“Na bashkoi kënga korale” dhe “Etnomuzikologjia” – dy veprat e reja të autorit Bekim Ramadani

Në kuadër të manifestimit “Vera kulturore e Tetovës”, të mërkurën (më 10 korrik 2019), në sallën e Këshillit komunal në Tetovë para një auditori të përzgjedhur u bë përurimi i dy librave: përkthimit në shqip të veprës shkencore “Etnomuzikologjia” të autorit Fric Boze dhe përmbledhjes me këngë korale – “Na bashkoi kënga korale”, që të dy, të konceptuar, të përgatitur dhe të botuar nga autori Dr. Bekim Ramadani. Në këtë përurim referuan: Jeton Pustina, Arifikmet Xhemaili, Hashim Baftiari dhe Lefter Bogdani. Pikën muzikore nga melosi popullor shqiptar e realizoi instrumentisti virtuoz Florim Velija, ndërkaq moderatore e këtij aktiviteti ishte Fatjona Geci.

“Etnomuzikologjia” është një realizim shumë domethënës për universin shkencor shqiptar, sepse etnomuzikologjisë dhe muzikologjisë shqiptare i ndihmon me ide, mendime, analiza dhe përgjithësime të rëndësishme teorike. Në parathënien e këtij përkthimi, Prof. dr. Spiro Shetuni nga Universiteti Winthrop i Karolinës së Jugut shkruan se, “libri akademik me titull ‘Etnomuzikologjia’ i studiuesit gjerman Fritz Bose i cili vjen i përkthyer nga gjuha serbo-kroate në gjuhën shqipe nga studiuesi i talentuar shqiptar Bekim Ramadani, me siguri, do t’u shërbejë të gjithë etnomuzikologëve dhe muzikologëve shqiptarë, të sotshëm e të ardhshëm, të cilët bujarisht ia kanë kushtuar jetën e tyre hulumtimit serioz e të ndërgjegjshëm të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare. Duke qenë se përfaqëson një shqipërim me dinjitet të lartë gjuhësor e profesional, ai meriton që të përshëndetet ngrohtësisht prej tërë botës akademike muzikore shqiptare, pa marrë parasysh aspak kufijtë administrativë shtetërorë”.

Libri tjetër me titull “Na bashkoi kënga korale” është vazhdimësi e përmbledhjeve të botuara deri më tani nga Bekim Ramadani, vazhdimësi e atyre vëllimeve ku janë përfshirë këngë me motive popullore të përpunuara për formacione të ndryshme korale. Vetë titulli pasqyron përmbajtjen, rolin dhe synimin e këndimit koral. Kush tjetër, përpos këngës korale mund t’i bashkojë në një trupë të vetme njerëzit e moshave të ndryshme, profesioneve të ndryshme, racave të ndryshme, besimeve të ndryshme, etnive të ndryshme, gjinive të ndryshme!? Bashkimi i njerëzve në kor është më tepër se, thjesht, një kolektivitet muzikor, ai bashkim nënkupton rrënimin e kontradiktave, përplasjeve, mospajtimeve, grindjeve, shkatërrimin e kufijve të injorancës, të mosbesimit, të xhelozisë, të urrejtjes, pra një urë lidhëse mes idesh, mendimesh, vizionesh, ëndrrash e dëshirash të ndryshme të shkrira në një ngjyrë tingullore të harmonishme, të këndshme, të bukur. Në recensionin e muzikologut të njohur Marko Kolovski thuhet se: “Libri ‘Na bashkoi kënga korale’ është një ‘shportë’ e mrekullueshme, një kurorë këngësh përplot bukuri, përplot shpresë, përplot paqe”.

Këto dy libra janë dhuratë e çmuar për të gjithë ata që jetojnë pranë muzikës, me muzikën, për muzikën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button