LIGËSIA E PROPAGANDËS

Përmenden shpesh nga gazetarët të gjitha fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës së Epërme nga Nistrova e Vërbeni e deri te Kiçenica. Shatëmbëdhjetë sa janë. Jo për ndonjë ndihmë zhvillimore të asaj ane, por u duhen si përdorca rë përshtatshme propagadastike për ta fshehur të vërtetën shqiptare të Rekës. Bëhen anketa me njerëz të cilët janë asimiluar… Përdoren nga propaganda. U duhet fjala e atyre që janë të kompleksuar e që turpërohen nga ajo që janë. Që mundohen të jenë ata që s’janë… Jepen deklarata të rrejshme duke thënë se denbabaden paskan qenë sllavë…

Sa për t’ua bërë qejfin anketuesve me koka të elektrizuara politike. Kërkohet vend në hapësirat politike, të fshehet e vërteta, të fshehet se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me shqiptarët e Rekës. Keqpërdoren edhe kishat… “si argumente” se e kaluara e shtatëmbdhjetë katundeve të Rekës së Epërme  s’ka të bëjë fare me shqiptarinë. Demek kishat qenkan ispatë se kjo anë qenka sllave. Se këto katunde kanë qenë gjatë, gjatë kohë nën juridiksionin e Kryepeshkopatës së Ohrit.  Mbulohen me rërë e me pluhur rrënjët e këtyre fshatarëve të pambrojtur. Ama nuk tregohet se nën juridiksionin e kësaj kryepeshkopate kanë qenë edhe disa vise etnike bullgare e disa vise serbe dhe një pjesë e madhe e hapësirës etnike shqiptare. Heshtet fakti se  arbëreshët ortodoksë që migruan në Itali nga Moreja dhe nga të gjitha viset ku ka pasur shtrirje gjeografike Bizanti kanë qenë nën juridiksionin e kryepeshkopatës së Ohrit.

Heshtet edhe fakti se arbëreshët nuk kanë qenë as grekë, as bullgarë e as maqedonas sllavë, por vetëm shqiptarë që e ruajnë me fanatizëm gjuhën shqipe me shekuj, deri në ditët e sotme. Propaganda nuk lejoi që një shesh, një rrugë ose një institucion ta marrë emrin  Jeronim De Rada, Zef Serembe, Gavril Dara e shumë të tjerë. Pastaj nuk ka studime të thellësishme rë veprës së Përliçevit, të shihet se enigma ku fshihet e vërteta. Nuk mjaftojnë dëshmitë e njerëzve të rëndësishëm të kulturës, si Mateja Matevski që me gojën e vet e ka pranuar se është shqiptar, se me nënën e vet tërë jetën ka folur vetëm shqip.

As dëshmia e Branko Manojlovskit, deputetit të BDI-së.. Dhe e të tjerëve… Pa fije turpi u sulmua barbarisht dhe u keqtrajtua fizikisht para banesës së vet themeluesi i kishës ortodokse shqiptare në Maqedoni, Branislav Sinadinovski. Gur e dru u hodhën mbi librin e tij “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”. U fye pa bazë ky burrë që r thotë të bëttrtën dhe duke e fyer atë,  u fye edhe tërë populli shqiptar. Kjo është një nga format e dhembshme të poshtnimit që na e bëjnë institucionet. As opozita nuk bën gjë. Madje opozitës një fjalë nuk i del goje për bashkëvendësit e saj shqiptarë…

Le të na lejohet t’i përdorim disa mendime të poetit të madh Teki Dervishi për poezinë. Me këtë rast fjalën poezi do ta zëvendësojmë me të vërtetën, e cila herëdo kur do do të dalë në shesh:

“[Poezia] E vërteta shembëllen me barojën: e shkul prej oborri, ajo të del në themelin e shtëpisë; e shkul prej themelit të shtëpisë, ajo të mugullon mbi tjegulla; e shkul prej tjegullave, ajo të mbin në zemër… ec e shkulja zemrën [poetit] shqiptarit, e shploja si petale – të shohësh ç’fsheh gjuha e hidhur e fjalës së ëmbël [shqipe]”… (marrë nga libri Thashë, Shkup 1981)

Ja që pas shumë trysnive doli në sipërfaqe e vërteta  shqiptare e Rekës së Epërme dhe nuk e zhbëjnë këtë të vërtetë as reportazhet ala serbe të mohimit të qenies shqiptare, as heshtja e akademikëve, as neglizhenca e dy akademive shqiptare të cilat e vazhdojnë gjumin dimëror me decenie e s’ditën të bëjnë libra që flasin për krijuesit arbëreshë, për Fan Nolin, Kristoforidhin, Çajupin dhe Josfi Bagerin, këtë poet e rilindës të veçantë nga Reka, i cili e botoi këtë gazetë dhe e shkroi këtë vjershë (me të cilën u drejtohet bashkëvendësve të vet rekas, ortodoksë e myslimanë, të cilët janë të një gjaku e të cilët (ata që i kanë shpëtuar asimilimit) edhe sot e thërrasin njëri-tjetrin KUSHO):

Josif BAGERI

MESONI GJUHËN TUEJ

Mësoni gjuhën ju që e kini

se një kohë e mirë na mbërriu!

prandaj në errësirë mos rrini.

ish qenë marre me mohue

gjuhën e vet natyrale…,

Të cilën ne s’kemi me harrue

po e kemi mësue në male.

E tani kur munden secili

le të rrinë si të mahnitun!…

o mohues vënia veshin

se anmiku të asht avitun

Rueje veten dhe mëso gjuhën

përparoni në dituni…

të mos ju verbojë kush me pluhun!

prej atyne që janë të shkolluem.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button