Sisitas dhe Danilidis “Ellinika Hoaxes”: Lajmet e rremë janë “bombë” në themelet e demokracisë

Teodoros Danilidis është themelues, ndërsa Tanos Sitistas redaktor i “Ellinika Hoaxes”, ueb-faqja më e njohur greke e cila merret me zbulimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Ky servis funksionon tashmë gjashtë vite, nga viti 2013. Në intervistë për “Meta” ata sqarojnë se grekët, për fat të keq, tepër lehtë mund t’iu besojnë lajmeve të rreme, si dhe se dezinformatat tek fqinjët tanë jugor më së shpeshti vijnë nga qarqet e të djathtës ekstreme. Gjatë kësaj, vendi shpesh herë ka qenë temë e shumë dezinformatave që plasohen në disa media më të vogla apo në rrjetet sociale, transmeton Portalb.mk.

Tash më disa vite punoni në ueb-faqen “Ellinika Hoaxes”, ku rregullisht zbuloni dhe kontrolloni dezinformata dhe lajme të rreme në mediat greke. Nëse kthehemi mbrapa dhe e shohim punën tuaj në vitet e fundit, çka do të kishit konstatuar, kush apo çka është burimi kryesor i dezinformatave në Greqi dhe cila është tema më e shpeshtë e dezinformatave?

Teodoros Danilidis, themelues: “Ellinika Hoaxes” është themeluar në vitin 2013 dhe prej atëherë kemi zbuluar rreth 3.000 lajme të rreme. Ndër ato bëjnë pjesë artikuj në ueb-faqe, artikuj televiziv, tekste në gazeta, deri në MEME të rreme që përhapen në rrjetet sociale. Dezinformatat në Greqi, edhe pse sikur në çdo vend tjetër, janë problem shumë i madh dhe mund të kenë burojnë edhe nga media të mëdha. Kemi konstatuar që shumica e lajmeve të rreme janë në lidhje me ngjarjet aktuale, siç janë imigracioni, pastaj dezinformatat për vendet fqinje duke e përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, dezinformata për deklaratat politike, deklarata të politikanëve e deri tek artikujt më të ndryshëm sensacionalë në mediat të cilat janë nga privatësia e personave të famshëm deri në mjekësi dhe deri në teoritë e konspiracionit (ndonjëherë me propagandë edhe prej politikanëve grek), etj.

Tanos Sitistas, redaktor: Një hulumtim nga viti 2017, të cilin e realizoi Unioni Radiodifuziv Evropian (EBU) në bazë të të dhënave nga sondazhit të 86 i Euro-barometrit, ndërsa i ka përfshirë vendet-anëtare të BE-së si dhe vendet-kandidate dhe vendet që janë në proces të negociatave, ka dhënë pasqyrë të perceptimit të evropianëve për autenticitetin e disa llojeve të mediave. Hulumtimi ka treguar që grekët janë të renditur në vendin e parë në mesin e evropianëve në lidhje me besimin e tyre në informatat dhe mesazhet që vijnë nga mediat sociale dhe onlajn platformat. Hulumtimi i Euro-barometrit në vitin 2018 ka treguar që vetëm katër përqind e grekëve tërësisht u besojnë lajmeve që i lexojnë në mediat (onlajn lajmet dhe revistat), ndërsa vetëm tre përqind u besojnë lajmeve që i lexojnë në rrjetet sociale dhe nëpërmjet aplikacioneve për mesazhe. Gjithashtu, madje 55 përqind e grekëve kanë deklaruar që çdo ditë apo pothuaj çdo ditë ballafaqohen me lajme ose informata që gabimisht e paraqesin realitetin ose janë lajme të rreme. Vetëm 12 përqind e grekëve janë absolutisht të sigurt që mund të identifikojnë lajme të rreme. Më tutje, pothuaj 90 përqind e grekëve janë të bindur apo janë pothuaj të bindur se lajmet e rreme paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për demokracinë. Kjo donë të thotë se Greqia është në situatë të rëndë. Edhe pse duket që grekët janë të vetëdijshëm për manipulimet e mundshme me faktet nëpërmjet onlajn-platformave (mediat sociale, mediat, etj), ato prapë se prapë preferojnë lajmet t’i marrin nga këto burime.

Në rangimin e Alexa të 50 ueb-faqeve më të njohura në Greqi, kemi së paku tre ueb-faqe që shpesh plasojnë lajme të rreme dhe janë me retorikë të fuqishme të së djathtës ekstreme dhe pro-ruse. Këto ueb-faqe dhe dhjetëra të tjera kanë qindra mijëra klikime në ditë, që donë të thotë se ndikimi i tyre mbi opinionin grek është impozant. Shumica prej tyre kanë kritikuar fortë Marrëveshjen e Prespës dhe kanë publikuar disa lajme të rreme në lidhje me të.

