Erdogan: Për Qipron nuk hezitojmë të ndërmarrim hapin e 45 vite më parë
Në përkujtimin e 45 vjetorit të ndërhyrjes së Turqisë në Qipro, presidenti Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se vendi i tij nuk do të hezitojë, nëse duhet, të ndërmarrë sërish të njëjtin hap si ai i vitit 1974.
Deklarata e presidentit turk bëhet në një kohë tensioni midis Turqisë nga njëra anë dhe Greqisë së mbështetur nga Bashkimi Evropian nga ana tjetër, për rezervat e naftës pranë Qipros, transmeton TopChannel.
“Ata që mendojnë se ishulli dhe pasuritë e rajonit i përkasin vetëm atyre, ashtu sikurse sot edhe në të ardhmen do të gjejnë përballë vendosmërinë e Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros Veriore”, thekson Erdogan.
Sipas tij, për sigurimin e zgjidhjes së drejtë dhe të përhershme në ishull, Turqia do të përdorë të gjitha mundësitë, jo për tensionimin, por për vazhdimin e paqes në Mesdheun Lindor.