Shkup, u hap qendra e parë për ndërmjetësim sipas modelit evropian

Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) dhe Oda e ndërmjetësve kanë hapur qendrën e parë për ndërmjetësim sipas modelit evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, kryetari i Odës së ndërmjetësve, Sllave Mlladenovski dhe nënkryetari i LOEM-it, Aleksandar Milloshevski, sqaruan përparësitë e zgjidhjes së kontesteve mes kompanive nëpërmjet ndërmjetësimit. Në qendrën për ndërmjetësim do të organizohen ligjërata, prezantime dhe punëtori ku komuniteti i biznesit do të njoftohet për së afërmi me procedurën e ndërmjetësimit.

Mlladenovski tha se në periudhën në vijim do të formohen më shumë qendra në Maqedoninë e Veriut, me qëllim që bizneset të kenë qasje më të lehtë deri të ndërmjetësimi.

“Qendrat për ndërmjetësim në fakt paraqesin vende zyrtare ku ndërmjetësuesi do të njoftojë qytetarët dhe subjektet juridike, me qëllim që ndërmjetësimi të sqarohet si procedurë dhe cilat janë përfitimet për afaristët në zgjidhjen e kontesteve”, tha Mlladenovski.

Duke ilustruar me një shembull konkret, Mlladenovski tha se nëse një kontesti i nevojitet të paktën një vit për t’u zgjidhur në gjykatë, përmes ndërmjetësimit afati maksimal është dy muaj, ndërsa në të shumtën e rasteve kontesti me ndërmjetësim mbyllet për një javë.

Milloshevski tha se përpos përfitimeve në kohë dhe në mjete financiare për subjektet ekonomike, me procedurën e ndërmjetësimt në masë të madhe zvogëlohet edhe puna e gjykatave.

“Kontakti i drejtpërdrejtë mes ndërmjetësuesve dhe subjekteve të interesuara do t’u mundësojë të njëjtëve të njihen me shembujt pozitiv të shfrytëzimit të ndërmjetësimit, që do të rrisë nivelin e përdorimit në konteste të caktuara dhe me këtë do të zvogëlohet numri i proceseve gjyqësore që udhëhiqen para gjykatave”, tha Milloshevski.

Ligji për ndërmjetësim aktualisht parasheh procedurë të patjetërsueshme të ndërmjetësimit për kontestet ekonomike para se kontesti të paraqitet në gjykatë, shuma e të cilave nuk tejkalon një milion denarë. Përfaqësuesit e odave ekonomike thanë se do të angazhohen që të zgjerojnë përfshirjen e ndërmjetësimit edhe përmes ndyshimeve ligjore.

Gjatë konferencës për media u tha se qendra për ndërmjetësim do të funksionojë në kuadër të LOEM-it.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button