Organizata Juaj është pjesë e Rrjetit ndërkombëtar për kontroll të fakteve dhe ju jeni edhe një nga partnerët e Fejsbukut për kontrollim të fakteve. A konsideroni se puna juaj ka ndikim për reduktimin e numrit të personave nga të cilët vijnë dezinformatat?

Tanos: Sipas të dhënave tona preliminare nga “Crowdtangle” (vegël e Fejsbukut të cilën e përdorin botuesit për të ndjekur se si ndonjë përmbajtje përhapet nëpër rrjet), duket se pjesëmarrja jonë në programin “3rd Party Fact Checker” (3PFC) ka rezultate të dukshme në reduktimin e interaksionit të shfrytëzuesve me faqe të caktuara që shpesh publikojnë lajme të rreme. Ende jemi në proces të vlerësimit të këtyre të dhënave dhe do të kemi pasqyrë më të detajuar në muajt e ardhshëm. Ajo që mund ta themi me siguri është që pasi ta vlerësojmë, si të rreme, ndonjë deklaratë e cila është përhapur në Fejsbuk, shohim si shpërndarja e të njëjtës bie. Kjo ndodh për shkak që shfrytëzuesit në momentin kur përpiqen të shpërndajnë këtë përmbajtje pranojnë njoftim që ka qenë e kontrolluar nga Pala e tretë për kontrollim të fakteve (3rd Party Fact Checker). Të sqaroj, edhe pse shfrytëzuesit e pranojnë këtë njoftim, ATA NUK E KANË TË ndaluar ta shpërndajnë përmbajtjen nëse kanë dëshirë.

A keni pasur pasoja negative nga puna juaj? A keni pranuar kërcënime apo a keni pasur presion në çfarë do mënyre tjetër për shkak të kontrollimit të fakteve?

Tanos: Kërcënime pranojmë vazhdimisht, e ato lëvizin nga kërcënimi me masa juridike deri në kërcënime për sigurinë tonë personale dhe sigurinë e familjeve tona. Shpesh herë pranojmë mejll me shpifje dhe urrejtje nga anëtarë partiak kur zbulojmë gënjeshtër që ndoshta vjen nga partia të cilën ato e mbështesin. Për arsye që i kontrollojmë deklaratat e të gjitha partive më të mëdha politike në Greqi, vazhdimisht pranojmë kritika negative nga përkrahësit me shkallë të lartë polarizimi, të cilët asnjëherë nuk bazohen në fakte por në insinuata dhe supozime.

Një shembull i freskët dhe ndoshta më interesant ka qenë publikimi i adresave tona të banimit, numrat tatimor dhe numrat e letërnjoftimeve në gazetën “Documento”, që na shqetësoi për shkak se kemi shumë armiq (për shembull, neo-nacistë, mashtrues që i kemi zbuluar gjatë viteve etj.) Fakti që zbulojmë qindra storje të rreme të së djathtës ekstreme gjatë viteve (për shembull për imigrantët), na ka bërë cak të disa qarqeve të së djathtës ekstreme në Greqi. Qartë, publikimi i informatave personale për dikë nuk ka vlerë gazetareske dhe mendojmë se qëllimi i kësaj ishte të na pengojnë në kryerjen e punës tonë.

A ka plan Qeveria greke për luftë kundër dezinformatave? Nëse përgjigja është po, a është ky plan i cili në realitet është zbatuar?

Teodoros: Asnjë qeveri greke nuk është përpjekur të zbatojë çfarëdo mase për kontroll të lajmeve të rreme në Greqi. Shumica prej tyre vetëm e injorojnë problemin. Vitin e kaluar, Servisi publik radiodifuziv i Greqisë (EPT) publikoi që ata do të vendosin mekanizëm nëpërmjet të cilit do ta kontrollojnë përmbajtjen që do ta prodhojnë ato vetë. Deri më sot s’ka asnjë informatë të re për këtë iniciativë.

A jeni të njoftuar me çfarë do aktakuze apo aktgjykim gjyqësor në Greqi për përhapje të gjuhës së urrejtjes apo dezinformatave?

Teodoros: Aktakuza apo aktgjykime gjyqësore në Greqi ka shumë pak. Vendimi i parë në gjyq për përhapje të lajmeve të rreme ka ndodhur në vitin 2016, pasi zbuluam lajmë të pavërtetë për vaksinat. Kjo ngjarje shkaktoi sensacion dhe e tërhoqi vëmendjen e Ministrisë së drejtësisë të Greqisë. Personi i cili e publikoi këtë storje është dënuar me gjobë prej 500 euro dhe gjashtë muaj burg (me kusht).

Marsin e kaluar qeveria greke ka vendosur të miratojë ligj më të butë kundër përhapjes së lajmeve të rreme. Ligji i ri përfshin dënime vetëm për lajme të rreme të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi ekonominë, turizmin, mbrojtjen dhe marrëdhëniet bilaterale dhe për të cilat është e sigurtë të thuhet që u kanë shkaktuar dëm qytetarëve. Përveç lajmeve të tilla, asgjë tjetër nuk guxon të ndiqet penalisht (për shembull, pohimet e rreme për ilaçet e kancerit dhe ato të kundërshtarëve të vaksinimit, të cilat janë shumë të njohura në Greqi, kalojnë pa pasoja).

