ANALIZË: Punësime sipas çelësit “etnik” në administratën shtetërore – sa respektohet përfaqësimi i drejtë?

Nga gjithsej 2,442 funksionarë në vend, të zgjedhur ose të emëruar, 70.7% janë maqedonas etnikë, 23.2% janë shqiptarë etnikë, 1.2% janë turq, 1.5% janë serbë, 1.3% janë vllahë, ndërsa bashkësitë dhe kombësitë e tjera janë të përfaqësuara nën një përqind. Ky është vetëm një segment i shënuar në Raportin e ri për monitorimin e parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë për vitin 2018, të përgatitur nga Avokati i Popullit. Si  problematike dhe të papërfaqësuara sa duhet përmenden punësimet e personave nga bashkësitë më të vogla etnike, veçanërisht në agjencitë shtetërore, institucionet, ndërmarrjet publike. Dokumenti tashmë u është dërguar deputetëve në Kuvend, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Përfaqësim i drejtë në qeveri dhe ministri…

Nga viti 2007 deri në fund të vitit 2018, apo gjatë një periudhe prej 11 vjetësh, numri i të punësuarve sipas “çelësit etnik” është rritur dukshëm. Me raportin e ri përfundimtar të Avokatit të Popullit që e analizon strukturën e të punësuarve në sektorin shtetëror sipas përfaqësimit të drejtë, janë përfshirë 1.374 institucione me gjithsej 138,326 punonjës.

Të dhënat tregojnë se pothuajse të gjitha organet kanë punonjës nga bashkësi të ndryshme etnike, dhe kështu në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, nga gjithsej 1.552 punonjës, 1.2% janë maqedonas, 86% shqiptarë, 7% turq, 4.4% romë , e poashtu janë të përfaqësuara edhe bashkësitë e tjera etnike. Në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë, nga gjithsej 251 të punësuar, 70.5% janë maqedonas etnikë, 8% janë shqiptarë, nga 7.6% janë turq dhe romë, e po ashtu është respektuar parimi i përfaqësimit të drejt të bashkësive të tjera. Në pjesën e punësimeve në qeveri, Avokati i Popullit i përmend sërish ata të punësuar sipas Marrëveshjes Kornizë, të cilët janë rinë në shtëpi dhe marrin rrogë me vite.

“Duke e analizuar numrin e përgjithshëm të të dhënave të marra për vitin 2018 nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të konstatohet gjendja e mëposhtme e përfaqësimit të bashkësive etnike: Maqedonas – 27.1%, shqiptarë – 60.7%, turq – 5.7%, romë – 4.0%, serbë – 0.8%, vllahë – 0.6%, boshnjakë – 1.1% dhe të tjerë 0.1%. Ndryshe nga viti i kaluar, vërehet se raporti në përqindje është i ngjashëm për të gjitha komunitetet, duke vënë në dukje se kjo gjendja e paraqitur në këtë mënyrë është pasqyrim i punësimeve në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, gjegjësisht e personave që ende nuk janë shpërndarë në institucione të tjera. Avokati i Popullit e shfrytëzon rastin të theksojë se është e nevojshme të përshpejtohet procesi i shpërndarjes së personave të mbetur që janë të punësuar në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, e që ende nuk janë shpërndarë me aktvendime përkatëse në vende konkrete të punës” – thuhet në raport.

Në 15 ministritë e analizuara, vitin e kaluar kishte 24.146 punonjës, dhe edhe pse numri i Punësimeve është në rritje, Avokati i Popullit konkludon se përfaqësimi i bashkësive më të vogla etnike nuk është në nivel të kënaqshëm.

“Duke i analizuar të dhënat e marra për vitin 2018 nga ministritë mund të konstatohet gjendja e mëposhtme e përfaqësimit të bashkësive etnike: Maqedonas – 74.8%, shqiptarë – 19.7 %, turq – 1.6%, romë – 0.8 %, serbë – 1.6 %, vllahë – 0.5%, boshnjakë – 0.6 % dhe të tjerë 0.5 %. Edhe këtë vit, sikurse edhe vitet e kaluara, kemi konsatuar se tendenca e përfaqësimit të bashkësive më të vogla etnike ende është në nivel jo të kënaqshëm, veçanërisht në pozitat udhëheqëse” – theksojnë nga zyra e Avokatit të Popullit.

