Trump thotë se SHBA nuk do t’i shesë Turqisë avionë luftarakë F-35

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA nuk do t’i shesë Turqisë avionët e avancuar luftarak F-35 për shkak se Ankaraja zyrtare ka blerë sistemin rus për mbrojtje raketore S-400, duke u ankuar dhe duke fajësuar paraardhësin e tij për këtë bllokim, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi një situatë kur Turqia është shumë e mirë me ne dhe ne tani i themi Turqisë për shkak se ju me të vërtetë jeni detyruar të bleni një sistem tjetër raketor dhe ne nuk do t’u shesim avionët luftarakë F-35”, Trump u tha gazetarëve gjatë takimit të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

“Është një situatë e vështirë në të cilën ata ndodhen. Dhe është një situatë e vështirë në të cilën ne jemi vendosur, Shtetet e Bashkuara”, shtoi Trump.

Administrata e presidentit amerikan kërcënoi se do të përjashtojë Turqinë nga programi i avionit luftarak F-35 pasi u furnizua me sistemin S-400 nga Rusia, duke paralajmëruar se sistemi për mbrojtje ajrore mund të përdoret nga Moska për të zbuluar fshehurazi informata sekrete rreth avionit luftarak.

Dërgesa e pjesëve të sistemit S-400 filloi javën e kaluar dhe po vazhdon akoma. Nga Ministria turke e Mbrojtjes sot thanë se avioni i 13-të me pjesët e sistemit arriti në bazën ajrore Mürted, në periferi të Ankarasë.

Turqia firmosi marrëveshjen për furnizim me sistemin S-400 më 11 prill të vitit 2017, pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemin amerikan Patriot.

Për situatën e krijuar me F-35, Trump akuzoi administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, për të cilin tha se e krijoi problemin duke mos i lejuar qeverisë turke që të blejë sistemin raketor Patriot.

“Sapo zbuluan se ata do të blenin raketa, raketa të krahasueshme, jo edhe aq të mira, por pothuajse të krahasueshme nga Rusia, përnjëherë çdokush filloi të vërsulet dhe t’i thotë Turqisë: Mirë, ne do t’u shesim raketat Patriot”, tha Trump.

“Deri në atë moment, Turqia veçse kishte nënshkruar dhe i kishte paguar një shumë të madhe parash Rusisë për sistemin raketor të cilin, në mënyrë idioteske, nuk iu lejua që ta blejnë këtu. Për shkak se Turqia është një anëtar i NATO-s”, shtoi ai.

Turqia ka porositur mbi 100 avionë luftarakë F-35 me plane për të blerë edhe më shumë, tha Trump. Ai theksoi se prodhuesi Lockheed Martin “nuk është edhe aq i lumtur, pasi ajo është shumë punë”.

SHBA në qershor ndaloi trajnimin për pilotët turq si një hap në mënjanimin e pjesëmarrjes së Turqisë në programin F-35.

SHBA gjithashtu është kërcënuar me vendosjen e sanksioneve, ndërsa Turqia është përgjigjur me kundërmasa.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo dhe Trump po “rishikojnë” se cilat sanksione do të zbatohen në kuadër të Aktit të Luftës me Sanksione Kundër Oponentëve të Amerikës (CAATSA), thonë nga Departamenti i Shtetit.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, nuk saktësoi se deri ku janë me rishikimin Pompeo dhe Trump, e as nuk tregoi se cilat sanksione po shqyrtoheshin, duke thënë se “ata janë në proces”.

“Sekretari dhe presidenti do të sjellin vendim bazuar në atë se çfarë u kërkohet atyre të bëjnë në përputhje me ligjet amerikane”, tha ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button