Cukali: Fabrika më e madhe e dizinformimit në Shqipëri është Qeveria, Bashkia e Tiranës dhe partitë politike

Në një intervistë për Portalb.mk, Koloreto Cukali, udhëheqës i Këshillit Shqiptar të Medias në Shqipëri,  thotë se fabrika më e madhe e dizinformimit në Shqipëri është Qeveria shqiptare, Bashkia e Tiranës dhe partitë politike. Sipas tij, eliminimi i analfabetizmit mediatik te qytetarët shqiptarë është një punë e gjatë, sepse duhen eliminuar faktorët që e kanë shkaktuar: sistemi i keq arsimor, shembja e vlerave shoqërore, mungesa e alternativave në informim, shkatërrimi i gazetarisë. Fundja, ai shprehet se Qeveria e Shqipërisë nuk ka në plan të luftojë dizinformatat, sepse nuk mund të hyjë në luftë me vetveten.

Intervistoi: Elida Zylbeari

Cilat janë manipulimet dhe dezinformatat më të shpeshta mediale që qarkullojnë në Shqipëri?

Cukali: Ndryshe nga perceptimi popullor që shumica e dizinformacionit vjen nga mediat online, ajo vjen më tepër përmes mjeteve tradicionale mediatike, kryesisht televizioneve. Mediat online vetëm e shpërhapin atë shumë shpejt me formulën e “raportimit” copy-paste. Fabrika më e madhe e dizinformimit në Shqipëri është Qeveria shqiptare, Bashkia e Tiranës dhe partitë politike. Prej kohësh lajmet qeveritare merren ekskluzivisht vetëm prej kanalit televiziv (streaming) privat të Kryeministrit shqiptar, ERTV. Po ashtu, Bashkia e Tiranës prodhon lajmet e veta përmes një ekipi të vetin televiziv, dhe rubrikat e gatshme ua furnizon televizioneve. Gjatë fushatave zgjedhore, 3 partitë më të mëdha politike po ashtu prodhojnë lajmet e veta përmes ekipeve të tyre televizive dhe të punësuarve për PR, me ët cilat furnizojnë mediat. Asnjë media nuk ka mundësi të kontrollojë e të verifikojë vërtetësinë e këtyre lajmeve, asnjë kamera nuk lejohet të jetë e pranishme në eventet e Qeverisë, Bashkisë së Tiranës dhe 3 partive më të mëdha politike.
Lloji i dizinformimit që prodhojnë këto  3 fabrika varion, që nga shpërndarja e lajmeve krejtësisht të rreme për kundërshtarët, te manipulimimi i pjesshëm i ngjarjeve, tek përzgjedhja e qëllimtë e disa lajmeve, shtrembërimi i deklaratave të palëve të treta, dhe e gjitha ka formën e një propagande të mirëfilltë.

Si e lufton organizata juaj vrullin e dezinformatave që shpërndahen në media dhe më gjërë?

Cukali: Këshilli Shqiptar i Medias po përpiqet që të forcojë e të promovojë modelet etike të raportimit e të gazetarisë. Qëllimi jonë është krijimi i mekanizmave vetërregullues të medias.

 A ka “ilaç” kundër shpërndarjes së dezinformatave?

Cukali: “Ilaç” ka, por, për të mbetur brenda kësaj figure letrare, kemi të bëjmë me një “trup” shoqëror të sëmurë rëndë nga shumë sëmundje e të cilit i janë prekur disa “organe”. Pra trajtimi duhet bërë në shumë plane.
Së pari mendoj që kemi nevojë për qytetarë të mirëfilltë. Baza e dizinformimit është masa e qytetarëve që janë mediatikisht analfabetë (media illiterate). Këta njerëz, që janë shumica, dinë shkrim e këndim, por nuk dinë të përzgjedhin burimet e besueshme të lajmeve, nuk dinë të vënë në pikëpyetjet materialet që u “shesin”, kanë një tendencë të rendin pas titujve pompues e jo të thellohen në brendësi të ngjarjeve. Eliminimi i analfabetizmit mediatik te qytetarët shqiptarë është një punë e gjatë, sepse duhen eliminuar faktorët që e kanë shkaktuar: sistemi i keq arsimor, shembja e vlerave shoqërore, mungesa e alternativave në informim, shkatërrimi i gazetarisë, etj.
Së dyti, mendoj që duhet të përpiqemi të ngremë 1, 2 ose më shumë media etike e profesionale që publiku të mund të kuptojë diferencën.
Së treti, duhen filluar procese të vetërregullimit të etikës në media.

A ka Qeveria e Shqipërisë plan për të luftuar dezinformatat dhe sa është ajo aktive në këtë çështje?

Cukali: Qeveria e Shqipërisë nuk ka në plan të luftojë dizinformatat, sepse nuk mund të hyjë në luftë me vetveten. Por, ajo po përdor pretekstin e luftës kundër dizinformimit për të krijuar mekanizma kontrolli ndaj medias online, si për shembull paketa ligjore e ashtuquajtur “kundër shpifjes”. Përmes këtij projektligji Qeveria po synon të krijojë mekanizma kontrolli e gjobë-vënieje ndaj mediave online, për të shuar zërat kritikë ndaj saj që ekzistojnë tashmë për fat të keq vetëm në mediat online.

A ka në Shqipëri raste gjyqësore për nxitje dhe shkaktim të rrezikut, panikut ose frikës së përgjithshme në opinion përmes shpërndarjes së dezinformatave si dhe gjuhës së urrejtjes?

Cukali: Në dijeninë time, nuk ka. Ka vetëm pak gjyqe të politikanëve ose gjyqtarëve kundër medias. Arsyeja pse nuk ka është se publiku e ka humbur besimin tek sistemi i drejtësisë dhe mbi të gjitha, publiku është i topitur. Tashmë, edhe lajmi më jo-etik nuk bën më përshtypje.

Sa janë aktive shoqatat mediale shqiptare në luftën kundër dezinformimit?

Cukali: Shoqatat e mediave po përpiqen, kush më shumë e kush më pak, por, kjo luftë nuk bëhet pa përfshirë dhe publikun, dhe publiku tashmë është “i droguar” nga sistemi i propagandës.

Si është e prezantuar Maqedonia e Veriut në mediat e Shqipërisë?

Cukali:  Në dijeninë time prezantimi është pozitiv. Mendoj se është pak i vakët duke qenë se mediat në Shqipëri janë duke vetë-konsumuar problematikat e brendshme të Shqipërisë dhe nuk kanë as vizion, as interes të madh e as përgjegjshmërinë për t’i dhënë Maqedonisë së Veriut hapësirën që i takon.

A ndodh të ketë dezinformata për Maqedoninë e Veriut në mediat shqiptare dhe cilat janë më të shpeshtat?

Cukali: E kam të vështirë ta përcaktoj. Kryesisht lajmet që merren janë copy-paste nga burimet mediatike të Maqedënisë së Veriut, nuk përjashtohet edhe ndonjë “sponsorizim” që andej për tregun e Shqipërisë. Siç e thashë, është thuajse e pamundur të mund të verifikohen edhe lajmet dizinformuese që e kanë burimin në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë… imagjino ato që vijnë nga Shkupi, Tetova apo Prishtina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button