Korrupsioni dhe rënia e Romës

Një miku im dashamir i librave të bukur e kuptimplotë ma dhuroi një libër mjaft domethënës me titull: “Korrupsioni dhe rënia e Romës” nga autori Ramsay MacMullen, profesor i njohur i historisë në Yale. Autori i librit argumenton që faktori kyç për rënien e Romës në shekullin V të erës sonë ishte pikërisht korrupsioni dhe humbja e kontrollit dhe transparencës mbi ushtrimin e pushtetit. MacMullen pohon që shkaku i të gjitha dështimeve ushtarake dhe administrative të Romës ishte pikërisht korrupsioni i cili lulëzoi vrullshëm në vitet e fundit të perandorisë më të fuqishme që kishte njohur Evropa deri në atë kohë. Si një parazit që e han bimën nga brenda, si një sëmundje kancerogjene akute që kur del në shesh atëherë është tepër vonë, ashtu edhe korrupsioni e degradon dhe e grin nga brenda shoqërinë ndërsa përfundimi është gjithmonë fatal. Është e frikshme të mendosh sa shekuj i janë dashur Perandorisë Romake të krijohet dhe të zhvillohet e të arrijë kulmin e fuqisë së saj, e sa shpejt është shembur atëherë kur korrupsioni ka arritur hovin më të madh. Ky libër nuk ka vlerë të izoluar që na bën ta kuptojmë vetëm shkëlqimin dhe rënien e Romës, por i njëjti është bazë për t’a kuptuar çdo shoqëri, shtet apo institucion i cili herët a vonë fillon të vuajë nga sëmundja e korrupsionit.

Nuk ka si të mos krahasohet çështja kryesore e këtij libri me çështjen kryesore me të cilën ballafaqohet Maqedonia e Veriut gjatë këtyre ditëve. Në qoftë se korrupsioni ka qenë arsyeja pse shtetet dhe perandoritë e mëdha janë shkatërruar, kjo dukuri është aq më shumë faktor që ndikon në atë se pse shtetet e vogla me demokraci jofunksionale nuk arrijnë të bëjnë një hap përpara. Edhe kur e bëjnë atë hap përpara, ata kthehen tri hapa pas, dhe kështu vazhdojnë deri ne pafundësi. Ja shikoni vetëm shkëlqimin dhe rënien e Prokurorisë Speciale. Me çfarë vështirësish u krijua ai institucion, pas përpjekjeve disamujore, me shtytje e me përkrahje aq të madhe nga partnerët tanë strategjikë. Me çfarë sakrificash filloi puna e saj, me sa rezistencë e sabotim. Sa shumë investuan në këtë institucion njerëzit që besuan se drejtësia është e mundur në këtë vend, çfarë pune vetëmohuese bënë të gjithë ata prokurorë e hetues e nëpunës të tjerë të kësaj prokurorie. Me çfarë rrengje të mëdha e të vogla u përball kjo prokurori në gjykatë, kur gjyqtarët interpretonin ndryshe edhe presjet në titullin e Ligjit për këtë prokurori ndërsa lëshonin në liri dhe i hiqnin nga paraburgimi të arratisurit nga drejtësia. Katër vite punë u shpërndanë si pluhuri në ajër ditën kur doli lajmi që kryeprokurorja speciale ndoshta është involvuar në shantazhin që i është bërë njërit nga të akuzuarit nga kjo prokurori e nga i cili shantazh persona të caktuar kanë përfituar shuma të mëdha. Dhe esenca e gjithë kësaj është akuza ende joformale për korrupsion që i drejtohet kryeprokurores speciale. Është vërtet ashtu siç thotë MacMullen, nuk ka asgjë që e bën një institucion të degradojë e të shpërbëhet më shpejt se sa korrupsioni.

Ajo që nuk është në rregull është kjo situatë e nderë në ajër, as në qiell as në tokë. Prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion thotë që shantazhuesit kanë tregtuar me ndikimin që gjoja e kanë pasur mbi prokuroren speciale. Në një rast ajo potencoi se në bisedën telefonike të realizuar me të shantazhuarin në interfon ka qenë e kyçur edhe prokurorja speciale, por përtej kësaj nuk thuhet asgjë tjetër e as që merret ndonjë masë konkrete. Emri i prokurores speciale përsëritet në mediume së bashku me emrat e shantazhuesve, por ajo oficialisht nuk është as nën hetime e as nën masa të posaçme hetuese.

Një situatë e tillë aspak nuk i bën nder drejtësisë e cila në këto raste duhet të jetë e shpejtë, e qartë dhe efikase. Njerëzit kanë të drejtë ta dinë a është e involvuar prokurorja speciale në këtë rast ose jo e jo të merren me spekulime të ndryshme gazetareske. Vonesat e këtilla në sjelljen e drejtësisë i hapin rrugë vetëm arbitraritetit dhe e ulin edhe më tej besimin tek institucionet të cilat gjithmonë duhet të veprojnë sipas ligjit: nëse kanë dëshmi, të ndjekin e të dënojnë e jo t’i mbrojnë njerëzit kur nuk kanë të drejtë t’i mbrojnë, e nëse nuk kanë të mos përhapin dezinformata dhe spekulime e as të shpejtojnë me deklarata ku e vërteta mbetet gjithmonë gjysmë e zbuluar.

Korrupsioni të dashur miq ka shembur perandori e shtete të mëdha, e nuk po e shembka një institucion delikat e të brishtë si Prokuroria Speciale në një shtet të vogël e disfunksional si Maqedonia e Veriut që nuk arrin ta marrë veten nga fakti se secili sheh si të marrë diçka që nuk i takon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button