Është duke u pastruar lokacioni i destinuar për stacion pastrimi të ujërave të zeza në Tetovë

Gjithsej 170,000 metër kub hedhurina të vendosura te lokaliteti në afërsi të fshatit Falishë në Tetovë do të transportohen në Drislla, si pjesë e përgatitjes së terrenit, ku vitin e ardhshëm duhet të fillojë ndërtimi i stacionit të pastrimit të ujërave të zeza, me qëllim të tejkalimit të problemit të ndotjes së rajonit me ujëra të zeza e industriale, njofton Portalb.mk.

Pastrimi dhe dërgimi i mbetjeve në Drislla dhe përgatitja e terrenit në Falishë financohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nga komuna e Tetovës me 2,3 milion euro, kurse transportimin e mbetjeve në shumën prej 700.000 Euro e financon Norvegjia, në kuadër të projektit mbështetje norvegjeze për përparimin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas zëvendës kryetarit të Qeverisë të obliguar për çështje evropiane, Bujar Osmani, koordinimi i ndihmës së jashtme dhe shfrytëzimi i saj racional ka rëndësi të veçantë për projektet infrastrukturore të këtij lloji.

“Si koordinator nacional i ndihmës së huaj i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dua të shpreh kënaqësinë mbi suksesin e këtij projekti të madh e kompleks, tek i cili në vepër mund t’i shohim benefitet dhe t’i ndjejmë perspektivat e afrimit ton drejtë Unionit Evropian”, theksoi nënkryetari i Qeverisë Osmani,  duke nënvizuar se qytetarët që gravitojnë në këto rrethina, do të përfitojnë mjedis jetësor më të pastër në fqinjësinë e tyre të drejtpërdrejt.

“Këtë në vepër e dëshmon lidhshmëria dhe solidariteti i Unionit Evropian, me qëllimet e tij që të lidhen dhe t’i ndihmojnë qytetarët e vendeve-anëtare të ardhshme të Unionit, siç është edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, që nëpërmjet këtij procesi të transformimit, procesit të konvergjencës me shoqëritë evropiane, t’i përafrojnë edhe standardet e qytetarëve të ardhshëm të Unionit Evropian, përfundoi Osmani.

“Sot në Norvegji janë vënë në funksion më shumë se 2700 stacione filtrimi, që mbulojnë rreth 85% të popullatës. Prandaj e dimë rëndësinë e kësaj mbështetjeje për përgatitjen e terrenit për ndërtimin e stacionit të pastrimit në komunën e Tetovës si dhe rëndësinë që do ketë ky stacion për banorët lokal si dhe për ekonominë në rajon”, deklaroi Geir Johansen, sekretar i parë i Ambasadës së Norvegjisë.

Pastrimi  i lokacionit ka filluar në mars të këtij viti dhe pritet në përfundojë në nëntor. Deri më tash janë transportuar rreth 90.000 metër kub hedhurina.

“Me ndërtimin e stacionit të pastrimit do të ndërpritet praktika e deritanishme e lëshimit të ujërave të zeza të patrajtuar në lumin Vardar dhe me këtë do të përmirësohet mbrojtja e mjedisit jetësor dhe shëndetit të popullatës në qytetin e Tetovës dhe rajonet përgjatë rrjedhës së lumit”, deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi.

“Më shumë se 95.000 banorë të qytetit të Tetovës si dhe pothuaj e gjithë popullata e Maqedonisë do të ketë përfitime nga menaxhimi më i mirë i ujërave të zeza.  Me këtë i plotësojmë qëllimet strategjike të parapara në strategjitë dhe planet e menaxhimit me ujërat në nivel lokal dhe shtetëror si dhe dispozitat e ligjvënies lokale me qëllim që trupat ujor të arrijnë “status të mirë” dhe të pengohet keqësimi i mëtejmë i statusit ekzistues të ujërave sipërfaqësor dhe nëntokësor”, nënvizoi Arifi.

Sipas dinamikës së paraparë të realizimit të punëve, vitin e ardhshëm duhet të fillohet me ndërtimin e stacionit të pastrimit të ujërave të zeza, që do të financohet nga fondet e BE në shumë prej 30 milion Euro. Me këtë do të sigurohet zgjidhje sistematike e problemeve me ujërat e zeza në komunë, e që do ketë ndikim në mjedisin jetësor si dhe në sektor të tjerë të ekonomisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button