Kur engjëjt bëhen djaj dhe djajtë engjëj

Tregimi historik për Ana Bolejn ka fund tragjik. Bëhet fjalë për rast tipik të lavdisë afatshkurtër të një gruaje që arriti majat e karrierës së atëhershme politike, duke arritur të bëhet mbretëreshë konsorte, bashkëshorte e njërit prej mbretërve më me ndikim të Anglisë, Henrit VIII. Ajo ka qenë arsyeja e ndryshimeve qenësore në Anglinë e shekullit XV, njëri ndër faktorët që kanë ndikuar në ndarjen e Anglisë nga Vatikani dhe themelimit të kishës autoqefale protestante angleze, dhe ajo mbahet mend si nëna e mbretëreshës më të famshme angleze, Elizabetës I, gruas që e udhëhoqi atë vend në periudhën që historikisht njihet si epoka e artë.

Qëllimi i kahershëm i Henrit VIII ka qenë të ketë një trashëgimtar djalë, gjë që nuk e ka arritur me mbretëreshën legjitime, Katerinën e Aragonit (prej të cilës është divorcuar për shkak të Ana Bolejnit) dhe nuk ka dashur ta pranojë nga Meri Bolejn (motra e Ana Bolejnit) e cila i ka dhënë djalin e tij të dëshiruar por të cilin ai ka vendosur ta lërë të paligjshëm dhe të mos ta njohë si të tij. Ana Bolejn ka lindur vajzë, sërish larg pritshmërisë të mbretit, ndërsa gjatë përpjekjes së ngjizjes së fëmijës së dytë, ajo ka dështuar. Për të ruajtur pozitën e saj si mbretëreshë konzorte, thuhet që ajo ka bërë çmos për të lindur një djalë, dhe dikur është akuzuar edhe për lidhje incestuoze jashtëmartesore me të vëllain.

Për këto akuza të rënda ajo është hedhur në gjyq dhe ka përfunduar e gjykuar, e dënuar dhe e ekzekutuar me vdekje. Thuhet që ditën kur është paraqitur në gjykatën mbretërore, para lordëve gjyqtarë, ata nuk janë ngritur ta përshëndesin. Ajo ka reaguar me fjalët: “E trishtuar është dita kur fisnikët nuk çohen për ta nderuar mbretëreshën e tyre.” për çka lordi kryesues i gjykatës është përgjigjur “Edhe më e trishtuar është ajo ditë kur po e njëjta mbretëreshë akuzohet për tradhti dhe incest”. Edhe pse Ana Bolejn ka reaguar se “e akuzuar” nuk është njësoj si “fajtore”, sërish, faktet historike thonë që ajo më në fund është dënuar dhe është ekzekutuar me vdekje për atë faj që ndoshta asnjëherë nuk është vërtetuar tërësisht.

Për shumë njerëz të këtij vendi do të ishte disi më e pranueshme që kryeprokurorja speciale të ishte akuzuar për të njëjtat akuza si edhe Ana Bolejn. Për shumicën prej nesh, edhe vetë mendimi për ta vendosur atë në lidhshmëri me një skandal monstruoz reketimi dhe krimi të organizuar e korrupsioni është tej mase më i dhimbshëm dhe më i papranueshëm se sa akuzat që i janë bërë Ana Bolejnit.
Sepse fotografinë e kryeprokurores speciale dhe ndihmësve të saja e mbanin në gjoks protestuesit që kërkonin pikërisht përgjegjësi penale për krim të organizuar dhe korrupsion, ata që donin të shihnin drejtësinë duke funksionuar, të gjithë ata që besonin se një ideal si sundimi i së drejtës mund të na bashkonte të gjithë nën këtë nën qiell. Të hedhësh baltë të tillë mbi një institucion si që është Prokuroria Speciale është blasfemi më e lartë se sulmi mbi vlerat tradicionale familjare e konservative të shekujve të mesjetës.

