Rama me drejtuesit e Tatimeve: Po kthehet fenomeni i korrupsionit

Në një takim me drejtues të drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve ku prezantoi edhe drejtoreshën e re të këtij institucioni, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kritikoi ashpër punën e administratës, ndërsa paralajmëroi se kush nuk plotëson objektivat e arritura, nuk ka më vend në të, njofton TCH.

“Lëvizja antishtet ka patur një ndikim negativ mbi publikun sipërmarrjen e administratën. Një nga pasojat e gjithë këtij ndikimi negativ mund të thuhet padyshim është edhe rritja e shkallës së informalitetit. Është momenti për një reagim frontal qoftë në tërësi i administratës tatimore, qoftë individualisht nga cdo drejtues e punonjës i kësaj administrate. Jemi në kushtet kur dhënia e marrja e kuponit është rikthyer në nivelet më të ulëta para se të niste lufta e vështirë por e domosdoshme kundër informalitetit, dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e administratës tatimore. Ashtu sikundër është përgjegjësi e administratës tatimore që në këtë drejtim të mos kthehet pas në praktikat e sjelljet e shëmtuara të së shkuarës.

Nga ana tjetër informaliteti ka prekur përsëri në mënyrë të ndjeshme edhe tregun e punës. Sot kemi aktualisht shifrën më të ulët historike të papunësisë, 12.1% ndërkohë që kemi rritje të frikshme të informalitetit në punë. Dhe kjo duhet të jetë po ashtu një pjesë thelbësore e shqetësimit të përditshëm dhe veprimit të përditshëm të tatimeve në bashkëpunim me inspektoratin e punës, duke ndërtuar një veprim të mirëstruktuaruar larg cdo arbitrariteti në dëm të biznesit. Një nga arritjet më të rëndësishme të kësaj maxhorance ka qenë arritje në funksion të parandalimit të punës në të zezë.

Kjo arritje nuk mund të asgjësohet po duhet të rikonfirmohet e të çohet më tutje, sot të dyja këto institucione, janë në një ombrellë dhe duhet të funksionojnë si një sistem i integruar. Është për të ardhur keq që raportohet një numër i rritur kontrollesh, ndërkohë që efektiviteti i këtyre kontrolleve është në rënie. Mungon shenjestrimi i subjekteve me risk. Dhe patjetër e gjitha kjo reflektohet në cenimin ndaj hapësirës për investime publike dhe cënimin e paketave sociale që janë miratuar e buxhetuar.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur indikatorë të performancave që nuk ndiqen për çdo punonjës, dhe për çdo kontroll të thelluar, ndërkohë që sot dua ta nënvizoj me forcë atë që shumë kush e ka dëgjuar më shumë se një herë, kush nuk arrin indikatorët nuk mund të jetë më pjesë e kësaj administrate, as të tatimeve as të Inspektoratit të Punës.

A ma thotë dot këtu dikush nga ju, si mund të pranohet të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese aktive nga 112 mijë të tilla. Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Kujt i kërkohet përgjegjësia për këtë? Kush i mbulon në territor këto pika të kuqe alarmi? Dhe si mundet të gdhijë dita e re, dhe këto pika alarmi të mbeten të kuqe?

Pse kompanitë e kasave nuk gjobiten? Ligji është i qartë për këtë. Është ngritur një sistem që konsiderohet funksional në tatime, në modernizimin e ndërveprimit me tatim paguesit, me module risku, dhe ka vetëm një motiv për rezultatet e pamjaftueshme: çorganizim dhe anarki brenda administratës, ku janë rishfaqur fenomenet e dikurshme të aktiviteteve individuale apo në grup për qëllime korruptive”, u shpreh Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button