Një letër bashkëshortit tim tradhtar

Kanë kaluar 12 javë që kur pashë sms-të e tmerrshme që konfirmuan dyshimet e mia se po më tradhtoje. Për dy vite me radhë kam pyetur veten nëse më doje, sepse ndihesha e padashur – aq shumë saqë pyesja veten nëse kishe një lidhje tjetër. Ndjeja që më shmangeshe. Më sigurove që më doje dhe nuk kishe asnjë lidhje tjetër, gjë që më bëri të ndihesha e lumtur për ca kohë.

Vazhdoja të ndjeja që diçka nuk shkonte dhe për shkak se ti më siguroje të kundërtën, fillova të vija në dyshim shëndetin tim mendor. U sëmura, kisha kriza paniku dhe ankth. Fëmijët tanë pyesin pse qëndroje aq shumë jashtë dhe pse nuk kaloje shumë kohë me ne në familje. Ti vazhdove të tregoheshe egoist.

Kur u përballa me ty për mesazhet që kisha parë në atë ditë të tmerrshme, ti më the i bindur se kishte qenë vetëm një natë. Edhe pse afrimiteti në ato mesazhe nuk tingëllonte si ‘one-night stand’, ti sërish më sigurove. Më rezervove një takim në një terapist çiftesh dhe unë rashë dakord. 5 minuta para se të hynim në takim më dhe lajmin shkatërrues se ti vërtet kishe pasur një marrëdhënie jashtëmartesore, për 18 muaj.

M’u shemb bota. Isha krejtësisht e tronditur. Ti ishe bota ime, miku im, dashuria ime e vetme dhe më tradhtove e lëndove në një mënyrë që nuk e kisha imagjinuar kurrë. Pas një jave, e mprehe sërish thikën dhe pranove se marrëdhënia vazhdonte prej dy vitesh. Kishe shpenzuar edhe nga paratë e familjes për atë grua dhe për t’u larguar me të gjatë fundjavave. Pranove gjithashtu se kishe blerë shumë shishe verë para çdo takimi për të të ndihmuar të bëje “seks të dehur”.

I ke blerë lule, një libër kujtimesh me foto tuajat së bashku dhe një varëse për ditëlindjen e saj. Ke shkuar me të nëpër koncerte të ndryshme, përfshirë edhe koncertin e Shën Valentinit. E kaluat natën në hotel një ditë pas Shën Valentinit dhe disa ditë para ditëlindjes së saj. Gjatë gjithë kohës më gënjeje me kë ishe apo çfarë bëje. Të besova!

Atë e ke kolege pune dhe e sheh përditë, edhe pse thua që i ke shkëputur kontaktet më të. Nuk e di nëse mund të të besoj më pas kaq shumë gënjeshtrash gjithë këto kohë. Fatkeqësisht, nuk e di nëse vazhdon me të, pasi mund të bësh ç`të duash duke qenë se nuk je më me mua. Ma hodhe bukur!

Vazhdon të më trajtosh me përçmim. Nuk tregon asnjë keqardhje apo pendesë për çfarë ke bërë dhe as nuk interesohesh për mua apo mirëqenien time. Sillesh sikur s`ka ndodhur asgjë.

Më the që kishe shumë kohë që s`më doje më, gjë e cila më ka mërzitur sepse nuk ke shfaqur kurrë asnjë problem në marrëdhënien tonë, të cilin mund ta kishim rregulluar. Kemi qenë bashkë prej 28 vitesh dhe janë shumë kujtime për t’u hedhur në plehra.

E gjitha kjo dhemb shumë. Jam e shkatërruar që vendose fundin e marrdhënies tonë në një mënyrë kaq të tmerrshme dhe e bëre pjesë të martesës tonë atë grua të keqe dhe pa ndjenja.

Thua që të vjen keq, por janë fjalë boshe krahasuar me dhimbjen e pafundme që më ke shkaktuar mua dhe fëmijëve tanë. Humba bashkëshortin dhe mikun tim më të mirë dhe nuk e di nëse do të më shërohet ndonjëherë kjo dhimbje zemre që më shkaktove.

Gruaja jote zemërthyer.

Kjo letër është dërguar në redaksinë e The Guardian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button