RINIA DHE KOHA E LIRË

Rinia paraqet kategorinë moshore më dinamike të çdo shoqërie, forcën motorike të zhvillimit dhe ardhmërisë të një vendi. Faza e rinisë është faza më shpërthyese dhe më komplekse e jetës. Cilësitë kryesore të saj janë zhvillimi fizik-trupor dhe ai psikologjik, dinamizmi, emocionaliteti, shpirti ndërmarrës, mosdurimi, kërkimi i identitetit, rebelizmi, krizat, shqetësimet, brengat, reaksionet, konfliktet, ëndrrat, pasionet, kërkesat e pafundme, mospërputhja mes pjekurisë psikofizike dhe shoqërore etj.

Platoni rininë e ka quajtur fazë të “dehjes shpirtërore”, kurse Aristoteli të rinjtë i ka cilësuar si “krijesa insensitive”. Koha e lirë nënkupton “konsumimin joproduktiv të kohës” (?) [Veblen], kohën e harxhuar jashtë biznesit, punës, detyrave të shtëpisë, ushqimit dhe fjetjes. Është kohë kur njeriu ka mundësinë të merret me veprimtari çlodhëse e argëtuese. Bëhet fjalë për kohë të cilën njeriu mund ta shfrytëzojë sipas shijeve dhe prirjeve të veta, mund të merret me veprimtari që ia ka ëndja.

Në këto aktivitete bëjnë pjesë ato kulturore-artistike, sportive, turistike e të tjera. Koha e lirë mund të jetë ditore, javore (uikendi), vjetore (pushimet vjetore) dhe ajo në fund të veprimtarisë aktive (pensioni). Çështja e aktiviteteve rinore të kohës së lirë, të kulturës dhe mënyrës rinore të jetesës kanë një histori të gjatë në studimet rinore që arrin deri nga mesi shekullit XX, me një fokus të veçantë mbi interpretimin e tyre si formë e rezistencës ndaj rendit zyrtar normativ dhe politikës, të strukturar tepër nga faktorët si klasa, gjinia, raca dhe gjegrafia. (Furlong, 2009).

Një hulumtim i rëndësishëm lidhur me këto parametra rininë dhe kohën e lirë (Miran Lavrič dhe të tjerë, “Youth Study: South-East Europe, 2018/2019”, Berlin, 2019) është realizuar nga Friedrich Ebert Stiftung në vitin 2018 me rreth 10.000 të rinj të moshës 14-29, nga dhjetë vende të Europës Juglindore (Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Mali i Zi, Romania, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia), lidhur me tema si përvojat dhe aspiratat në sfera të ndryshme të jetës duke filluar nga arsimi, punësimi, pjesëmarrja politike, raportet familjare dhe koha e lirë, deri te shfrytëzimi informatave dhe teknologjive të informacionit.

Gjetjet nga ky hulumtim flasin se nga 18 aktivitete  të radhitura në pyetësor, si segment i veçantë më shumë i preferuar nga të rinjtë është dëgjimi i muzikës (me 85%), pasuar nga socializimi (kalimi i kohës me familjen 83%, me shokët  70 %), relaksimi (60 %), qëndrimi nëpër bare, kafene, klube (48 %). Kur i marrim për bazën shtetet, vetëzhvillimin më shumë e kanë brengë të rinjtë nga Maqedonia e Veriut (17%), të Bosnjës dhe Romanisë (me nga 15%), kurse më së paku bullgarët (5%) dhe kosovarët e rinj (7%).

Më së shumti në aktivitete socializuese, me familjen ose me shokët, kohën e kalojnë të rinjtë nga Maqedonia (54 %), më së paku familiocentrikë janë kroatët (29%), rumunët (30 %), por aty afër janë edhe kosovarët (me 31%), shifër kjo që tregon se brezi i ri kosovar është më inividualist, më pak tradicional. Është për t’u theksuar se vetëm 30 % të të rinjve janë shprehur se kohën e lirë e kalojnë në lutje, 29 % në lexim të librave dhe 10 % duke lexuar vepra spirituale. Nga i njëjti hulumtim del se sa i përket pjesëmarrjes në rituale fetare së paku një herë në muaj, më aktivë janë të rinjtë boshnjakë (40%) dhe ata kosovarë (39%), kurse ritualistë më të dobët janë bullgarët (14%) dhe sllovenët (15%). Pra, rinia myslimane është e përkushtuar fesë së vet.

Për sa i përket orëve të harxhuara në shikim të TV-së brenda një dite prijnë të rinjtë rumunë (me 3 orë), ata nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria (nga 2.8 orë), kurse më së paku pranë ekranit televiziv qëndrojnë sllovenët (1.8 orë).  Dihet se gjeneratat e sodit njihen si net-generation, i-gen, apo si cyber kids, pra si shfrytëzues të mëdhenj të teknologjive informative apo të internetit. Nga ky hulumtim është konstatuar se “rrjetin magjik” më shumë e shfrytëzojnë malazezët (6.4 orë), ndërsa më pak kroatët (3.6 orë në ditë).

Internetin të rinjtë më së shumti e përdorin për t’u inkuadruar në rrjtete sociale (Facebook, Instagram, Snapchat, Twitter – 86%), për komunikim me miqtë/farefisin (84 %), shumë më pak për qëllime edukative apo të punës (59%), dhe jashtëzakonisht pak për vlerësim të produkteve dhe shërbimeve (10%). Për qëllime të punës, shkollës dhe arsimit më së tepërmi e shfrytëzojnë sllovenët dhe serbët, ndërsa më së paku boshnjakët dhe shqiptarët e Shqipërisë. Kurba është e njëjtë edhe sa i përket lidhjes në internet për lajme dhe informim. Në përgjithësi femrat më tepër sesa meshkujt e shfrytëzojnë “rrjetin magjik” për qëllime edukative.

Nga ky dimension i hulumtimit konstatohet se të rinjtë nga vendet me të ardhura financiare më të larta më tepër janë të përfshirë në relaksim, zbavitje e sport krahasuar me të rinjtë nga vendet me ekonomi më të dobët. Fëmijët e familjeve me nivel më të lartë shkollor, me kapital më të madh kulturor, janë më të përfshirë në të gjitha aktivitetet e kohës së lirë, në veçanti në sport dhe vetëzhvillim. Shqetësues është fakti se vetëm 8 % të rinistëve marrin pjesë vullnetarisht në projekte, iniciative dhe shoqata të ndryshme.

Sa më i lartë kapitali kulturor aq më shumë rritet mosbesimi te rrjetet sociale. Sa më e lartë cilësia e jetesës aq më të pakta dallimet gjinore në aktivitete të kohës së lirë (p.sh. Sllovenia është më e demokratizuara në këtë drejtim, s’ka dallim mes meshkujve dhe femrave). Aktivitetet e kohës së lirë janë një faktor destresues, një agjent që krijon një botë tjetër të të riut, jashtë asaj formale dhe të detyrave, e socializojnë atë, gjenerojnë kreativitet dhe shëndet trupor dhe psikik, andaj të njëjtat duhet të zbatohen përmes kurikulave shkollore e universitare, duhet të nxiten nga ministritë e arsimit, kulturës, sportit dhe rinisë dhe duhet të afirmohen nga mediat dhe faktorë të tjerë socialë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button