Gazetari nuk duhet ta marrë rolin e kritikut të fotografive

Burimi: KriThink

Fotografitë që qarkullojnë gjithandej nëpër rrjete sociale bëhen arsyeja kryesore e shkrimeve gjoja “informative” të disa mediave. Në tekstin që po e recensojmë autori nuk merret me detajet dhe ngjarjen në të cilën kanë marrë pjesë funksionarët, por komenton në lidhje me dukjen e tyre. Komentimi nuk lejohet në zhanrin e lajmeve.

Foto screenshot nga lajmi që recensohet
Foto screenshot nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: BDI-stat paraqiten me këmisha të bardha, a i kanë edhe veprat e bardha si këmishat?

Data e publikimit: 08.07.2019

Data e recensionit: 16.07.2019

Recensuese: Ajnur Bafqari

Kur paraqitja e jashtme, bëhet “informacion”!

Në rastin konkret kemi një tekst i cili nuk përmban aspak informacion, por në të gjithë përmbajtjen vetëm përshkruan se si janë dukur funksionarët e një partie politike në vendosjen e gurthemelit të një tribune në një stadium. Kjo ngjarje, në tekstin që po e recenzojmë, bie tërësisht nën hije, pasi dritë hidhet te veshja e funksionarëve politik që kanë qenë të pranishëm aty.

“Në vendosjen e gurthemelit të tribunës së re në stadiumin e KF Shkupit në Çair, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, me bashkëpunëtorët e tij Sadulla Duraku e Bujar Osmani janë paraqitur me këmisha të bardha. Në rrjetet sociale po komentohet me të madhe nëse edhe punët i kanë të “bardha” sikur këmishat, ose punët i kanë “zi e më zi”. Ndryshe, me veshjen e tyre “çellnikët” e BDI-së (ashtu i quajnë mediumet maqedonase), kanë kopjuar fushatën e PDSH-së në vitin 2013 “faqebardhë”– thuhet në tekst”.

Gazetaria e mirëfilltë nuk merret me pamjen e subjekteve në lajm, përpos në rastet kur kjo vërtetë ndikon në ecurinë e ngjarjeve apo ka lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen. Shembull, mund të komentohet për veshjen e ndonjë individi nëse në të ka simbole të gjuhës së urrejtjes apo thirrje për krim. Por, komentet duhet të jenë të argumentuara dhe të bazuara në rëndësinë e tyre për interesin publik dhe të mirën e qytetarëve.

Thirrje në burime që nuk i ka dokumentuar
Në tekst autori u është referuar disa komenteve nëpër rrjete sociale, megjithatë asnjërën prej tyre nuk e ka të dokumentuar. Nuk dihet se kush ka komentuar dhe ku, por vetëm theksohet se janë komentuar dhe aq, gjë që e bën tekstin të pa kompletuar. I gjithë teksti ngjan me një postim në Fejsbuk, por vetëm i zgjeruar pak më shumë dhe servohet në kategorinë e informacioneve. Autori madje ka shkuar deri aty ku thotë se sportdashësit e kanë vlerësuar si bastardim të sportit prezencën e funksionarëve të caktuar në këtë eveniment, ndërsa për të njëjtat fjalë nuk ka as citim në tekst, e as ndonjë fakt se vërtetë është thënë kështu.

Koncepti i manipulimit “Thirrje në emocione”
Autori i tekstit ka përdorur fjalimin e bazuar në bindje në vend të fakteve, me qëllim që të krijojnë emocione negative.

Nuk keni nevojë për komentues të fotografive
Shmanguni nga tekstet që nuk përmbajnë në vete informacion, e që komentet zënë vendin parësor në të. Fotografitë mund ti shihni vetë, nuk keni nevojë për kritikë të fotografive, por për një tekst të mirëfilltë informativ. Mos lejoni që me klikun tuaj në një artikull, të humbni kohën tuaj dhe në fund të ndjeheni i mashtruar.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button