Në një kohë të tillë kur kryeprokurorja dyshohet të ketë provuar nga frutat e pemës së ndaluar është me rëndësi të qartësohen dy gjëra esenciale:

E para: Duhet bërë dallim mes individit dhe institucionit. Nëse do të vërtetohet se këto indicie lidhshmërie janë të sakta dhe nëse do të ketë përgjegjësi penale, duhet pasur parasysh se ajo përgjegjësi është individuale. Në të drejtën penale përgjigjet individi për bëmat e veta dhe jo institucioni shtetëror si i tillë. Me Kodin Penal mund të përgjigjen kompanitë dhe personat juridikë privatë por jo edhe institucionet shtetërore, sepse po të ishte ashtu, nga katrahura e viteve të kaluara që i ndodhi sundimit të ligjit nuk do të kishte mbetur institucion shtetëror në këmbë.
Kështu, unë nuk dëgjova që pas vendimit të Gjykatës Supreme me të cilin një i arratisur u lirua nga paraburgimi kjo gjykatë pushoi së ekzistuari. Përkundrazi, që të jetë ironia më e madhe, Jovo Vangellovski, i cili e organizoi në detaje dhe e realizoi sjelljen e atij vendimi vazhdon ende të jetë kryetar po i asaj Gjykate dhe së fundi shpëtoi përkohësisht edhe nga shkarkimi që i kanoseshe në Këshillin Gjyqësor pikërisht për shkak të këtij rasti.

Nuk dëgjova që një gjë e tillë të ndikojë që Gjykata Supreme të mbyllet dhe e gjithë puna e saj e gjertanishme të shpallet e pavlefshme. Për më tepër, ai vendim u iniciua sipas kërkesës së kryeprokurorit shtetëror të atëhershëm, Marko Zvrlevski, i cili u shkarkua nga detyra e prokurorit, e megjithatë, Prokuroria shtetërore vazhdon të funksionojë dhe askujt nuk i shkoi ndër mend që të njëjtën ta mbyllë ose punën e saj të deritanishme ta shpallë të pavlefshme. Prandaj është absurde të aludohet se e gjithë veprimtaria e gjertanishme e Prokurorisë Speciale është e bazuar në reket dhe në krim të organizuar dhe se e njëjta duhet të mbyllet dhe vendimet e saja duhet të shpallen të pavlefshme. Kjo është absurde sepse institucionet mbeten ndërsa njerëzit vijnë e shkojnë. Institucionet mund të udhëhiqen nga njerëz të aftë ose jo të aftë, nga të pastër ose të korruptuar, por megjithatë, institucionet mbeten, sepse pa institucione nuk ka shtet, nuk ka shoqëri të organizuar.

E dyta: Fakti që dëshmitari-viktimë e ka paraqitur rastin “Reket” për presionet e paligjshme që i janë bërë dhe për miton që i është kërkuar nuk e bën atë të pafajshëm për veprat për të cilat është akuzuar. Aq më pak të pafajshëm i bën të gjithë të akuzuarit tjerë nga kjo prokurori prej të cilëve disa gjenden në burg, disa në paraburgim e të tjerë në arrati. Fakti që në një rast prokurori dyshohet të ketë bërë lëshime të qëllimshme nuk e bën të pavlefshme krejt punën e prokurorisë e aq më pak e bën të zezën të bardhë apo djallin engjëll. Atë që e dëgjuam në bombat e shpallura nuk mund të shtiremi se nuk e kemi dëgjuar e as ta fshimë nga memoria jonë kolektive. Nuk mund të shtiremi sikur përgjimi i më tepër se 20.000 personave nuk ka ndodhur dhe ka qenë thjesht një ëndërr e keqe.

Në këto kohëra kritike kur engjëjt bëhen djaj e djajtë engjëj, kur ujqit bëhen qengja e qengjat ujq, më se e rëndësishme është të ketë hetim thelbësor për atë që ka ndodhur dhe jo tendenca të mbrojtjes së asaj që është e pambrojtshme. Nëse ka fakte se ka faj edhe tek kryeprokurorja speciale kjo duhet të shpallet publikisht dhe të gjithë të involvuarit të marrin dënimin e merituar. Ndryshe edhe shpresa më e vogël se një ditë do të ketë drejtësi efektive në këtë shtet është e kotë dhe joreale ndërsa ne do të vazhdojmë të jetojmë në një vend ku ligjet nuk vlejnë për askënd e veçanërisht jo për më të fortët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button