“Eco Guerilla” kërkoi marrjen e ingerencave nga Komuna e Tetovës, Zaevi: Do t’i mësoj njëherë shkaqet (VIDEO)

Qyteti i Tetovës është shndërruar në një katrahurë urbane ku mbizotëron kaosi në trafik, mungesa e pastërtisë publike, grumbuj mbeturinash në shumë pjesë të qytetit, mungesa e ujit të pijshëm për shumë lagje, mungesa e transportit publik, mungesa e vendparkimeve ose garazheve në kate. Me këto fjali sot OJQ Eco Guerilla ka shprehur shqetësimin e tyre për situatën në qytetin e Tetovës, duke kërkuar nga kryeministri Zoran Zaev t’ia marrë ingerencat kryetares së Tetovës, Teuta Arifi sepse ka dështuar në menaxhimin e problemeve të lartpërmendura, njofton Portalb.mk.

Kryeministri Zaev i është përgjigjur “Eco Guerillës”, duke thënë se, do t’i mësojë fillimisht shkaqet, dhe më pas do të vendosë.

“Për herë të parë po dëgjoj shkak për Tetovën. Me siguri do ta mësoj. Ta shohim se cilat janë bazat për marrjen e ingerencave, sepse pushteti nuk mundet aq lehtë të përzihet në kompetencat e një pushteti tjetër, siç është vetëqeverisja lokale. Duhet sipas Ligjit të përmbushen kushtet për marrjen e ingerencave”, tha Zaevi. 

Më poshtë e keni letër-kërkesën e “Eco Guerillës”:

“Qyteti i Tetovës është shndërruar në një katrahurë urbane ku mbizotëron kaosi në trafik, mungesa e pastërtisë publike, grumbuj mbeturinash në shumë pjesë të qytetit, mungesa e ujit të pijshëm për shumë lagje, mungesa e transportit publik, mungesa e vendparkimeve ose garazheve në kate.

Në anën tjetër inspektoratet përkatëse bashkë me policinë e trafikut kanë dështuar tërësisht për të vendosur rendin dhe ligjin, parandalimin e ndotjes së e ajrit, ujit dhe tokës si dhe çlirimin e hapësirave publike që po uzurpohen para syve tona. Tetovës përditë e më shumë i zvogëlohen edhe ato pak hapësira të gjelbra që kanë mbetur. Shembulli i fundit, siç mund ta shihni edhe në video është shkatërrimi dhe uzurpimi i hapësirave publike të gjelbra në qendër të qytetit, përgjatë rrugës “Boris Kidriç”. Deri sa parqet dhe hapësirat që janë pronë e të gjithë qytetarëve po betonohen, Komuna hesht dhe nuk ndërmerr asgjë për të parandaluar.

Qyteti i Tetovës aktualisht ndihet sikur shtëpi pa të zot sepse kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi edhe në mandatin e dytë të saj ka dështuar t’i përgjigjet nevojave, kërkesave dhe detyrimeve ligjore që ka për të pasur një mjedis të pastër jetësor dhe një qytet funksional. Transparenca fiskale dhe llogaridhënia si detyrim ligjor ndaj qytetarëve nuk janë respektuar nga Komuna e Tetovës.

Duke pasur parasysh faktin që gjatë fushatës parazgjedhore në vitin 2017, Ju nga pozita e kryeministrit i dhatë përkrahje të hapur dhe i kërkuat qytetarëve votën për Teuta Arifin, po kërkojmë nga JU që të të ndërmerrni të gjitha masat e duhura për t’i hequr Komunës së Tetovës ingerencat mbi aktivitetet ku e njëjta ka dështuar tërësisht të menaxhojë. Prokuroria publike duhet të hetojë të gjitha rastet për keqpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare.

Një nga kushtet kryesore për çeljen e negociatave me BE është reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe funksionimi i shtetit ligjor.

Vlerësojmë dhe besojmë që për këto dështime edhe Ju si kryetar i Qeverisë së RMV-së duhet të mbani përgjegjësi dhe të ndërhyni që gjendja sa më parë ti kthehet normalitetit bashkë me shtetin e së drejtës edhe në Tetovë”, thuhet në reagimin e OJQ Eco Guerilla drejtuar kryeministrit.

Shembulli në video është shkatërrimi dhe uzurpimi i hapësirave publike të gjelbra në qendër të qytetit, përgjatë rrugës Boris Kidriç.

Portalb.mk gjithashtu në mënyrë sistematike alarmon për çështjen e uzurpimit të hapësirave publike në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button