Ngritja dhe rënia e Katica Janevës

Në faqen zyrtare të Prokurorisë Speciale Publike, në sekcionin Kush jemi ne?, shkruan : ” Prokuroria publike për ndjekjen e veprave penale të cilat kanë të bëjnë dhe rezultojnë nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve, që njihet edhe si Prokuroria Speciale Publike, u themelua më 15 shtator të vitit 2015 me Ligjin për Prokurorinë speciale publike i cili u miratua në Kuvendin e RM-së. Të njëjtën ditë Kuvendi zgjodhi Katica Janeva për Prokuror publik që do të udhëheqë me këtë prokurori.”

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev të gjitha përgjimet që i kishte në dispozicion ia dorëzoi kësaj Prokurorie duke e faktorizuar tejmase kryeprokuroren Katica Janeva si një gardian i fuqishëm i drejtësisë që Maqedoninë do ta kthej nga një epokë e errët e regjimit të Gruevskit në një eliksir drite. Edhe opinioni publik ishte i mbushur me shpresë. Nisën që të hapen lëndë të ndryshme që kishin të bëjnë me përgjimet, ish kryeministri Nikolla Gruevski detyrohej që të paraqitej në gjykatë dhe para prokurorisë. Njeriu më i fuqishëm në shtet pas Nikolla Gruevskit, Sasho Mijalkovit u përballë me Katica Janevën e cila në opinionin publik u shfaq dhe u paraqit si shpresa e vetme për kthimin e këtij vendi në binaret e duhura.

Opozita tashmë maqedonase, VMRO-DPMNE, akuzonte Katica Janevën dhe Prokurorinë Speciale Publike se po punon për interesa të ngushta të LSDM-së dhe liderit të saj Zoran Zaev. Por edhe përskaj akuzave të këtilla, lidhja e Zoran Zaevit me Prokurorinë Speciale Publike së paku në publik nuk shkëputej në kuptimin pozitiv të fjalës.

Pas daljes në opinion të bombave të El Cheka, opinioni dyshoi se Zoran Zaev është duke ia dhënë ato bomba për të diskredituar BDI-në.

Por ai në një konferencë për shtyp të mbajtur me 06.06.2019 pat deklaruar:” Të gjitha bombat njëqind për qind janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale Publike”( Portali Denesen, 06.06.2019).

Por gjërat ndryshuan dukshëm, ish kryeministri Nikolla Gruevski shumë lehtas përfundoi si azilant në Hungari në vend që të përfundonte prapa grilave, Sasho Mijalkov dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Gruevskit që duhej të përfundonin në burg ose u dënuan me dënime qesharake ose ende janë në liri.

Përveç kësaj edhe fati i Prokurorisë Speciale Publike filloi që të ndryshoje. Në të njëjtën kohë me këto ngjarje edhe shpërngulja e banorëve të Maqedonisë së Veriut për në vendet e Bashkimit Evropian, e sidomos në Gjermani mori jehonë të madhe.

Në një artikull të Dojçe Vele të cituar nga portali Portalb thuhet:” Gjatë pesë viteve të fundit, nga Maqedonia, vizë për punë në Gjermani kanë marrë më shumë se 8,000 njerëz. Numri i vizave të lëshuara për punë në vitin 2013 ishte vetëm 556, ndërsa në vitin 2017 është rritur në 4,415. Në niveli të rajonit, në tre vitet e fundit në Gjermani kanë migruar rreth 80 mijë njerëz, të cilët kanë ia kanë dalë të sigurojnë vend pune. ( Portalb, 30.12.2018)

Zoran Zaev, tashmë në pozitën e kryeministrit filloi që të flas haptas për ndryshimin e Ligjit të Prokurorisë Speciale Publike si dhe fatin e Katica Janevës.

Kryeministri është i bindur se në Parlament do të sigurohen dy të tretat e shumicës e nevojshme për t`u miratuar një ligj i tillë. Zaevi i numëroi edhe votat e VMRO-DPMNE-së, pasi që sipas tij është larguar edhe pengesa kryesore për marrëveshje-Janeva, si dhe janë sjell në ligj edhe një pjesë e madhe e vërejtjeve nga opozita. ( Sitel, 19.07.2019)

Me 15 korrik të vitit 2019, Katica Janeva dha dorëheqje nga pozita e saj si kryeprokurore në Prokurorinë Speciale Publike me arsyetimin se nuk dëshiron që ajo të jetë pjesë e kalkulimeve politike në vend.

Deri në këtë pikë me Katica Janevën jemi në rregull ne dhe opinioni publik. Ajo që i ndryshon rrjedhat është rasti i fundit “Reket” i “Boki 13” ku edhe kryeprokurorja Katica Janeva është përfolur shumë se është e përfshirë duke zhvatur 1.5 milion euro nga biznesmen të caktuar. Policia ia ka konfiskuar dy telefona celular, Katica Janevës, por deri në këtë moment nuk ka gjetur dëshmi të mjaftueshme që e lidhin me rastin në fjalë. Por gjyqi publik i linçimit, opinionit publik dhe politik tashmë iu është bërë. Katica Janeva është para sulmeve zhgënjyese prej të gjitha anëve duke mos u zgjedhur asnjë mjet për ta sulmuar atë.

Pas një heshtje pas rastit “Haraçi” ose ‘Reket’, sot para opinionit publik u paraqit në një pres konferencë edhe Katica Janeva: “Me shumë përgjegjësi them se nuk jam e përfshirë në rastin “Haraçi”, me apo pa vetëdije. Ju bëj thirrje institucioneve që të hetojnë rastin. Po, e njoh Bojan Jovanovskin (Boki 13) dhe po, djali im punon në televizionin e tij. Kërkoj, që në mënyrë transparente t’i thuhet ndal të gjithë spekulimeve. Deri tani më kanë ardhur shumë informacione, jo vetëm për Jovanovskin por edhe për persona tjerë, që kanë keqpërdorë emrin tim”, ka folur Janeva për rastin “Haraçi”. (Telegrafi, 23.07.2019)

Përndryshe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i ka dal në mbrojtje Katica Janevës duke thënë se në këtë rast ku po përflitet emri i saj, Janeva mund që të jetë viktimë.

Për ato që kanë harruar, shkurtimisht kjo është Katica Janeva:

“ Janeva ka lindur në 09.02.1965. Ka studiuar drejtësi në fakultetin Shën “Kirili dhe Metodi”-Shkup në vitet 1983-1989, ndërsa provimin e gjyqësorit e dha më 1996.

Duke qenë nga qyteti jugor i Gjevgjelisë, ajo ka pas funksione të larta në gjyqin e këtij qyteti, deri në ditët tona.

Ka punuar në projekte të jashtme për shumë probleme ndërkombëtare, si kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Sicili në vitin 2008. Gjithashtu ka punuar edhe në disa vendime gjyqësore në Serbi.

Në vitin 2013 ajo studioj pak kohë në SHBA për ligjet penale. “ (Bota Sot, 15.09.2015)

Erdhi në Maqedoni si shpresë se do të luftoj për drejtësi, po përfundon shkëlqimi i saj duke u përmendur emri i saj si një zhvatëse e 1.5 milion eurove, duke përdorur bombat politike si shantazh.

Shkruan: Hamdi Nuhiju

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button