Hagë, ka përfunduar intervistimi i Krasniqit dhe Haradinajt

Lajm në përditësim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje. Ai u paraqit sot për intervistim pranë Prokurorisë Speciale për Krime Lufte të Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj tha se ka qenë i ftuar si i dyshuar dhe shtoi se nuk ia lejon këshilla ligjore që të jep detaje se për çfarë konkretisht është pyetur.

“E kam kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Kam pranuar këshillën ligjore që mos të përgjigjem për çka jam pyetur. Këto janë procedura ligjore jo për të fsheh diçka nga publiku, por meqë ligji nuk ma lejon… “, ka thënë Haradinaj duke shtuar se ende nuk e di rolin e tij se për çka është ftuar si person i dyshuar.

“Jam paraqitur si i dyshuar për të kryer obligimin ligjor në bazë të një ftesë të dhoma të specializuara. Kam pranuar këshillën ligjore që mos me u përgjigjem fare në pyetje. Unë kam kryer obligimet e mia ndaj gjykatës. Janë procedura ligjore, jo për me fsheh diqka, por nuk ka ndonjë përmbajtje që jam njoftuar me diçka, nuk e di pse jam i dyshuar. Roli në UÇK, por jo diçka në përmbajtje”.

Haradinaj tha se prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë obligim tjetër ndaj tij, andaj tha se do kthehet në Kosovë i gatshëm për të kërkuar votat e qytetarëve.

“Jam i gatshëm për të gjitha, Qoftë nëse na fton kryeparlamentari për shpërbërjen e parlamentit qoftë presidenti për të caktuar datën e zgjedhjeve. Nuk janë zhvillime të thjeshta, jam detyruar me dhanë dorëheqje, me shku në zgjedhje. Për fat të mirë ka stabilitet në Kosovë. Besoj se Kosova është e qëndrueshme, nëse populli më jep besimin vazhdoj punën, nëse jo, i uroj sukses kushdo që merr besimin”, tha Haradinaj.


11:00 – Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përfunduar intervistimin në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë. 

Krasniqi tha se me paraqitjen e tij në Hagë ka kryer një obligim ligjor.

Krasniqi nuk ka dashur të zgjatet më shumë para gazetarëve, duke thënë shkurt se respektoi fetsën që i është bërë.

“Ne e krym një obligim që e kemi pasur ligjor, besoj që e krym detyrën dhe obligimet që i kemi konfom ligjeve që janë në fuqi”, deklaroi shkurt ai.

Ndryshe, jashtë ambienteve të Gjykatës po e priste bashkëpartiaku i tij, Bilall Sherifi, me të cilin edhe janë larguar.


10:00 – Кa filluar intervistimi i Haradinajt dhe Krasniqit 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hyrë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale për Krime Lufte në Kosovë, ku do të intervistohet.

Haradinaj udhëtoi drejt Hagës, ku edhe vepron Prokuroria, të martën, katër ditë pasi dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, për shkak të, siç tha, ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit, njofton REL.

Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që i trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.

Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së dhe kjo është hera e dytë që ai jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit për t’u përballur me drejtësinë në Hagë.

Hera e parë ka ndodhur në vitin 2005, kur është akuzuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat që lidhen me luftën: në vitin 2008 dhe pastaj në rigjykim të pjesshëm, më 2012.

Duke shpallur vendimin për dorëheqje të pakthyeshme më 19 korrik, ai tha se “nuk do që të shkojë në Hagë si udhëheqës qeverie, por si qytetar i Kosovës”.

Prokuroria Speciale, nga janari i këtij viti, ka intervistuar dhjetëra ish-luftëtarë, por Haradinaj paraqet zyrtarin më të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të institucioneve të Kosovës që do të merret në pyetje nga hetuesit.

Ramush Haradinaj dhe Jakup Krasniqi
Ramush Haradinaj dhe Jakup Krasniqi. Foto: REL

Filloi intervistimi i Jakup Krasniqit

Ngjashëm është edhe rasti i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së.

Krasniqi ka hyrë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale, ku do të intervistohet.

Ftesa për intervistim këto ditë morën edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-anëtari i këtij shtabi, Sokol Bashota, ish-shefi i një zone operative, Shukri Buja, e të tjerë.

Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015, ndërsa Gjykata u bë plotësisht funksionale në korrik të 2017-ës.

Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por statutet e saj u lejojnë prokurorëve që t’i zhvendosin procedurat jashtë vendit.

Vendimi për themelimin e saj pasoi publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin u tha se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës së viteve 1998/99.

Formimi i Gjykatës nxiti pakënaqësi dhe çoi në protesta të veteranëve të UÇK-së. Në fund të vitit 2017, pas një peticioni me mbi 15 mijë nënshkrime, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndërmori një nismë për shfuqizimin e Gjykatës, por ajo dështoi pas disa javësh presion politik nga bashkësia ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button