Maqedoni e Veriut, zhgënjim i madh me drejtësinë

Njohësit e çështjeve juridike thonë se sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka marr një godite shumë të rëndë, pas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria për Krim të Organizuar, për përfshirjen e mundshme të ish-kryeprokurores speciale, Katica Janeva, në një rast të ryshfetit dhe shantazhit, njofton Portalb.mk.

Ekspertët thonë se nuk mund të flitet për reforma në drejtësi dhe as për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, derisa personat që kanë kryer vepra penale, të mos përballen me ligjin.

Por, Brukseli zyrtar përmes ambasadorit të Bashkimit Evropian, Samuel Zhboggar, ka kërkuar nga institucionet në Shkup, që ta zgjidhin statusin e Prokurorisë Speciale Publike, që drejtohej nga Janeva, e cila dha dorëheqje më herët gjatë kësaj jave.

Zhbogar deklaroi se dorëheqja e Katica Janevës duhet të nxisë liderët politikë që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për statusin e Prokurorisë Speciale Publike.

“Presim që të zgjidhet çështja e funksionimit të zyrës së Prokurorisë Speciale Publike. Me dorëheqjen prokurores Katica Janeva, bëhet trysni shtesë dhe përgjegjësi ndaj liderëve politikë dhe ndaj Kuvendit që të gjejnë zgjidhje”, ka theksuar ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.

Por, ekspertët juridikë thonë se kredibiliteti i Prokurorisë Speciale është sulmuar në masë të madhe, pas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria për Krim të Organizuar, për përfshirjen e mundshme të ish-kryeprokurores speciale Katica Janeva, në një rast të ryshfetit dhe shantazhit.

Njohësi i çështjeve juridike, Naser Ziberi, thotë se Prokuroria Speciale publike nuk tregoi as rezultate minimale sa i përket goditjes së strukturave kriminale.

“Ndoshta do të jetë mirë që zgjidhja e këtij problemi të bëhet në pako me Prokurorinë e Përgjithshme të vendit dhe të bëhet inkorporimi i këtij institucioni në kuadër të Prokurorisë së Përgjithshme sepse kredibiliteti i këtij institucioni dukshëm është dobësuar dhe qytetarët kanë humbur besimin se ky institucion do të arrijë të luftojë kriminalitetin në qarqe të larta”, thotë Ziberi.

Ai thekson se Prokuroria Speciale do ta ketë shumë të vështirë që të rikthejë bisedimin e qytetarëve, veçanërisht sipas tij, nëse vazhdon të ketë këtë përbërje.

“Këtij institucioni i duhen ndryshime rrënjësore kadrovike, por edhe përforcim të Gjykatës Speciale sepse Prokuroria Speciale pa një Gjykatë Speciale, mbetet vetëm dëshirë për të luftuar kriminalitetin në instanca të larta”, thotë Ziberi.

Në anën tjetër, avokati Zvonko Davitkoviq, njohës i çështjeve juridike, thotë se sistemi i drejtësisë duket qartë se është shumë larg reformave. Sipas tij, Prokuroria Speciale Publike nuk ka përmbushur as minimumin e misionit, mbi të cilin u themelua.

“Nga e gjithë ajo që mësuam dje, nëse dëshmohet se është e vërtetë, atëherë qartazi bëhet fjalë për një turp të madh, në të cilin ndodhet sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Nëse Prokuroria Speciale u formua si institucion sepse nuk funksiononte apo kishte çalime të mëdha në Prokurorinë e Rregullt Themelore dhe të gjithë prisnin që të vihet drejtësia në vend përmes Prokurorisë Publike, duket qartë se me këto dyshime për drejtuesen e këtij institucioni, po pëson debakël edhe besimi i qytetarëve për sundimin e ligjit”, thotë Davitkoviq.

Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në një konferencë për media tha se vazhdon të besojë në sistemin gjyqësor dhe kërkoi të respektohet prezumimi i pafajësisë, derisa të mos zbardhet i gjithë rasti, lidhur me dyshimet për përfshirjen e ish-kryeprokurores Janeva në shantazhimin e një biznesmeni

“Besoj se kushdo që ka gabuar duhet të përgjigjet. Kjo është ajo që besoj. Vetëm kështu mund të sjellim drejtësinë”, theksoi Zaev.

Një nga shtyllat më kryesore, në bazë të së cilës Brukseli do ta vlerësojë Shkupin lidhur me caktimin e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE është përcaktimi i statusit të Prokurorisë Speciale Publike, mandati i së cilës përfundon në muajin shtator.

Prokuroria Speciale Publike u formua më 2015 kishte për detyrë të hetojë aferën e përgjimeve, që ishte publikuar në shkurt të po atij viti nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tash kryeministër i vendit. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria Speciale ka ngritur 17 padi penale kundër 94 personave, përfshirë edhe ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari, për t’i ikur vuajtjes së dënimit prej dy vjet burgim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button