Xhavit Haliti akuzohet për sulm ndaj deputetit Arben Gashi

Derisa Arben Gashi po priste në radhë për të votuar për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese një vit më parë, ai ishte shtyrë me forcë nga deputeti Xhavit Haliti.

Për këtë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Halitit.

Sipas aktakuzës, Haliti akuzohet për veprën penale të “sulmit” ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

E, në pamjet e një viti më parë në seancën e datës 18 maj, vetëm disa çaste pasi Gashi ishte shtyrë me forcë nga nënkryetar i Kuvendit, në këtë polemikë ishte përfshirë edhe deputeti AAK-së, Gani Dreshaj.

Ai, gjithashtu, është përfshirë në aktakuzë për veprën penale “kanosje”.

Por, Kujtim Kërveshi, avokat i nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Halitit, ka thënë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për vepër penale.

“Edhe po të kishte vepër penale për të mbrojturin tim, konsideroj se Prokuroria e Shtetit ka ndërhyrë në institucione ligjore të njohura, edhe pse do të duhej të kishte parasysh kufizimin e autoritetit të saj ndaj një situate gjatë së cilës deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë qenë duke ushtruar detyrën zyrtare”, ka thënë avokati i Halitit, Kujtim Kërveshi.

Por, në raste të tjera Prokuroria ka akuzuar e Gjykata ka dënuar deputetë, edhe pse veprimet e tyre i kanë kryer brenda sallës së Kuvendit, e këtu veçohet rasti i deputetëve që kanë gjuajtur gaz lotsjellës.

E, për aktakuzën ka reaguar edhe deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj.

Ai në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se është i bindur që është njeriu i fundit që duhet t’ia ketë frikën drejtësisë në Kosovë duke shtuar se është i gatshëm për çdo vendim që vjen nga partia e tij.

Ndërsa i dëmtuari në këtë rast, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se pret që gjykata ta trajtojë këtë rast bazuar në ligj e drejtësi.

“Nuk kam asnjë informatë zyrtare, di vetëm çka kanë publikuar mediat. Shpresoj që Prokuroria dhe Gjykata do ta bëjnë punën e tyre profesionalisht dhe pa ndikime”, ka thënë për KTV-në Gashi.

Por, Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ka treguar kur do ta caktojë seancën fillestare në këtë rast me arsyetimin se nuk është urgjente dhe aktakuza është pranuar gjatë këtij viti.

Më 18 maj të vitit të kaluar, në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti, e kishte shtyrë dhe goditur Arben Gashin, derisa ky po priste që të votonte.

Por, situata ishte qetësuar kur kishin ndërhyrë deputetet tjerë. Kjo përplasje kishte ardhur një ditë pasi Haliti dhe Gashi kishin ofenduar njëri-tjetrin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button