ANALIZË: Ndërtimi i banesave “po ngec” – “bum” ndërtimor në ndërtimet e ulëta!

Në maj janë lëshuar 222 leje për ndërtim për ndërtimin e objekteve, me ç’rast në 61,3% të objekteve investitorë janë persona fizikë, ndërsa në 38,7% investitorët janë subjekte juridike, gjegjësisht firma.  Analiza krahasuese në raport me muajin e njëjtë të vitit të kaluar tregon se rritet numri i investitorëve – persona fizikë, ndërsa zvogëlohet numri i firmave që investojnë në ndërtimtari. Sipas të dhënave të Bankës Popullore çmimet e banesave janë në rritje, njofton analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Moratoriumet për ndërtim “e bllokuan” ndërtimin e banesave?

Në muajin e pestë të vitit, vlera e përgjithshme e lejeve të lëshuara për ndërtim në gjithë territorin e vendit ishte pothuajse 65 milionë euro, që është 12.9% krahasuar me majin e vitit 2017. Të dhënat e fundit, nga Enti i Statistikës tregojnë se struktura e objekteve në ndërtim e sipër dominohet nga ndërtimet e larta, gjegjësisht ndërtesat.

Struktura e lejeve për ndërtim:

Ndërtim i lartë  135 (60,8%)

Ndërtim i ulët     37 (16,7%)

Rikonstruim       50  (22,5%)

Por, të dhënat e krahasuara me atë të muajit maj tregojnë se ndodh një “bum” ndërtimor në ndërtimin e ulët ku bëjnë pjesë ndërtesat e ulëta, rrugët, tunelet, ura, ndërsa zvogëlohet vlera e investimeve në ndërtesat për banim. Disa nga ndërtuesit që i konsultuam thonë se ka më shumë arsye për “ngecjen” në ndërtimin e komplekseve për banim.

“Jemi dëshmitarë se kemi komuna që kanë shpallur moratorium për ndërtim dhe kjo gjendje e cila vazhdoi edhe në këtë sezon ndërtimi, u reflektua në biznes. Kemi edhe raste të zgjatjes së procedurave për lëshimin e lejeve të ndërtimit për shkak të kujdesit t; shtuar, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror” – komenton një menaxher nga një prej kompanive ndërtimore që veprojnë në Shkup.

Kjo gjendje u konfirmua edhe nga Shoqata e ndërtimtarisë në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë.

“Ne si shoqatë mbetemi në qëndrimin se procesi është shumë i inert dhe jotransparent dhe kjo çon në dëme gjithnjë e më të mëdha për kompanitë e ndërtimit. Ne gjithashtu theksojmë se duhet të ndërtohet me plan, por megjithatë ky është një proces që filloi në vitin 2017, e nuk ka përfunduar ende në vitin 2019. Nëse nuk do të kishte moratorium, parashikimi ynë ishte se çmimet e banesave të mira do të rriteshin kudo” – deklaroi Andrea Serafimovski, kryetar i shoqatës.

Krahasuar me vitin e kaluar, vlera e investimeve në ndërtimin e ulët ka rënë dukshëm apo në maj të vitit 2017 vlera e lejeve të lëshuara të ndërtimit ishte 44.2 milionë euro, ndërsa në maj të këtij viti ishte 32.4 milion euro. Nga ana tjetër, rritet vlera e punëve ndërtimore në sektorin e ndërtimit të ulët – në maj të vitit të kaluar ajo ishte në 9.2 milionë euro, ndërsa në të njëjtin muaj këtë viti ishte 30.7 milionë euro, që paraqitet një rritje prej më shumë se tre herë.
 Në komunën e Qendrës dhe në Karposh në fuqi është moratoriumi për ndërtime, ndërsa e njëjta paralajmërohet dhe në Ohër.

Ku dhe sa është duke u ndërtuar – çmimet e banesave në rritje…

Në maj, në nivel të gjithë vendit, ishte planifikuar të ndërtoheshin gjithsej 463 ndërtesa banimi, nga të cilat shumica janë tredhomëshe, dydhomëshe, katërdhomëshe dhe njëdhomëshe, ndërsa në maj të vitit të kaluar, ishte planifikuar ndërtimi i 477 ndërtesave për banim. Këtë vit, në rajonin verilindor, i cili e përfshin Kratovën, Kumanovën, Kriva Pallankën, Likovën, Rankovcën, Staro Nagoriçanen nuk është planifikuar të ndërtohet asnjë banesë, ndërsa rajoni i Shkupit dhe i Pollogut udhëheqin për nga numri i ndërtesave për banim të sapo ndërtuara.

Sipas qyteteve, në nivel të Shkupit, ishin planifikuar të ndërtohen 211 ndërtesa banimi, që është pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të ndërtesave për banim të planifikuara në nivel të gjithë vendit, ndërsa në rajonin e Pollogut, Entit statistikor ishte planifikuar të ndërtohen 105 ndërtesa banimi, më së shumti 77 në Gostivar dhe 21 njësi banimi në Tetovë. Në Shkup, përkundër moratoriumit në dy komuna, ka më shumë ndërtime se sa në rajonet e tjera, ndërsa interesante është ajo se përqendrimi është vetëm në disa komuna.

Kështu, në muajin maj u ndërtuan 128 ndërtesa banimi në Gjorçe Petrov, 35 në Gazi Babë, 31 në Aerodrom, 8 në Butel, 5 në Ilinden, 2 në Çuçer Sandevë, ndërsa në komunat e Kisella Vodës dhe të Sopishtes vetëm nga një banesë. Në komunat e tjera, duke përfshirë Karposhin, Qendrën dhe Çairin, nuk ishte planifikuar ndërtimi i asnjë banese.

Në rajonin e Pellagonisë, i cili përfshin komuna më të mëdha si Manastirin dhe Prilepin, në maj, ishin planifikuar të ndërtohen vetëm 9 ndërtesa banimi, nga të cilat 4 në Manastir dhe 5 apartamente në Resnjë. Në Ohër, i cili është pjesë e rajonit Jugperëndimor, në muajin e pestë të vitit, sipas statistikave zyrtare, ishte planifikuar ndërtimi i vetëm një banese. Në rajonin lindor janë planifikuar 73 apartamente, nga të cilat 63 vetëm në Koçanë, ndërsa në rajonin e Vardarit janë paraparë vetëm dy ndërtesa banimi – nga një në Negotinë dhe Sveti Nikollë.  

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Populloreçmimet e banesave në tremujorin e parë të këtij viti,  krahasuar me tremujorin e mëparshëm, janë në rritje, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë zvogëluar për 0.8%. Megjithatë, çmimet e banesave krahasuar me tremujorin e fundit kanë një rritje prej 1.9%, që është edhe përqindja më e lartë e rritjes e matur që nga fillimi i vitit 2019.  

Të dhënat tregojnë se në maj investitorë të 136 objekteve ishin persona fizikë, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar ky numër ishte 116 persona fizikë. Nga ana tjetër kishte rënie në numrin e kompanive-investitore, vitin e kaluar në maj numri i tyre ishte 106, ndërsa këtë vit 86.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button