Kur kanë menstruacione nuk shkojnë në shkollë për shkak të tualeteve të ndyra dhe të pa pajisura (infografik)

90 përqind të nxënëseve në fshatrat në Maqedoni mungojnë në shkollë katër deri në pesë ditë gjatë muajit kur kanë cikël menstrual, ndërsa 75 përqind e nxënësve në mjediset urbane mungojnë dy deri në tre ditë për të njëjtat arsye. Këtë e ka treguar hulumtimi të cilin e kanë zbatuar Instituti për shëndet publik dhe “Gazetarë për të drejtat e njeriut”, njofton Meta, transmeton Portalb.mk.

Si shkaqe për këtë janë përmendur kushtet joadekuate për të menaxhuar me higjienën menstruale në shkollë ose vend të punës, si dhe çmimi i lartë i mjeteve.

Në Maqedoni asnjë shkollë nuk ka produkte përkatëse për higjienë menstruale (sapun, letër tualeti, ujë) ndërsa nuk ka as vende adekuate për mënjanim të hedhurinave.

Si arsye për mos ardhje në shkollë përkatësisht në punë, 52 përqind e femrave të intervistuara kanë deklaruar që janë kushtet joadekuate, 40 përqind – çmimi i lartë i produkteve për higjienë menstruale, ndërsa tetë përqind kanë thënë që nuk vijnë për shkak të dhimbjeve në bark.

Kufiri i moshës së ciklit të parë menstrual është në rënie, ashtu që prindërit në shtëpi por edhe udhëheqësitë shkollore, duhet t’i kushtojnë shumë vëmendje higjienës dhe kushteve në tualetet, paralajmëron Dr. Vesna Stojanova Atanasovska për “Meta”.

“Gjithnjë e më shumë është duke u zvogëluar kufiri i moshës në të cilën vajzat kalojnë në pubertet, përkatësisht u vjen cikli i parë menstrual. Kjo është arsye e mjaftueshme që shkollat të rrisin kujdesin pikërisht rreth kësaj çështjeje. Mungesa e kushteve higjienike (mos pasje sapun, ujë, letër tualeti dhe ngjashëm) donë të thotë sëmundje, donë të thotë përkeqësim i shëndetit tek fëmijët. Veç kësaj, është e domosdoshme të rritet kujdesi edhe rreth kushteve që janë të domosdoshme përgjithësisht tek popullata e femrave në periudhën e ciklit mujor”, konsideron Stojanova Atanasovska.

Se ndodh nxënëse të mos vijnë në orë mësimi në periudhë menstruale për shkak të mos pasjes së kushteve për higjienë elementare, thotë edhe Rade Ilievski, mësimdhënës i edukatës fizike, i cili ndër tjerash shton që edhe jo rrallë ndodh që nxënëset të thonë që kanë cikël mujor, vetëm që të mos ushtrojnë në orët e edukatës fiuzike.

Përndryshe, në pyetjen “Çfarë mjete higjienike përdorni për t’u ballafaquar me higjienën menstruale?”, më tepër se 80 përqind janë prononcuar që përdorin vatë higjienike, pesë përqind përdorin tampon, ndërsa 15 përqind janë përgjigjur që nuk përdorin asnjë mjet higjienik, përkatësisht gjenden me vatë të vet-prodhuar ose letër ose gazeta.

“Në Maqedoni nuk ka ku të blihen vatë për më shumë përdorime dhe gota menstruale. Bashkëqytetaret tona mund të porosisin gotë të këtillë vetëm onlajn, ndërsa në Bullgari në barnatoret ka zgjedhje të mbi 30 llojeve të gotave menstruale”, shkruan në hulumtim.

Gjithashtu, në hulumtimin është theksuar që në Maqedoni ka mungesë serioze të arsimit seksual riprodhues, si dhe biseda në suaza të familjes. Megjithëse para disa viteve ka pasur kërkesa të disa organizatave të futet lëndë mësimore, arsim seksual “arriti të inkorporohet” në doracakun “Arsim për shkathtësitë jetësore”, në të cilin ka tema të kësaj fushe, ndërsa një prej tyre është si përdoret dhe për çka shërben prezervativi. Megjithatë, ky doracak përdoret vetëm në orët e kujdestarisë, kur flitet për shumë tema, prandaj është pikëpyetje sa kohë dhe vullnet kanë mësimdhënësit në praktikë të bisedojnë për këtë temë, që është ende tabu në shkollat e Maqedonisë.

Përndryshe, hulumtimi është zbatuar në muajt prill dhe maj të vitit të kaluar, në territorin e Shkupit, Velesit dhe Kumanovës, ndërsa në të kanë marrë pjesë 800 të intervistuar të moshës 14 deri 45 vite.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button