A janë shoqatat e gazetarëve në Greqi aktive në luftën kundër dezinformatave?

Teodoros: Shoqatat e gazetarëve në Greqi nuk kanë ndërmarrë asnjë masë aktive kundër dezinformatave. Përveç disa bisedave publike rreth lajmeve të rremë, s’kemi vërejtur veprime të tjera për të luftuar këtë problem. Me sa e dimë ne, asnjë gazetar nuk është dënuar nga këto shoqata për përhapjen e lajmeve të rreme në 5 vitet e fundit.  Kemi raste të rënda të vendosjes së lajmeve të rreme nga mediat kryesore në Greqi që u zbuluan. Megjithatë, korrigjimi i deklaratave apo kërkimi ndjesë për dezinformimin janë jashtëzakonisht të rralla.

Sa shpesh përmendet Maqedonia e Veriut në mediat greke?  Si shfaqet?

Tanos: Maqedonia e Veriut është temë e popullarizuar në Greqi për arsye të qarta  Një numër i mediave (duke përfshirë edhe ueb-faqe të njohura) vazhdojnë me emërtimin e Maqedonisë së Veriut  me IRJM dhe “Shkupi”. Megjithëse çështja e emrit është zgjidhur zyrtarisht, ajo ende mbetet e diskutueshme te grekët. Është e qartë se ka një përqindje të vogël të ueb-faqeve (një prej tyre është jashtëzakonisht e popullarizuar në Greqi) që përdorin terma jashtëzakonisht poshtërues kur është fjala për maqedonasit.  Sidoqoftë, në praktikë kjo terminologji pranohet vetëm në qarqe shumë të vogla të ekstremit të djathtë.  Shumica e mejnstrim mediave menjëherë pas Marrëveshjes së Prespës e pranuan emrin Maqedonia e Veriut dhe vërejmë se me kalimin e kohës ky term pranohet gjithnjë e më shumë nga grekët.

A është i zakonshëm publikimi i dezinformatave për Maqedoninë e Veriut nga mediat greke dhe kush e bën atë më së shpeshti?

Teodoros: Dezinformata rreth Maqedonisë së Veriut më së shpeshti nuk vijnë nga mediat kryesore, por nga burime të ekstremit të djathtë, siç janë ueb-faqe dhe bloge jo të besueshme – edhe pse ndonjëherë ato janë shumë të njohura.  Pak para, gjatë dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, kemi vërejtur një fluks jashtëzakonisht të madh lajmesh të rreme për vetë marrëveshjen, si dhe për incidentet që kishin ndodhur gjatë protestave kundër marrëveshjes.

Tanos: Numri më i madh i dezinformatave për Maqedoninë e Veriut, në ditët e sotme, ndërlidhen me pyetjet nëse Maqedonia e Veriut po e zbaton Marrëveshjen e Prespës.  Për shembull, tregimet që pretendojnë se Maqedonia e Veriut ende i përdor simbolet e lashta maqedonase në ndërtesat publike dhe ngjashëm, janë mjaft të shpeshta në Greqi. Shumë grekë, gjithashtu, nuk e kanë kuptuar çka me të vërtetë përfshin Marrëveshja e Prespës, ashtu që shpesh hasim në pohime të gabuara për përmbajtjen e saj. Për shembull, disa media greke dhe një deputet pohonin se Maqedonia e Veriut do të fitonte akses dhe kontroll të pjesshëm të zonës ekonomike, ekskluzive greke, në portin e Selanikut.

Cilat janë pasojat e këtyre dezinformatave?

Teodoros: Është e vështirë për të vlerësuar pasojat e përgjithshme të dezinformatave, por mund të themi se lajmet e rreme mund të shkojnë deri atje sa që t’i vënë njerëzit në rrezik.  Për shembull, lajmet e rreme për vaksinat kanë shkaktuar rënie të vaksinimeve në Evropë, prandaj edhe jemi dëshmitarë se fëmijët po vdesin nga sëmundje të cilat mund të parandalohen me vaksina.

Gjithashtu kemi parë se njerëzit janë targetuar gabimisht dhe jetët e tyre janë rrezikuar nga ajo, që unë do ta quaja “turmë e internetit”, e cila shpejton të hakmerret, pa i shqyrtuar më parë faktet.

Tanos: Populizmi dhe lajmet e rremë zakonisht shkojnë dorë për dore. Greqia është e ndjeshme ndaj të dyjave, kështu që nuk ishte e befasi kur në parlamentin tonë zgjodhëm një parti neo-naziste, ose politikan që retorikën e vet e e bazon në teoritë e konspiracionit dhe lajmet e rreme. Lajmi i rremë janë “bombë” në themelet e demokracisë thjeshtë për shkak së qytetari i informuar gabimisht nuk mund të marrë vendime të duhura për vete dhe për vendin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button