëse për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button