Rasti “Boki 13” dhe ngjarjet në PSP: Reagime nga partitë në pushtet dhe të opozitës maqedonase

Në lidhje me lëndën që u hap dje nga Prokuroria Themelore Publike për reketimin e biznesmenëve nga dy të dyshuarit Bojan Jovanovski i njohur si “Boki 13” dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçeecsot kanë vijuar reagime nga partitë politike në pushte, nga partitë opozitare maqedonase, ndërkaq jo edhe nga ato shqiptare, transmeton Portalb.mk.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski (Foto: Arbnora Memeti)
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski

VMRO-DPMNE-ja në orët e para të mëngjesit ka deklaruar se kryeministri dhe lideri i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev me siguri e ka ditur për reketin.

“Arrestimi i “Boki 13-s” është vetëm një pjesë e tregimit reketues prej pushtetit. Ata që e kanë pasur fatin të mos përjetojnë në lëkurën e tyre reketin e pushtetit, kanë lexuar se si funksionari i afërt i LSDM-së deri te Zaevi bashkë me këshilltarin medial, i kanë kërcënuar kompanitë dhe biznesmenët se, nëse nuk e paguajnë shumën e kërkuar, nesër mund t’i gjejë ndonjë krim. Edhe Zaevi ka pranuar se jo që e di për sagën reketuese, por edhe cilat persona fshihen pas pseudonimeve”, thuhet mes të tjerash në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Lidhja Demokrate ka reaguar dhe ka kërkuar që Parlamenti i RMV-së të mbajë seancë plenare të jashtëzakonshme për rastin e PSP-së.

“Propozojmë që të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Parlamentit, në të cilën do të diskutohet puna e PSP-së dhe do të sillen ndryshimet ligjore me të cilat PSP-ja do të përfshihet në sistemin e Prokurorisë Publike, do të sigurohet shkallë e dytë dhe kontroll ndaj punës së PSP-së”, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokrate.

Zoran Zaev
Zoran Zaev

Nga LSDM-ja kanë deklaruar se rasti në fjalë është dëshmi e sundimit të së drejtës.

“Shteti ka ndërtuar institucione dhe ka krijuar sistem të cilat luftojnë kundër korrupsionit dhe kriminalit. Të gjithë janë të njëjtë para ligjeve, kurse drejtësi duhet të ketë. I inkurajojmë dhe ju bëjmë thirrje institucioneve kompetente të realizojnë hetim të thellë dhe të pavarur dhe të veprojnë në bazë të ligjeve, me qëllimin e vetëm, sundimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë deklaruar se me rastin për reket vërtetohet nevoja për transparencë, për veting të prokurorëve, gjykatësve, dhe të gjithë atyre që mbulojnë një shërbim publik, përfshirë edhe politikanët.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi

Deputeti i kësaj partie, Artan Grubi ka deklaruar se qëllimi i PSP-së ishte të hetojë të gjitha dyshimet nga materialet e përgjuara, dhe jo të njëjtat të bëhen përditshmëri në rrjete sociale.

“Konsideroj se ky komprometim i sistemit nuk arriti të gjejë përgjigje nga ana e institucioneve, veçanërisht prokuroria e cila duhet të veprojë në mënyrë më rigoroze, më drejtpërdrejt, më efikase që të kthehet tërë shteti në normalitet. Ideja e themelimit të PSP-së ishte të hetohen të gjitha dyshimet nga materialet e përgjuara dhe formuam institucion, që ata materiale të përgjuara të marrin epilog institucional në PSP, dhe jo t’i shohim si përditshmëri në rrjete sociale apo sërish tregtim në çfarëdo forme tjetër”, tha Grubi.

Partitë shqiptare opozitare heshtin

Partitë e opozitare shqiptare nuk i kanë komentuar ngjarjet në dhe rreth PSP-së, aktin e dorëheqjes së shefes së kësaj Prokurorie, Katica Janeva, të cilës i është konfiskuar edhe telefoni, për siç thanë nga PTHP-ja “për aktivitete të mëtutjeshme për lëndën” të cilin e hapi dje Prokuroria Themelore Publike për rastin e reketimit të biznesmenëve nga dy të dyshuarit Bojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13” dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçeec.

Ndryshe, dje dy të dyshuarit Bojan Jovanovski – “Boki 13” dhe Zoran Milevski – Zoki Kiçeec janë paraburgosur pasi që pasdite PTHP-ja për ndjekjen e krimit të organizuar ka hapur lëndën “Pranim i dhuratës për ndikim të jashtëligjshëm”ku ata janë të dyshuar për reket të biznesmenëve nëpërmjet prokurores publike, e cila jozyrtarisht thuhet se është Katica Janeva e PSP-së.

Dyshohet se ata kanë kërkuar 8 milion euro reket, ndërsa kanë marrë vetëm 1.5 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button