BIBLIOTEKA E HARRUAR

Del te Biblioteka nacionale dhe universitare e Shkupit. Para saj qëndrojnë dy përmendore të mëdha të luftëtarëve në kuaj nga projekti i diskutueshëm “Shkupi 14”. Mirë. Përmendore ndoshta ka edhe para bibliotekave të tjera, ndonëse njerëzit mendojnë se dy përmendore me përmasa të tilla i kapërcejnë kufijtë e estetikës që do të thotë bien në llucën e kiçit. Por pikërisht këto përmendore janë gjërat që kanë shanse t’i përballojnë kohës, ndonëse ka mundësi që t’i përshtaten ambientit i cili nuk i shkon një biblioteke. Të humben në baroja e ferra, të cilat nuk kositen me rregull, kurse nëpër bar ka mbeturina: shishe plastike, letra e gjera të tjera. Ngjitur me bibliotekën e parë është shtuar edhe një ndërtesë që nuk  përputhet me projektin arkitektural të ndërtesës së vjetër, e cila, dorën në zemër është e bukur, për dallim nga kjo e reja e ngjitur që është shëmti, e që si e tillë nuk inkuadrohet në harmoninë që do të ishte dashur ta ketë biblioteka si objekt i rëndësishëm i kulturës së një vendi. Nuk është vetëm kjo. Kah hyrja kryesore e në parkun që dikur i takonte bibliotekës është ndërtuar një garazh me kate, e cila e mbyll pamjen e bukur të bibliotekës në drejtim të Akademisë së shkencave e arteve. Edhe ky garazh është jashtë shijes së arkitekturës që i bie në sy çdo njeriu të thjeshtë. Dhe, ky garazh nuk është në funksion, ndonëse ka vite që është ndërtuar. Ka mbetur sa për të dëshmuar për një kohë të mujshisë së vëllazërisë së ndërtimtarëve të mbështetur nga politika.

Shtojca e bibliotekës është edhe më keq. Ajo as eksterierin eksterierin s’e ka për të qenë e interierin hiç se hiç. Zyrat janë të papërshtatshme, mobilimi i varfër, kurse ashensori nuk është i sigurt. Ka vite që në derë të ashensorit shkruan se nuk punon, mirëpo për shumë shkaqe të punësuarit janë të detyruar ta përdorin.

Ndërtesa e vjetër e ka eksterierin e bukur, mirëpo me vite e vite ajo ndërtesë nuk është lyer dhe nuk ka pasur ndërhyrje për sanimin e dëmeve që i ka bërë dhëmbi i kohës. Dyert janë shumë të vjetra, ngase me vite aty kanë hyrë e kanë dalë me mijëra e mijëra vizitorë. Kuptohet nga përdorimi i tyre me vite janë amortizuar dhe duhet të ndërrohen urgjentisht.  Duhet të ndërrohen shpejt edhe dritaret. Të gjitha dritaret. Pastaj enterieri kërkon një lyerje të tërë të të gjitha sallave të leximit, të depove të librave, të të gjitha zyrave, meremetimin e ballkoneve dhe rregullimin e bashkëkohor të tualeteve. Tepisonat nëpër zyra i kanë mbi dyzet e sa vjet. Merreni me mend rreth gjysmë shekulli janë shkelur nga qindra mijëra herë e sot  ata “prodhojnë” vetëm pluhur me fije të padukshme plastike, të cilën e thithin të punësuarit.

Kur bie shi nëpër korridore shihen kova që vendosen për shkak se tavani rrjedh.

Në këso kushtesh janë hapur mundësi për bubrrecat e kanalizimit që vlojnë brenda, si në disa klinika të Spitalit shtetëror.

Kështu është krejt e natyrshme pyetja: çfarë mund të ndodhë me shëndetin e njerëzve që punojnë brenda dhe që kujdesen për një begati të madhe kulturore. Pra, rregullimi i patosëve dhe moblimi normal i bibliotekës është i domosdoshëm, siç është i domosdoshëm edhe ekipimi i kuadrit, i cili do të fillojë një bashkëpunim normal me vendet fqinje, i cili mungon. Nuk vijnë libra e revista nga Shqipëria, nga Kosova, nga Bullgaria e nga Greqia. Mendoj se kjo mund të zgjidhet me këmbim librash e revistash. Natyrisht përveç nismës së bibliotekës, duhet edhe angazhimi i qeverisë.

Edhe ndonjë fjalë për kuadrin. Ka vite që kuadri i bibliotekës po shkon në pension e fare pak po zëvendësohet, gjë që e vështirëson përpunimin profesional të librit dhe materialit tjetër bibliotekar. Edhe më keq qëndron puna me kuadrin teknik dhe higjienik. Shtypshkronja e dikurshme nuk është, e kanë hequr. Njësia për libërlidhje ka mbetur vetëm me dy veta, prej të cilëve njëri tash pensionohet, kurse tjetrit i mbetet tërë barra për mirëmbajtjen e librit. Fatkeqësisht nuk e marrin ndonjë punëtor të ri që ta mësojë zejen e libërlidhjes prej mjeshtrit të tashëm, prej këtij mjeshtri që s’e ka shokun për profesionin e vet të rrallë.

E tërë biblioteka me kutadi sa metra katrore, me plot korridore, foaje, salla e shumë zyre ka nja tri a katër punëtore higjienike. Mungojnë edhe mjeshtër për mirëmbajtjen e dyerve, dritareve, ujësjellësit,  elektrikës dhe të freskimit.

Mungojnë edhe shumë gjera të tjera. Kjo do të thotë shumë punë për drejtorin e ri, shumë punë për ministrin e ri të kulturës, shumë punë për qeverinë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button