Kosovë, pensionistët fajësojnë pushtetin për ikjen e të rinjve

Dritaret në të dyja anët e sallës jo të madhe ndriçojnë hapësirën ku tash e disa javë një pjesë të madhe të ditës e kalojnë dhjetëra pensionistë kosovarë. Gjysma e tavolinave janë të zbrazëta mesditën e së mërkurës, e në skaj të sallës disa rafte që mbajnë gotat e aparatit nga ku pensionistëve u shërbehet çaj.

Qetësia që mbizotëron në shtëpinë për qëndrim ditor në lagjen “Pejton” u pëlqen vizitorëve në moshë. E, në sallën ku shumicën e kohës dëgjohet vetëm lëvizja e figurave të shahut e kërcitjet e lugës që përzien çajin e zi, nuk mungojnë debatet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për shumë prej tyre e kaluara nuk ka qenë pa dhimbje. Dhe, ndonëse më shumë se kushdo tjetër ata meritojnë qetësi e respekt, jeta e tyre vazhdon të jetë e trazuar. Më shumë se për hallet e veta, shqetësim kryesor është gjendja në të cilën ndodhet vendi 20 vjet pas çlirimit. Pensionistët numërojnë ngecjet, e fare pak gjejnë argumente për të pohuar të kundërtën.

“A po e bahet një punë e hairit. Hajt veç diçka të mirë, kallxona, veç diçka”, i drejtohet pensionistit Muhamet Tafilaj, shoku i tij Ukë Stojkaj.

Ky i fundit përveç çlirimit nga okupimi serb, që ka ndodhur 20 vjet më parë dhe shpalljes së pavarësisë, nuk arrin të gjejë edhe një moment tjetër mburrjeje. Sipas tij, gjendja aktuale do të ishte arsyetuar nëse tani do të ishim diku pesë vjet pas çlirimit.

“Vrahet polici e nuk ka pension. Hajt nëse kishim qenë 5 vjet pas luftës ose 10, dekada e parë, por tani 20 vjet, nuk kemi organizim të shtetit si duhet”, thotë Stojkaj, duke u rikthyer sërish tek pabarazia para ligjit.

“Djemtë e tyre (politikanëve) i grahin 100 në orë, bëjnë ndeshje edhe nuk shkojnë në burg, djemtë e tyre i rrahin policitë edhe nuk shkojnë në burg, këtu është problemi, ata janë mbi ligjin”, deklaron Stojkaj. “Këta që janë në Parlament e Qeveri janë mbi ligjin. Me dalë unë me krye vepër të paligjshme i ha 40 vjet burg, ata për të njëjtën vepër nuk dënohen hiç”, thotë Stojkaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button