Protesta te Teatri në Tiranë, protestuesit të mbështetur nga Basha hyjnë brenda (VIDEO)

11:10 – Të mbështetur nga kreu i opozitës Lulzim Basha, artistët dhe qytetarët që u përplasën gjatë ditës së sotmë me forcat e rendit përpara Teatrit Kombëtar, arritën të futen brenda në godinë.

Në fillim ishin artistët dhe qytetarët që hynë brenda godinës nga fasadat anësore të saj dhe më pas edhe përfaqësuesit e opozitës. Policia e Shtetit u tërhoq për një moment duke i hapur rrugën protestuesve që mbrojnë shembjen e Teatrit Kombëtar ndërsa në një urdhër të dytë kordoni blu u rivendos në hyrje të godinës.

10:45 – Tensione përpara Teatrit Kombëtar në Tiranë të Shqipërisë. Kësaj herë artistë dhe qytetarë më të shumtë në numër po konfrontohen fizikisht me policinë, të cilët siç thonë ata,  janë kundër shembjes abuzive të Teatrit Kombëtar.


Malaj thirrje Majkos dhe Braçes: Nxirrni vendim për mos-prekjen e teatrit, të reagojë edhe Ruçi

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj i është bashkuar protestës që po zhvillohet te Teatri Kombëtar, e tensionuar pas hyrjes së disa personave brenda godinës, të mbështetur nga forcat e policisë.

Malaj i ka bërë thirrje ministres së Kulturës që të kërkojë menjëherë largimin e policisë nga godina e teatrit, ndërkohë që thirrjen ia ka drejtuar edhe dy ish-kolegëve të tij në Partinë Socialiste, Pandeli Majkos dhe Erjon Braçes, respektivisht ministër për Diasporën dhe zv/kryeministër.

“Majko dhe Braçe nëse e duan këtë vend duhet të nxjerrin një vendim qarkullues për mos-prekjen e teatrit dhe vendosjen e qetësisë publike. Nëse nuk veprojnë Majko dhe Braçe, i takon Kuvendit dhe Gramoz Ruçit që të mbledhë deputetët nga pushimet dhe me një ligj me vetëm një paragraf të thuhet se ndalohet hyrja në teatër dhe më pas të gjendet një zgjidhje”, u shpreh Malaj nga protesta.


Basha: Nuk e lejojmë! Jemi me aktorët

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nxituar menjëherë që të shkojë tek Teatri Kombëtar, në mbështetje të aktorëve.

“Është një projekt grabitje, një projekt kriminal. Qëllimi është grabitja e kësaj toke dhe për të pastruar paratë e drogës, me një arkitekt të dënuar në Itali. Është për t’i rrëmbyer kryeqytetit, Teatrin Kombëtar dhe për të pasuruar Edi Ramën dhe për të pastruar paratë e drogës. Teatrin e kanë mbrojtur aktorët. Jemi këtu për të ndaluar këtë grabitje kriminale. Kjo që po ndodh sot me Teatrin, nesër do ndodhë tek shtëpia e shqiptarëve”, tha Basha.

Lulzim Basha

Meta: Artistët po protestojnë kundër vendimit korruptiv

Presidenti i Republikës së Shqipërisë  Ilir Meta i bën thirrje policisë që “të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht.”

“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare”, tha Meta.

Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë ngritur dyshime për personat e paautorizuar që kanë hyrë brenda godinës dhe i tremben ndonjë incidenti të qëllimshëm për të dëmtuar teatrin.
 BURIMI: Top Channel

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button