Kryeparlamentari Xhaferi komentoi ndodhitë e fundit në PSP

Në një intervistë në edicionin qendror të lajmeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka komentuar rastet e fundit në dhe rreth Prokurorisë Speciale Publike (PSP) për lëndën e hapur nga Prokuroria për rastin e reketimit të biznesmenëve nga Borjan Jovanovskin – “Boki 13” nëpërmjet prokurores publike e cila jozyrtarisht thuhet se është Katica Janeva, transmeton Portalb.mk.

Ai ka vlerësuar se nëse do të verifikohej implikimi i Janevës në rastin e zhvatjes, ajo do të paraqiste problem për punët paraprake të Prokurorisë Speciale Publike dhe të Ligjit për Prokurori Publike.

“Efekti domino do të implikohej nëse do të verifikohej implikimi i personave në fjalë, veçanti të prokurores, e cila sado që të ketë bërë punë të mira, ajo do të bënte problem. S’do mend se nëse do të verifikohej implikimi i saj në këtë rast, do të linte njollë të zezë në të gjitha procedurat paraprake që ka udhëhequr PSP-ja”, tha Xhaferi.

Ai më tej tha se rasti i fundit do të ndikojë edhe në përpilimin e Ligjit për Prokurori Publike për të cilën shumica dhe opozita ka disa muaj që po zhvillojnë negociata.

“Kjo çështje u apostrofua në seancën e fundit të pyetjeve të deputetëve në Parlament, ku u iniciua dyshimi i ekzistimit të një procesi të mundshëm të tillë, që persona të caktuar po bëjnë zhvatjen e institucioneve apo bizneseve për të larë para dhe ngjashëm. Besoj se nga aty, dhe më herët të jetë iniciuar procedurë e duhur për përcjellje të kësaj situate, që ka rezultuar me ditën e hënë të këtij muaji. Institucionet kanë ndërmarrë masa për të privuar nga liria të implikuarit në gjithë këtë. Sipas informatave, ka edhe dyshime për implikim të prokurores, Katica Janevës. Mendoj se kjo është çështje që duhet t’u lihet institucioneve përkatëse të kryejnë hetimet dhe gjitha procedurat parahetimore, në kuptimin e asaj që të verifikohet i gjithë rasti, që në fund të ketë edhe epilog të duhur. S’do mend se në këtë situatë ka edhe implikime politike, subjekte politike, të cilët po bëjnë komentet e tyre dhe këtij kontesti i japin tjetër kontekst”, tha më tej Xhaferi.

Ndryshe, “Boki 13” dhe Zoki Kiçeec janë paraburgosur pasi që PTHP-ja për ndjekjen e krimit të organizuar ka hapur lëndë ku ata janë të dyshuar për reket të biznesmenëve nëpërmjet prokurores publike, e cila jozyrtarisht thuhet se është Katica Janeva e PSP-së. Dyshohet se ata kanë kërkuar 8 milion euro reket, ndërsa kanë marrë vetëm 1.5 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button