U shpalos agjenda e Verës Kulturore Gostivari 2019 

Bashkëpunëtorja për kulturë në Komunën e Gostivarit, Imërlije Saliu në një konferencë për shtyp shpalosi sot agjendën e aktiviteteve në kuadër të Verës Kulturore – Gostivari 2019 që edhe sivjet mban moton “Mirë se Vini Mërgimtarë”, sepse përkon me qëndrimin e mërgimtarëve tanë në vendlindje.

“Në agjendë janë përfshirë projekte të  larmishme kulturore që kanë mbështetje financiare dhe logjistike nga ana e Komunës. E rëndësishme është të theksohet se në këto aktivitete janë përfshirë të gjitha etnicitetet që jetojnë në Komunën tonë pa përjashtim, dhe të gjitha përkatësitë fetare. Risi  këtë vit është The Park Festival, projekt ky i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës,  nga Komuna e Gostivarit si dhe me mjete vetanake të Shoqatës Inbox Entertaiment, të cilën publiku do të mund ta shijojë në dy fundjavët e ardhshme, edhe atë: 26, 27, 28 Korrik dhe 2, 3, 4 Gusht” theksoi Saliu.

Ajo njoftoi se një aktivitet tjetër është “Fly Hike and Bike”, projekt ky  i mbështetur nga USAID, ku qytetarët në mënyrë vullnetare do të bashkëngjiten në paraglaiding, ciklizëm dhe ecje në natyrë.

“Në kuadër të Verës Kulturore, 4 nga projektet janë të mbështetura financiarisht dhe të organizuara nga vetë Komuna, edhe atë: New Stars Are Coming” – projekt multietnik  që ka për qëllim promovimin e artistëve të rinj të qytetit tonë, pastaj Koncerti me Ilahi. Do të kemi edhe Stand up Comedy me Hasim Memishi Sopi, si dhe manifestimin kushtuar  Ditës së Ilindenit”, theksoi në vazhdim Imërlije Saliu.

Ajo sqaroi se në kuadër të aktiviteteve është edhe projekti nga shoqata Bashkërisht Mundemi i titulluar “Sporti na bashkon” ku pjesëmarrës do të jenë njerëzit me aftësi të veçanta. Si dhe konferenca shkencore me temë ”Etnokultura e trevave të Gostivarit”

“Siç shihet, hapësirë për bashkëpunim kanë pasur të gjithë shoqatat dhe qytetarët që kanë pasur dëshirë dhe vullnet për bashkëpunim”, nënvizoi Saliu.

Ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e kësaj agjende, ndërsa mërgimtarëve u dëshiroi qëndrim të këndshëm në vendlindje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button