Pendarovski s’ka arritur të takohet me Mickoskin, për Ohrin: Mund ta bllokojë NATO-n

Në intervistën javore për Radio Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase, presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka deklaruar se deri tash nuk ka arritur të takohet me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski edhe pse është vetëshpallur si nikoqir i takimeve të liderëve. Duke folur për dukurinë devijuese në Ohër – ndërtimet e egra, ai ka hezituar të japë një vlerësim, pasi që ende është duke grumbulluar informata, por ka vlerësuar se ajo mund ta bllokojë integrimin në NATO, transmeton Portalb.mk.

Pendarovski ka njoftuar se është takuar dhe ka biseduar me të gjithë liderët e partive më të mëdha politike.

“Jam parë edhe me opozitën shqiptare dhe me partitë shqiptare në pushtet. Jam parë edhe me partitë politike në pushtet, jam parë edhe me partitë e entitete pakicë, respektivisht komunitetet etnike të tjera të cilat nuk janë shumicë, edhe atë edhe me partitë që nuk kanë votuar për mua në zgjedhje presidenciale, megjithatë deri tash nuk kam arritur të realizoj takim me zotëriun Mickoski, me arsyetimin se tash nuk është momenti”, tha Pendarovski.

Sa i takon dukurisë devijuese shumë aktuale për ndërtimet e egra në Ohër, Pendarovski nuk dha një vlerësim, por tha se është duke grumbulluar informacione për të krijuar një pasqyrë të plotë. Siç tha ai, për perlën ballkanike e pyesin edhe në takimet ndërkombëtare dhe ajo mund të jetë bllokadë në integrimin euroatlantik.

“Unë kisha konrektisht  për këtë, edhe pse dikush tha se nuk kam asnjë kompetencë, megjithatë ajo nuk është e saktë. Ohri si problem që paraqitet gjatë kohës së fundit, mund të jetë gur i madh në bllokimin e integrimet euroatlantike tona, gjithashtu se atje ekziston një fushë e rëndësishme që quhet mbrojtje e ambientit njerëzor, dhe ajo bëhet edhe më e rëndësishme dhe kapitull i rëndësishëm në negociatat me çdo shtet kandidat e cila dëshiron të jetë anëtare. Unë jam parë me përgjegjësit në Qeveri dhe njerëzit që ishin në Kuvendin e UNESKO-s. Ata më informuan, atë çfarë ata e dinë, informatat me të cilat disponojnë ata, megjithatë që të përcillet, ta dëgjoj të vërtetën e plotë dhe të mos lejoj spekulime të ndryshme, se ndoshta përfaqësuesit qeveritar e zbukurojnë gjendjen, ose nuk e tregojnë ashtu siç është në realitet. Unë këto ditë tashmë kam një seri takimesh dhe me të ashtuquajturit ekspertë të pavarur dhe njerëz që aspak nuk janë të lidhur me Qeverinë, ekspertë vendor dhe të huaj, dhe mendoj se shumë shpejtë do ta kem pasqyrën e plotë për atë, sepse edhe në takimet e mija ndërkombëtare jashtë, bashkëfolësit e mi më pyesin çfarë po ndodh me perlën ballkanike, sepse Ohri është i pranuar dhe i njohur shumë më larg se kufijtë tanë”, tha Pendarovski.

Për faljen që u paraqit si një nga çështjet kryesore në fjalimin e tij inaugurues, Pendarovski tha se është duke punuar në atë drejtim, megjithëse siç vlerësoi, ai është proces që shumë shtete në botë janë munduar ta bëjnë dhe nuk kanë pasur sukses, sepse është i gjatë, i vështirë, i munduar dhe në të domosdoshmërish duhet të marrin pjesë shumë subjekte politike dhe aktorë të tjerë të shoqërisë, veçanërisht të rëndësishmit, gjegjësisht relevantë.

“Në një shtet siç është Maqedonia, e cila është shumë komplekse nga arsye të ndryshme, dhe në aspekt etnik, kulturor, civilizues dhe gjuhësor, ku dallimet janë shumë të thella, veçanërisht më të thella dekadën e kaluar, me të vërtetë është e vështirë të presim që vetëm një deklaratë dhe vetëm një fjalim i cilitdo qoftë, ja edhe e presidentit të shtetit, mund të bëjë ndryshime brenda natës. Unë jam përpjekur dhe deri në këtë moment mendoj se shkoj mirë në atë drejtim, t’i mbledh të gjithë aktorët politikë këtu te unë dhe unë të shkoj te ata dhe të merremi vesh për disa punë bazike”, tha Pendarovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button