Vuçiqi i kërkoi ndihmë, Makroni: Kosova e Serbia janë dy shtete evropiane

Në takimin ndërmjet dy liderëve të Francës dhe Serbisë, Emanuel Makron dhe Aleksandër Vuçiq, ky i fundit ka deklaruar se i ka kërkuar ndihmë Francës për çështjen e Kosovës, e ndërkaq Makroni ka deklaruar se Kosova dhe Serbia janë dy shtete evropiane, përcjell Portalb.mk.

Gjatë konferencës për media pas takimit, kreu i shtetit serb tha se kishte bisedime shumë të sinqerta.

“Falënderoj presidentin Emmanuel Macron për nderin dhe respektin që tregoi për Serbinë dhe qytetarët e saj. Ne vlerësojmë dhe besojmë se me veprimet tona në të ardhmen do të dimë për të shprehur mirënjohjen për Francën. Ne kemi pasur para marrëveshjeve një bisedë të gjatë. Mendoj se pothuajse asnjëherë nuk kemi biseduar kaq gjatë në katër sy dhe me aq sinqeritet sikurse me presidentin Macron”, tha Vuçiqi.

Ai ka dhënë detaje edhe rreth temës së bisedimeve që pati me homologun e tij francez, në mesin e të cilave ishte edhe ajo për Kosovën.

“Kam dëgjuar Macron të flasë për çështje të rëndësishme rajonale, theksoi problemet tona, në radhë të parë zgjidhjen e nyjës së Kosovës. Biseduam aq gjatë sa nuk ka temë që nuk kemi prekur. Kërkova të na ndihmojë për të adresuar çështjen e krizës së Kosovës. I kam folur edhe për Berlinin dhe Parisin, fola edhe për bashkëpunimin tonë”, tha Vuçiqi.

Kurse Makroni tha se do të organizojë një takim mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Ishim shumë të sinqertë në takim. Unë do të organizoj një takim me ju, me kryeministren serbe, me udhëheqësinë e Kosovës dhe me kancelaren Merkel. Franca dëshiron që të arrihet marrëveshja. Serbia dhe Kosova janë shtete evropiane dhe dëshirojmë kjo të kthehet në realitet”, ka deklaruar Macroni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button