Si u prish miqësia ndërmjet Konicës dhe Nolit?

Ndër mëkatet e shumta që i faturohen Faik Konicës nga dijetarët prokurorë bën pjesë edhe prishja e beftë e raporteve me mikun e tij Fan Stilian Nolin. Po të vemi pas të dhënave që na ofron Konica në shkrimet e botuara në gazetën DIELLI, në vitin 1926, do të kuptojmë se raportet e tyre nisën të prishen në vitin 1922, kur Noli, braktisi programin dhe shokët e VATRËS që kishin arritur pajtimin se: Shqipëria s’munt të qëndrojë më këmbë pa një diktator, dhe që Zogu duket njeriu i duhur për këtë rol, meqë, gjthnjë sipas Konicës: …kish përveç zotësisë dhe katër të mira që i mungonin Esadit: kuptimin e ndodhjes së re në Shqipëri pas ndarjes nga Turqia, ndjenjën e kombësisë, të mos bërët ndryshime në mes Toskësh e Gegësh, dhe më në funt dëshirën për të parë Shqipërinë në shkallë Shteti t’organizuar…

Konica duket i sinqertë kur, në tri pika, sqaron punën e ndarjes nga Noli:

1) Fan Noli, unë, me Vatrën dhe me shokët, që më 1914 gjer më 1922, kush më shumë e kush më pakë kemi mprojtur mendimin se Shqipëria, që të shtrohet, që të stabilizohet, e të hyjë në udhën e reformave e të qytetërimit, ka nevojë për një dorë të hekurt dhe se ajo dorë është Ahmed Zogu.

2) Fan Noli, nënë influencën e Gurakuqit, dhe më vonë nën influencën e frymës bolshevike, u-bind dhe na bindi se Shqipëria munt të qëndrojë më këmbë pa Zogun dhe kundrë Zogut. Ngjarjet i dhanë përgënjeshtrimin më të plotë, dhe Shqipëria u-shpu një qime afër varrit.

3) Unë me shumicën e shokëve u-kthyem ahere (ndonëse me çape të ngadalshme, se na vinte keq të çkëputeshim fare nga Fan Noli) te programi i vjetër i përmbledhur më sipër nënë numrin 1, kurse Fan Noli u-fut thellë në rebelione kundrë Shtetit e n’intriga revolucionare…

Siç dihet, Konica druajti gjatë tërë jetës nga shtrirja e sllavëve në territoret shqiptare dhe çdo gjë që vinte nga Rusia e shihte me dyshimet që koha i vërtetoi si tejet të sakta. Noli, ndërkaq, vazhdonte simpatinë për bolshevizmën, sepse e konceptonte atë si udhën e shpëtimit të kombit.

Konicës nuk i pat pelqyer as fjalimi i njohur i Nolit në Lidhjen e Kombeve, që sipas tij, ishte fjalë e pëlqyer për Rusinë bolshevike, po shumë e dëmshme për Shqipërinë…

Më tej Konica shkruan se Noli dhe shokët e tij ndihmohen nga rogat bolshevike të lidhura nga Rusia, madje përmend shifra konkrete. Shkruan edhe për kërkesën e guvernës bolshevike për dërgimin e 10 djemve që do të ndiqnin shkollën e veçantë të Moskës që formon agjentët e bolshevizmës…, sepse vazhdon Konica: Planet e rusëve për në Ballkan duket të jenë këto: të formuarit e një grupi Bolshevik në çdo Shtet, dhe me anë të këtij grupi të kundërshtuarit e çdo guverne të sotme dhe të diskredituarit e çdo njeriu që ka pak’ a shumë influencë mi popullin dhe që e përdor atë influencë për të mbrojtur kanunin, regullën dhe qetësinë… Sa për gjakun që do të derdhet, çurkë dhe më kot, aq’ u bën rusëve…

Sa për të kuptuar largpamësinë dhe kulturën e gjerë politike të Konicës, po sjellim paragrafin e një shkrimi të tij përplot fakte të dëshmuara më pas nga koha: Propaganda bolshevike ësht’ e rezikshme, se turmës së padjallëzuar, e cila nuk thellon, bolshevisma i duket si zgjidhja e gjithë mundimeve ekonomike që heq. Kujton se bolshevizma ësht’ ilaçi i panjohur dhë i çuditshëm që ka për të shëruar çdo sëmundje. Të zgjuarit nga ky gjumë budallenjsh do të jetë shumë i hidhur për Shqipëtarët, të cilët do të bëhen skllev pa atdhe dhe pa bukë, të shkelmuar e të shkelur nga të huajt…

Kuptohet, ky fakt assesi nuk mund të hedh dyshim në figurën e Nolit, sepse ai, si gjithë atdhetarët e tjerë të kohës, kërkonte udhët më të sigurta dhe më të besueshme për formimin e njësisë së kombit unik dhe shtetit stabil shqiptar. Fundja, ai përakrahu në zanafillën e saj një ide të shtrirë më pas në nivel planetar dhe të dështuar po në këtë nivel…

Nga sa u tha e u citua më lart mund të kuptohet se në raportet përkohësisht të prishura mes Konicës e Nolit gjithashtu nuk duhet kërkuar gabime dhe faje të pafalshme. Absurdin e tendencave të tilla denigruese ndaj Konicës, tek i cili, për paradoks, vazhdon të kërkohet fajtori për gjithçka që ka ndodhur një herë e një kohë, më së miri e zbërthen vetë Fan Stilian Noli në fjalën funerale të mbajtur mbi varrin e mikut të tij, ku mes tjerash apeloi që gjërat e papëlqyeshme të konsiderohen: të shkuara e të harruara.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button