Nga 15 ministritë, në tetë prej tyre numri i të punësuarve shqiptarë është më i lartë se 21%, ndërsa në shtatë prej tyre numri i tyre është nën këtë përqindje, e ato janë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Financave. Përfaqësim me më shumë se 40% të shqiptarëve etnikë ka në Ministrinë e Ekonomisë me 43.8%, në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale me 55.6% dhe në Ministrinë e Drejtësisë me 41.4%.

Bashkësitë më të vogla etnike me përfaqësim të pamjaftueshëme…

Në vitin 2018 është rritur numri i të punësuarve në organet e pavarura shtetërore, gjegjësisht në agjencitë, drejtoritë, komisionet, ente dhe institucionet e veçanta publike, por vetëm në një pjesë të vogël është konstatuar përparim në zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, e posaçërisht vërehet mungesë e punësimeve nga bashkësitë më të vogla etnike.

“Në një numër të madh organesh, përveç nga bashkësitë etnike maqedonase dhe shqiptare, nuk ka persona të punësuar nga bashkësitë e tjera, dhe për këtë arsye këtë vit përsëri rekomandohet që institucionet të marrin masa për zbatimin konsekuent të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, veçanërisht sa i përket përfaqësimit të pjesëtarëve të bashkësive më të vogla në përgjithësi dhe në pozitat udhëheqëse” – thuhet në raport.

Në shifra, vitin e kaluar në organet e pavarura shtetërore dhe në institucionet e veçanta publike dhe personat e tjerë juridikë, përfaqësimi i bashkësive etnike është me sa vijon: Maqedonas – 79.5 %, shqiptarë – 14.9 %, turq – 1.6 %, romë – 0.8 %, serbë – 1.4 %, vllahë – 0.9%, boshnjakë – 0.3% dhe të tjerë 0.6%.

Avokati i Popullit në vitin 2018 konkludoi se zbatimi i parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në ndërmarrjet publike është në nivel shumë të ulët, veçanërisht për pjesëtarët e bashkësive më të vogla etnike.

“Zbatimi i parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në ndërmarrjet publike sikurse edhe gjatë viteve të kaluara, ashtu edhe në vitin 2018 është në një nivel shumë të ulët, sidomos për pjesëtarët e bashkësive më të vogla etnike. Prandaj, Avokati i Popullit përsëri rekomandon se ka nevojë për seriozitet në zbatimin e këtij parimi, me ç’rast bën edhe kritikë publike ndaj institucioneve për numrin e pamjaftueshëm të personave të punësuar që u përkasin bashkësive, veçanërisht në pozitat udhëheqëse. Potencojmë se ka rritje në numrin e përgjithshëm të të punësuarve nga viti i kaluar në ndërmarrjet publike për 236 persona” – thekson Avokati i Popullit dhe i vë në dukje dobësitë në zbatimin e përfaqësimit të drejtë të bashkësive joshumicë në fondet publike, veçanërisht në dy fondet më të mëdha – Fondi për Sigurim Shëndetësore dhe Fondi për Sigurim Pensional.

Në katë fondet shtetërore maqedonasit janë të përfaqësuar me 72.0 %, shqiptarët – 23.6 %, turqit – 0.6 %, romët – 0.3 %, serbët – 1.4%, vllahët – 1.5%, boshnjakët – 0.1% dhe të tjerët 0.4%. Avokati i Popullit konstaton se gjatë përgatitjes së kësaj analize jo të gjitha institucionet dhe ministritë kanë pranuar të japin të dhëna dhe me këtë rast bën kritikë, ku përmenden: Ministria e Punëve të Jashtme, Agjencia për Kadastrin e Patundshmërive, Byroja për Metrologji, Byroja për Zhvillim Rajonal, Inspektorati Shtetëror i Devizave, Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm, Drejtoria për Shëndetësi Elektronike, NPK ”Ujësjellësi” Manastri, NPK “Zelenikovë”, NPK “Ujësjellësi” Ohër, shumë shkolla fillore dhe universitete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button