Kumanovë, fëmijët e lagjes “Bajram Shabani” duhet ende të presin për çerdhen e premtuar

Kanë kaluar gati dy vite që nga zgjedhjet lokale dhe premtimi i Kryetarit të Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, për të ndërtuar një çerdhe të re në lagjen “Bajram Shabani” në Kumanovë, nuk gjen realizim të shpejtë, njofton Portalb.mk.

Ende nuk dihet sa do të zgjasin procedurat për ndërtimin e çerdhes në lagjen “Bajram Shabani” në Kumanovë të premtuar dy vite më parë nga kryetari i komunës, Maksim Dimitrievski i cili atëbotë ishte kandidat për kryetar. Tani për tani, kjo çerdhe nuk është në listën e çerdheve që financohen nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për ndërtim dhe rindërtim.
Nga Komuna e Kumanovës njoftojnë se për të hyrë në atë listë duhet fillimisht toka e planifikuar të shndërrohet në tokë ndërtimore si dhe të bëhet eksproprijimi duke mos dhënë datë konkrete se kur do të mbarojë kjo procedurë.

“Ne kemi parashtruar kërkesë deri te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, për t’i siguruar mjetet e nevojshme. Për ndërtimin e këtij kopshti nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kemi marrë njoftim dhe udhëzime për procesin e eksproprijimit që më pas të formojmë dhe parcelën ndërtimore. Kështu që, në periudhën në vijim, ne përsëri do të aplikojmë për të njëjtin projekt, në mënyrë që të mund të marrim fonde për ndërtimin e këtij kopshti”, thonë nga Komuna e Kumanovës.

“Komuna e Kumanovës me mjete vetanake nuk ka mundësi ta realizojë një investim të tillë kapital që sipas vlerësimeve preliminare do të kushtojë diku rreth 80 milion denarë”, shtuan nga Komuna e Kumanovës.

Sipas planit qeveritar nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, këtë vit është planifikuar të ndërtohen dhe rindërtohen 43 çerdhe në Maqedoni, njëra prej këtyre çerdheve në Kumanovë. Por në këtë rast bëhet fjalë për mbindërtimin e çerdhes “Lulevjollca” e cila gjendet në rrugën “Bratsvo Edinstvo” afër stadiumit të qytetit dhe për këtë mbindërtim janë ndarë 7.492.000,00 denarë pa TVSH, dhe 1.000.000,00 denarë janë ndarë për mjete të tjera që janë të nevojshme për një çerdhe.

Autor: Zenel Miftari

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button