Cila është mosha që vendosim bazat e jetës?

Sipas psikologëve, dhjetëvjeçari i dytë i jetës është më i rëndësishmi për të vendosur bazat e së ardhmes, sidomos në një çift.

Ja këshillat për të ndihmuar të rinjtë të jenë më të ndërgjegjshëm.

“Je njëzet vjeç, gëzohu sepse kur të zgjohesh do të jesh 30”, shkruan Frédéric Beigbeder në romanin “Dashuria zgjat tre vjet”. Në shoqërinë perëndimore, etapa të rëndësishme si pavarësia ekonomike, bashkëjetesa dhe martesa janë shtyrë shumë, dhe shpesh dëgjohet se 30-vjeçarët e sotëm bëjnë atë që prindërit tanë e kanë arritur shumë më përpara. Por të dhënat dhe statistika na kanë mësuar se nuk ka rëndësi se sa ka ndryshuar shoqëria, mosha 20-vjeçare vazhdon të mbetet më e rëndësishmja për të hedhur bazat e së ardhmes, të paktën në SHBA: “rreth 80 për qind e zgjedhjeve që tregojnë për personalitetin tonë bëhen para moshës 35-vjeçare dhe periudha mes 20 dhe 30 vjeç është ajo ku personaliteti modifikohet absolutisht më shumë”, tregon Meg Jay, psikologe e Universitetit të Virxhinas dhe autore e librit “The Defining Decade: Why Your Twenties Matter — And How to Make the Most of Them Now”.

Sipas Jay-t, gjërat që bëjmë dhe nuk bëjmë në atë periudhë kanë një efekt të madh në të ardhmen tonë, por shpesh 20-vjeçarët nuk e dinë këtë gjë. Përveç kërkimit universitar, Jay vazhdon të punojë me të rinjtë që zgjedhin të bëjnë një “rrugëtim” psikologjik.

“The Defining Decade” përmbledh eksperiencat e mbledhura në më shumë se dhjetë vjet terapi me pacientët, por edhe njohjet e sociologëve, ekonomistëve, neurologëve, përgjegjësit e burimeve njerëzore dhe specialistët e fertilitetit mbi atë periudhë të jashtëzakonshme: moshën 20-vjeçare. “Nëse ekziston një epokë në jetë gjatë të cilës një individ arrin të shkojë përtej fëmijërisë, është pikërisht mosha 20-vjeçare”, pohon me siguri autorja.

“Kam punuar me pacientë që kishin mbi shpinë histori shumë të dhimbshme familjare dhe gjatë kësaj periudhe kanë ditur të transformojnë jetët e tyre duke hedhur bazat për të ndërtuar familje të shëndetshme, por nga ana tjetër kam parë të rinj që kanë pasur shumë mundësi në dispozicion dhe i kanë shpërdoruar të gjitha. 20 vjeç, është vërtet mosha kur duhen marrë në dorë frenat e jetës”. Janë pikërisht ato vitet kur nis të ndërtosh siguritë e tua dhe të bësh bashkë pjesët, duke bërë zgjedhje të përgjegjshme që pasqyrojnë dëshirat tuaja.

“Çfarë do? Ku dëshiron të jesh pas dhjetë vjetësh? Do doje të martoheshe, të kishe fëmijë?”, janë këto disa nga pyetjet që Jay u drejton pacientëve të saj, sidomos atyre që janë të frikësuar. “Por në fund të fundit këta të rinj duan dikë që t’u bëjë këto pyetje, sepse e dinë që herët apo vonë duhet të përballen me to”. Mes pikave më të rëndësishme që Meg Jay paraqet në librin e saj është ai i raporteve në çift dhe mbi të gjitha të bashkëjetesës, “Një nga temat më të zakonshme dhe më të keqkuptuara mes 20-vjeçarëve”.

Dialogu i vazhdueshëm me të rinjtë e ka bindur Jay-n se në përgjithësi “bashkëjetesa shihet si një test për lidhjen, por të dhënat statistikore tregojnë se kjo gjë ka shumë rreziqe dhe se vendosja në provë e një raporti dashurie duke shkuar e duke jetuar bashkë i çon lidhjet drejt zhgënjimit dhe ndarjes”. Autorja bazohet në statistikat e hartuara nga “National Marriage Project”, një eksperiment i nisur nga “Rutgers University” në 1997 dhe që tani vazhdon në Universitetin e Virxhinias, me projektin për të monitoruar martesat amerikane (jetëgjatësia mesatare, 20 vjet). Sipas të dhënave të mbledhura, pjesa më e madhe e të rinjve pranojnë se e gjejnë veten në bashkëjetesë dhe pastaj në martesë pa qenë të vetëdijshëm për atë që bënë. I njëjti kërkim tregon se janë pikërisht këto çifte që divorcohen më lehtë dhe se janë të pakënaqura. “Nuk është e lehtë të shkosh drejt martesës, me unazat, ceremoninë dhe gjithçka tjetër, por kalimi nga të qëndruarit bashkë te bashkëjetesa është më pak i qartë”, kujton Jay.

“Shpesh çiftet vendosin të bashkëjetojnë, sepse ndajnë shpenzimet ose për komoditet, por kur nis kështu shumë shpesh pyetjet thelbësore mbeten në ajër dhe rrezikojnë të shpërthejnë kur është tepër vonë”.
Jay në libër thotë se nuk është kundër bashkëjetesës dhe se libri i saj synon vetëm të ndihmojë të rinjtë të bëhen më të ndërgjegjshëm për zgjedhjet e tyre në këtë moshë kaq delikate.

“Kërkimi tregon se çiftet më të kënaqura janë ato që vendosin të angazhohen në një lidhje dhe se ishin të ndërgjegjshëm kur nisën të jetonin së bashku”. Kjo sepse vendimi për të bashkëjetuar me dikë është shumë i rëndësishëm. Është një vendim i qartë si cili mund të konfirmojë ose jo ndjenjat për njeriun që duam”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button